Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Balada e dashurive të pathëna në Shqipërinë e parealizuar dhe pastotalitare. Lojë e mrekullueshme e Yllka Mujos e Elia Zaharisë, femrat fatale në frymën e krijesave “alla Moravia”. Një realizim ku sipas një tradite të kinemasë neorealiste, Shanaj rrezikon me zbërthimin e simboleve psikologjike të dramaturgjisë së skenarit të Natasha Lakos

Dashuria që erdhi nga lulet e së keqes

Elsa Demo
“M’u kujtua rënia e Pompeit dhe dy të dashuruar në mes të rrënojave. Por nuk janë llavët e Vezuvit ato që djegin dashurinë, janë edhe erozione të tjera, si ato tek “Lule të kuqe, lule të zeza”. Ky është një version tjetër i erozionit të dashurisë sipas skenaristes Natasho Lako, pasi qysh në krye të ngjarjeve ka parashikuar dramën e dy femrave fatale, e dy historive të ngjashme mes nënës dhe bijës.
“Lule të kuqe, lule të zeza” filmi i regjisorit Mevlan Shanaj, premiera e djeshme në kinema Millenium 2, është një baladë e dashurive të gabuara e të përgojuara në një “fshat pa shkallë” në jug të Shqipërisë. Eshtë një fshat ku njerëzit janë satelitë të njëri-tjetrit, ku burrat e mbetur vrapojnë pas një demi që do të bëhet kurban për dasmën e bijës së Golemëve. Mundimi i tyre është i madh, pasi nuk ka më nga ata burra që e kapnin dikur demin prej brirësh, por nga ata që flasin për sofistikimin e të bërit seks.
Në këtë mjedis të tredhur mashkullor e social, Ana Golemi (interpretuar nga Elia Zaharia) sheh në ëndrra para martese lule të kuqe dhe lule të zeza. Gjithmonë i ka parë. Së shpejti do të bëhet grua, por jo grua e burrit të vet, e burrave të fshatit pa shkallë. Fati i të bijës ndjek rrotën e fatit të së ëmës Lilianës (Yllka Mujo). E martuar me një ish-oficer të rënë nga vakti, Nan Golemi gjithmonë ka dyshuar se babai i vajzës është tjetërkush, ai Sfinski, mësuesi i fshatit. Kjo është dëshmi e zhbërjes së celulës që e bën të shëndoshë, një komunitet, shoqërinë në tërësi, familjen. Shanaj-Lako, mund të thuhet se e tejkalojnë këtë problem, jo për ta ezauruar, por për të qëndruar më shumë tek individi, tek kjo paepuri e tij për të përsëritur gabimet, historitë drejt të cilave na çojnë në mënyrë të pashmagshme jo vetëm rrethanat e disfavorshme, se sa frenimi i dëshirave dhe kapërcimi i kufijve të lirisë. Jashtë leximit tradicional të kinematografisë, është privilegj të shohim në një realizim shqiptar, për të parën herë ndoshta, një dyshe brilante, një marrëdhënie obsesive, arrogante, kryeneçe, njëherësh, njerëzore e të vërtetë të kordonit ombilikal, nënë e bijë. Dy gra fatale që të kujtojnë si në një peizazh “alla Moravia”, Çoçaren, interpretuar nga Sofia Loren dhe bijën e saj Rozetë, në lirinë dhe vetminë e tyre në zemër të Luftës së Dytë Botërore. Shanaj i ka hedhur ato me një frymë shumë pranë kinemasë neorealiste, ku ngatërrohen fatet e personazheve me fatin e një vendi të braktisur, ku jeta e mundimshme edhe pse në një mjedis rustik i kthen historitë e rëndomta në rrëfime të dorës së parë, dialogët e ndyrë e banalë në gjuhë të gjallë, njerëzit e zakonshëm që s’kanë parë kurrë përtej fshatit pa shkallë, në heronj të jetës së vet që ia vlen t’ua dëgjosh ëndrrat dhe pallavrat ku fshehin sekretet e fatkeqësisë dhe palumturisë së tyre.
Me “Lule të kuqe, lule të zeza” që sipas Lakos nuk është një film kronikal, “por një film që bisedon”, regjisori Mevlan Shanaj rrezikon me zbërthimin e simboleve psikologjike të dramaturgjisë së skenarit. Në disa raste Shanaj ia ka dalë mbanë, në disa të tjera, vërtet ka rrezikuar. Lulet në ëndrrat e Anës, demi i përgjakur, adoleshenti që bën tregtinë e vezëve për të blerë një vizë dhe masturbohet sa herë pas dritares nga sheh aktet dashurore të Anës, këpucët me takë gruaje të Lilianës që janë edhe arma për të ndjellë e për të përzënë me sharje burrat e saj, janë “lightmotive” dhe lirika e filmit. Si dikur një grua që tradhton për hir të dashurisë quhej për gjithë jetën prostitutë, ashtu edhe tani kjo grua e quajtur Liliana, me shpirt të lirë, është peng i dashurisë së parealizuar. Një nga skenat e parafinales së filmit e mishëron këtë. Pasi ka humbur të bijën, ja tek është e lidhur trup më trup me mësuesin e saj i mbiquajturi Sfinksi (interpretuar nga Mevlan Shanaj). Kishin shkatërruar jetët e secilit dhe tek janë të lidhur ashtu siç kanë dashur gjithë kohës të jenë.
Formula e “të pabesëve” është një tjetër rrethanë interesante e “Luleve…”. Taksisti (Bujar Lako), prifti (Kastriot Çaushi), perëndimori (Petrit Malaj), një ish- polic (Vasjan Lami), të gjithë duan të hyjnë në parajsën e shtratit të dy yjeve të këputur Ana e Liljanë, ku me shumë humor, ata janë në anë tjetër matrapazët e vizave, hamshorët e tredhur të perëndisë, misionarët bukëshkalë, beqarët e papunë. Por të gjithë bëhen viktimë e këtij fshati të mallkuar të braktisur nga emigrimi.
Nuk mund të harrosh lehtë burrin e tradhtuar, një leshko me durim të kalitur, por që nuk fal. Nan Golemi është interpretuar nga Enver Petrovci me mjeshtëri. Një rol ku kufiri i komikes me dramën është shkrirë me finesë. Ajo që të mbetet në mendje nga Nani i Petrovcit, nuk është lehtësia e një burri palaço që të tjerë ia kapin për brirësh demin e dasmës së të bijës, por pesha dramatike e një njeriu që thyen heshtjen nga paburrëria.
Ajo ku Shanaj dhe Lako kanë rrezikuar vërtet me “Lulet…”, e cila ndodh pikërisht në finalen e filmit, të krijon idenë e një gruaje që nuk e lind dot fëmijën e saj nëntëmuajsh. Duket sikur filmi zbehet së tepërmi me daljen nga skena të grave fatale Anës dhe Lilianës. Janë përdorur disa “deus ex machina” duke i shkaktuar një rrjedhje të menjëhershme historisë së shëndoshë të “Luleve…” rrëfyer deri para epilogut. Një nga ato është vdekja e papritur e Anës, largimi nga skena i të cilës duket disi artificial. Pastaj është vetëvrasja e taksistit, i ashtuquajturi “Shengen”, një matrapaz vizash e pasaportash që hidhet në gropën e gëlqeres pasi i grabitën dorën e radhës të dollarëve. Ndërsa ajo që e bën fatal rrezikun e gjuhës simbolike të dramaturgjisë filmike të Lakos, është riciklimi i fatsjellësit, një lolo që endet nëpër fshat me një skelet kaliqafë. Një figurë e predestinatave në legjendat ballkanike të cilën Lako e ka përdorur edhe në njërin nga filmat e saj të mëparshëm “Muri i gjallë”, por që në këtë rast e teatralizon dhe skematizon finalen e filmit që deri atëherë kishte pasur gjetjet inteligjente të skenarit.

 

Gazeta Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa