Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Drita Pelingu, Ndriçim Xhepa, Robert Ndrenika …rrëfejnë kujtimet dhe të fshehtat e filmave të Vladimir Priftit.

Gjurmët e filmave…mbetur në celuloid

Zefina Hasani
Ndodhi një ditë që "gjenerali" i Ismail Kadaresë doli nga kornizat e ngurta të skenës së Teatrit Kombëtar dhe nisi të kërkojë në hapësira të vërteta gjithë eshtrat e ushtarëve të tij të vdekur, gjithë ata që kishin mbetur në trojet shqiptare. E nga pas nuk e ndiqte më syri kureshtar i spektatorit të sallës së teatrit…por një kamera gjigante televizive. Pra "gjenerali" nisi të rrëfehet për një film këtë herë, dhe jo më për një shfaqje teatrale.
Tashmë ka kaluar mbi një çerek shekulli nga ajo kohë kur në dyert e Televizionit shqiptar, "gjenerali" trokiti për të bërë këtë film televiziv. Ishte vitit 1975 dhe ishte e para herë që kërkohej diçka e tillë në ato dyer. Askush nuk mund të besonte se "gjenerali" do të mund ta bënte këtë mrekulli, ndërkohë që askush nuk e kishte mirë të qartë në mendje se ç'do të thoshte-film televiziv artistik. Gjithsesi "gjenerali" doli i fituar. Filmi u realizua nën regjinë e Vladimir Priftit. Nxitur nga ky sukses, regjisori nuk e la me kaq punën e nisur…për të bërë filma televizivë. Një vit më pas, do të nxirrte një tjetër dramë nga skena e Teatrit Kombëtar e do ta hidhte në terren të hapur, me të njëjtët aktorë. Ishte drama "Kur hidheshin themelet", që do të shfaqej pas "Gjeneralit të ushtrisë së vdekur" si film në ekranin e vogël të TVSH-së. Ndërkohë, regjisori Prifti kishte të gatshëm ndër duar një tjetër film… "Udha e shkronjave" do të shfaqej premierë vetëm pak ditë më pas.
Vërtet kanë kaluar shumë kohë, nga ajo kohë e mundimshme. Por asgjë nuk ka mbetur në harresë, gjithsesi. Përkundrazi. Regjisori Vladimir Prifti i ka mbledhur të gjitha kujtimet e atyre viteve në fletët e një libri. E jo vetëm për ato vite, por për gjithë çka ndodhur më pas në vitet e gjata të punës së tij.
Shumë emra që kanë bashkëpunuar me të janë rrëfyer në këtë libër…jo vetëm për "Gjeneralin…", jo vetëm për "Udhën e shkronjave", jo vetëm për "Kur hidheshin themelet" (të cilat ishin të parat krijime të tij) por edhe për "Erën e ngrohtë të thellësive" (që u shfaq më 1982), edhe për "Kush vdes në këmbë", edhe për filmin "Dhe vjen një ditë", edhe për "Flutura në kabinën time" edhe për "Dasmën e Sakos" edhe për "Të bekuarit" e së fundmi edhe për "Butrintin". Vladimir Prifti ka mbledhur rrëfimet e atyre kohëve të largëta e të këtyre ditëve të sotme të Teodor Laços, të Kiço Blushit, Mevlan Shanajt, Robert Ndrenikës, Ndriçim Xhepës, Drita Pelingut, Naum Priftit, Natasha Lakos, Pali Kukes….e shumë të tjerëve. Secili prej tyre ka zbuluar pak nga e fshehta e magjisë së një filmi, pakëz nga emocionet e forta që kanë përjetuar…atëherë kur kanë qenë në shesh të xhirimit.
Në "Udhën e shkronjave"
Sekreri i lotëve të Sandër Prosit
Regjisori i njohur Pali Kuke, i cili ka qenë operator në këtë film tregon pak nga të fshehtat e "Udhës së shkronjave". Mes të tjerash rrëfen…Ishte çasti kur xhirohej episodi "malli për vendlindjen". Sandër Prosi (i cili luan rolin e Dhaskal Todrit) duhej të qante, i mallëngjyer nga rikthimi në vendlindje…mirëpo sytë e tij vetëm sa u lëngëzuan dhe loti nuk pikoi në faqe. Regjisori kërkoi që të përsëritej sërish dubla…derisa Prosi të qante. Por kishte qenë e pamundur edhe pse ishin bërë plot shtatë dubla. Rastisi që në ato rrugë kaloi autobusi i linjës Vlorë-Himarë. Boria e atij autobusi ua prishi xhirimin. Pastaj një burrë zbret nga ai autobus dhe i afron Sandër Prosit një qese me qershi-"E ke nga të gjithë ne"-i tha ai aktorit. Kaq do të duhej që Sandër Prosi të thërriste-"Fillojmë xhirimin". Ishte emocionuar nga ai çast dhe donte ta shfrytëzonte emocionin për momentin filmik. Dhe pati rezultat. Në dublën e radhës Sandër Prosi arriti të qajë në episodin "malli për vendlindje"
Pelingu rrëfen frikën
…kur ishte fillestare

Ajo do ta luante sërish rolin e Budes në filmin "Kur hidheshin themelet". Ishte gëzuar në fillim por shumë shpejt ishte mbërthyer nga ethet kur mendonte se nuk do të ishte më në skenën e Teatrit Kombëtar por para kamerave televizive. Në skenë kishte një përvojë 30-vjeçare, ndërsa në film ishte pothuajse fillestare. Pelingu ka treguar në faqet e këtij libri gjithë përpëlitjet me veten, për ta realizuar ashtu si duhej atë rol. "E kisha luajtur disa herë Buden në skenë-rrëfehet ajo-dhe i druhesha mekanizmit para kameras. Spektatori nuk është përballë teje por diku pas kameras. Ti nuk e sheh atë por ai të ndjek në çdo moment. Të gjitha këto shqetësime më ndoqën deri në fund të filmit. Kur iu afrova për herë të parë vendit të xhirimit, kisha shumë emocione derisa e qortova veten -"Jo ky emocion të dëmton". Pastaj ndieva se mjedisi real më ndolli një të vetëdjerë të re ku nuk përfshihej në të "sikuri skenik". Emocionet u zhdukën, rrëmbeva gjymin dhe shpejtova të mbush ujë…." Më pas xhirimet i ishin dukur më të lehta dhe Pelingu nuk e kishte pasur të vështirë të gërrmonte realisht gropën për të fshehur teneqetë e floririt"
Ndrenika rrëfen "Dhe vjen një ditë"
…nën petkun e vëllait të madh
Tregon se çasti më kulmor në filmin "Dhe vjen një ditë" ka qenë takimi i tij në hotel me vëllain që punonte në Tiranë (Llanon). "Zieja i tëri përbrenda. Vjen një fshatar në Tiranë të takojë vëllanë dhe ky zgjohet në mes të natës e më kërkon hesap pse erdha, e më kërkon të shes kalin të vetmen pasuri që kisha. Atë çast ndjeva të më materializohej ajo që këta dy vëllezër nuk kishin asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin. Kjo ndiesi nuk u dha si e stisur me zor por në mënyrë krej realiste dhe të natyrshme"-Ndrenika e kish përjetuar thellë gjithë atë që ndodhte në marrëdhëniet me Viktor Zhustin, e kishte ndier veten vërtet si ai fshatari i filmit.
Xhepa dhe "Flutura" në kabinën e tij
…më i përshtatshmi për Tomën
Regjisori kishte vënë në provë dhe disa aktorë të tjerë për të interpretuar Tomën. Dhe në fund Ndriçim Xhepa ia kishte mbushur syrin. Aktori ishte kënaqur nga kjo zgjedhje dhe i hyri me shumë pasion këtij roli, sepse e kishte tërhequr shumë bota e brendshme e Tomës e mbi të gjitha marrëdhënia e tij me Fluturën. Ndriçim Xhepa rrëfen në këtë libër se befasuese për të ka qenë kontakti i tij i parë me kamionin-"Guida që kam bërë me shoferët e parkut të Laçit do të mbetet e paharruar në kujtesën time si aktor",-tregon Xhepa. Prej tyre mësoi jo vetëm makinën por dhe plastikën e të qenurit një shofer prej vërteti.-"Ulesha me ta, rrija e bisedoja, haja me ta pse jo edhe pija ndonjë gotë me ta",-të gjitha këto i bënte të funksion të rolit. E për aq kohë sa kanë zgjatur xhirimet, regjisori Vladimir Prifti e ka bërë që të mos ndihet më Çimi por shoferi Tomë. Në një çast kërkesa e regjisorit që ai të dilte e të mblidhte flutura në lëndinë, Xhepës i ishte dukur e tepërt, jashtë rolit, i dukej e çuditshme se si Toma mund të bënte diçka të tillë-"Pastaj iu binda regjisorit dhe kuptova se ai moment në të vërtetë ishte një kontrapunkt, një detaj që ia shtonte së tepërmi vlerat personazhit.
Të tjera rrëfime
Janë pafund kujtimet dhe vlerësimet që të tjerët kanë dhënë për këto filma…për gjithë atë që nisi që nga vitit 1976 e deri më sot. Të gjitha janë ndër këto faqe libri, për të mbetur si gjurmë të pavdekshme të histosisë së filmit ose siç i quan dhe vetë regjisori, gjurmë në celuloid.


 

 

(marre nga Gazeta Shekull)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa