Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Futboll, Sot fillon kampionati i 64-t

Dinamo, pretende serish"Start të mbarë dhe fat në fitimin e titullit të 64-t kampion për të gjitha skuadrat pjesëmarrës në këtë aktivitet kombëtar!". Ky ka qenë urimi i dalë dje nga institucioni qëndror i futbollit shqiptar. Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, dhe sekretari i përgjithshëm, Sulejman Starova, me rastin e fillimit të kampionatit të ri të futbollit, dhanë dje në orën 11.00 një konferencë për shtyp, e cila është shoqëruar më pas edhe me një koktej për të gjithë të pranishmit. Pasi u ka uruar suksese të gjitha klubeve pjesëmarrëse në këtë aktivitet kombëtar, presidenti Duka është ndalur edhe në punën e bërë deri tani nga institucioni që ai drejton. "Është hera e parë për mua që më qëllon të bëj një urim të tillë në prag të fillimit të një aktiviteti kaq të madh, siç është kampionati i ri i futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një punë intensive që gjithçka të fillojë mbarë. Në funksion të kësaj, kemi miratuar strukturën e re të FSHF-së, duke ngarkuar një sektor të tërë garash për t'u marrë direkt me këtë aktivitet. Nga ana tjetër, përmirësimi i rregulloreve të aktivitetit në fjalë, riorganizimi i komisioneve disiplinore, miratimi i skemës së re të kampionatit të ardhshëm të futbollit etj., janë dëshmia më e mirë e përpjekjeve tona për zhvillimin e një kampionati normal e të qetë." Më tej, presidenti i FSHF-së, në prani të përfaqësuesve të të gjitha klubeve të futbollit të kategorisë së parë dhe të dytë, ka zbuluar marrëveshjet e lidhura mes Federatës së Futbollit dhe Ministrisë së Rendit dhe INSIG-ut për sigurimin e futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve dhe të gjithë atyre që merren me këtë sport në vendin tonë. "Është hera e parë që futbollistët, trajnerët dhe gjyqtarët tanë janë të siguruar për gjithçka që mund t'u ndodhë. Këtë e kemi arritur falë një marrëveshjeje mes Federatës së Futbollit dhe kompanisë së sigurimeve, INSIG. Po kështu, kemi marrë të gjitha garancitë edhe nga Ministria e Rendit Publik që rendi dhe qetësia në stadiume dhe fushat e futbollit të jetë maksimale. Prandaj, shpresoj që dhuna në këtë kampionat, jo vetëm në stadium, por edhe në fushën e lojës, të minimizohet, pasi vitin që shkoi u vunë re shumë gjeste të tilla. Dua t'u kujtoj të gjithë drejtuesve të klubeve dhe futbollistëve se ndëshkimet për ata që shkelin rregulloret e aktivitetit do të jenë tejet të rënda. Në këtë shtrëngim masash, nuk do të shpëtojnë as gjyqtarët që verifikohen se kanë abuzuar. Ne, si Federatë, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e klubeve, për të zhvilluar një kampionat të ndershëm dhe "fair-play", - e ka përfunduar fjalën e tij përshëndetëse me rastin e fillimit të Kampionatit të 64-t Kombëtar të Futbollit, presidenti i FSHF-së, Armando Duka.


1. Vllaznia-Teuta
Për të katërtën herë me radhë, shkodranët do ta nisin sezonin në "Loro Boriçi" ku në tre të kaluarat nuk kanë fituar asnjë takim. Sot, ata do të synojnë një të tillë, aq më tepër kur këtë ndeshje do ta luajnë nën efektin e projektorëve, për të parën herë në "Loro Boriçi" në një takim zyrtar. Ndërsa Teuta, javën e parë, për të tretin sezon radhazi, do të luajë larg "Niko Dovanës". Në pesë sezonet e fundit, pavarësisht ku është ndeshur, Teuta asnjëherë nuk i ka ndarë pikët me kundërshtarët. Pas 11 vjetësh, sportdashësit shkodranë do të shohin në ditën e parë të kampionatit sfidën Vllaznia-Teuta.
2. Elbasani-Dinamo
Në rikthimin mes më të mirave kampionia e kategorisë së dytë, do të përballet me kampionen e vendit, skuadrën e Dinamos. Për herë të fundit, Elbasani e ka zhvilluar takimin e hapjes në qytetin e vet në sezonin '98-'99, ku pati fituar 3-1 kundër Burrelit. Ndërkaq, Dinamo, në 6 sezonet e fundit, katër herë ka qenë mysafire në javën e parë. Interesant është fakti se asnjëherë në këto takime dinamovitët nuk kanë dalë të mundur. Dinamo rikthehet në Elbasan pas 17 vitesh, kur kampionatin e atij viti do ta niste me fitore në "Ruzhdi Bizhuta", 2-0, me dy gola të E. Abazit në pjesën e dytë.
3. Apolonia-Tirana
Përsëri si dy sezone më parë, fierakët do ta nisin sezonin në stadiumin e tyre. Vjet ata u mundën nga Teuta, ndërkohë që sivjet do të presin nënkampionët bardheblu. Ndërsa Tirana, për të katërtin sezon me radhë, i ka takuar të udhëtojë. Ashtu si edhe simotra e saj, Dinamo, edhe Tirana, në 6 sezonet e fundit, fillimin e ka pasur premtues, sepse asnjëherë nuk ka dalë e mundur nga fusha. Asnjëherë më parë, në 50 sezonet e fundit, shorti nuk i ka ballafaquar në javën e parë Apoloninë me Tiranën.
4. Besëlidhja-Erzeni
Lezhjanët do të tentojnë përsëri, si në dy sezonet e kaluara, kur e kanë nisur kampionatin në stadiumin e tyre me rezultate pozitive, duke barazuar me Dinamon vjet e duke fituar me Teutën 1-0 dy sezone më parë. Ndërkohë, Erzeni, ashtu si edhe vjet, do të udhëtojë nga Jugu (Vlorë), në Veri sivjet. Humbjen e vjetshme shijakasit do të mundohen të mos e pësojnë sërish. Besëlidhja dhe Erzeni takohen për të parën herë në vigjiljen e një kampionati.
5. Bylis-Besa
Ballshiotët, pas 1 sezoni, rikthehen në fushën e tyre për të hapur kampionatin. Megjithatë, fusha ballshiote këtë herë do të jetë ajo gjirokastrite. Në tre kampionate, kur Bylisi ka luajtur në ditën e parë në "Adush Muça", i ka fituar të tre takimet, ndërkohë që dy të tjerat (jashtë) i ka humbur, duke mos nënshkruar asnjë barazim në takimet e hapjes. Për Besën, kjo është hera e 5-të me radhë që i takon të jetë mysafire në javën e parë.
6. Lushnja-Flamurtari
Edhe lushnjarët do të jenë mikpritës për të 4-ën herë me radhë, ku në bilanc shënohet 1 fitore dhe 2 barazime, duke mos pësuar asnjë gol. Në total, myzeqarët kanë 5 sezone me radhë që kampionatin e kanë filluar pa humbje. Flamurtari do të nisë sezonin jashtë Vlorës. Në takimin e fundit, gjatë ditës së parë, ka humbur kundër Bylisit 2-1 në sezonin 2000-2001.
7. Partizani-Shkumbini
Partizani do ta nisë "aventurën" duke pasur Shkumbinin përballë. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në javën e parë të sezonit 1999-2000. Atëherë të kuqtë barazuan golin e peqinasit Gjoni, që pati realizuar në minutën e 48-të, me anë të Mulletit në minutën e 89-të. Për peqinasit, ky është kampionati i 6-të radhazi që takimin e parë do ta luajnë jashtë Peqinit.
Bashkim Biraçi

Trajnerët: Synime, dëshira, vlerësime...
Apolonia - Tirana

Vangjel Capo, trajner i Apolonisë: "Do të jetë një ndeshje e hapur për të dy ekipet. Shpresoj që sportdashësit tanë do t'i kënaqim me lojën që do të zhvillojmë. Edhe pse do të kemi një kundërshtar të fortë, do të përpiqemi të japim maksimumin tonë."
Enver Haxhiabdiç, trajner i Tiranës: "Duke qenë se është ndeshje e parë e kampionatit, kërkojmë që të arrijmë një rezultat sa më pozitiv. Të gjithë lojtarët i kam në dispozicion dhe shpresojmë të zhvillojmë një ndeshje me sa më pak gabime. Nuk na falet asnjë rezultat tjetër, përveç fitores, sepse të njëjtën gjë na ka kërkuar edhe presidenti ynë, El Sajed, dy ditë më parë."

Lushnja - Flamurtari
Agim Mone, trajner i Lushnjes: "Ndodhemi në bangon e provës në këtë sfidë të parë ndaj Flamurtarit dhe ndihem pak i mëdyshur në mendimin nëse djemtë e mi do të japin më të mirën për të arritur fitoren ndaj Flamurtarit. Jam i bindur se i kemi të gjitha letrat në duar për të arritur një rezultat pozitiv në këtë ndeshje."
Leonidha Çurri, trajner i Flamurtarit: "Pak njohuri kam për ekipin e Lushnjës. Megjithatë, çdo gjë do të zgjidhet gjatë ecurisë së lojës. Përfundimi i ndeshjes, besoj se do të jetë pozitiv për Flamurtarin."


Vllaznia - Teuta
Hysen Dedja, trajner i Vllaznisë: "Eshtë një ndeshje e rëndësishme për ne, ku nuk lejohet as barazimi. Jemi përgatitur për t'i bërë një nisje të mirë këtij kampionati dhe besoj se e tillë do të jetë."
Edmond Zalla, trajner i Teutës: "Do të luajmë në fushën e Vllaznisë me të njëjtin mentalitet, me të cilin do të luajmë çdo ndeshje në "Niko Dovana". Është një ndeshje ku rezultati është i hapur dhe ku do të fitojë më i miri. Siç e kam thënë edhe herë të tjera, është kënaqësi ta nisësh kampionatin në Shkodrën e traditave të futbollit, përballë një publiku të kulturuar. Shpresoj që sportëdashësit e të dy ekipeve do të shikojnë një spektakël në këtë ndeshje, ku ndeshen dy emra të mëdhenj të futbollit tonë."

Elbasani - Dinamo
Luan Deliu, trajner i Elbasanit: "Edhe pse skuadra vjen nga kategoria e dytë, ekipi është i përgatitur mirë për ta kaluar me sukses provën e vështirë që ka në javën e parë me Dinamon. Kundërshtari, me gjithë problemet që kaloi, mbetet tepër i fortë për t'u mposhtur. Do të luajmë për fitore, për t'u treguar të gjithëve se Elbasani i përket elitës."
Faruk Sejdini, trajner i Dinamos: "Do të udhëtojmë në Elbasan, për t'u ndeshur me këtë ekip, me statusin e kampionit. Do ta vlerësojmë maksimalisht ndeshjen dhe do të synojmë tripikëshin, për ta filluar mbarë kampionatin. Elbasani është ekip i fortë dhe ambicioz, por ne do të përqendrohemi për të arritur një fitore, e cila do të na rehabilitonte pas problemeve që kaluam."

Besëlidhja - Erzeni
Vasil Bici, trajner i Besëlidhjes: "Edhe pse është ndeshja e parë e kampionatit, skuadra është e mobilizuar që të arrijë një rezultat të kënaqshëm. Sidomos sepse ndeshja do të luhet para sportdashësve lezhjanë, na del për detyrë që t'i kënaqim ata me një rezultat sa më të mirë."
Dervish Haxhiosmanoviç, trajner i Erzenit: "I kemi kushtuar rëndësi të veçantë kësaj ndeshjeje të parë të kampionatit. I gjithë ekipi është në kondicion të mirë fizik dhe shpresojmë që ky takim të shprehë vlerat e "fair-play"-t, gjykimi të drejtë dhe spektakël të vërtetë. E vlerësoj ekipin e Besëlidhjes dhe sportëdashësit lezhjanë, të cilët do të ndjekin një ndeshje ku, natyrisht, do të fitojë më i miri."

Partizani - Shkumbini
Neptun Bajko, trajner i Partizanit: "Sot, ndaj Shkumbinit, do të luajmë me kujdes dhe do të kërkojmë fitoren tonë të parë. Kemi 3 muaj që po përgatitemi për sezonin e ri, prandaj ekipit peqinas s'do të tolerojmë. Do ta vlerësojmë këtë ndeshje, sepse duam t'i kënaqim edhe sportdashësit tanë që na mbeshtesin gjithnjë fuqimisht."
Gjergji Poloska, zv.trajner i Shkumbinit: "Vlerësimi për këtë ndeshje, pa dyshim, është i madh, sepse është ndeshja e parë e kampionatit, por edhe sepse kemi përballë Partizanin. Të luash me këtë ekip është në radhë të parë kënaqësi. Ne do të kërkojmë që të luajmë përballë tyre si të barabartë, sepse ekipi ynë është përgatitur për këtë."

Bylis - Besa
Andrea Marko, trajner i Bylisit: "Thonë se fillimi i mbarë është gjysma e punës. Ekipi është i mobilizuar dhe të gjithë shpresojmë te një rezultat i kënaqshëm."
Abdyl Kuriu, trajner i Besës: "Do të luajmë në një fushë asnjanëse, por do të shkojmë për fitore. Skuadra është e karikuar 200 për qind dhe sulmi do të jetë ai që do të zgjidhë fatin e 3 pikëve të para për ne."



 

 

(marre nga Gazeta Shekull)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa