Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 


Emrat e njohur të muzikës së lehtë shqiptare po i largohen gjithnjë e më shumë festivalit të Radio-televizionit shqiptar. Arsyet janë të shumta…mungesa e interesit dhe e kohës. Angazhimi me të tjera aktivitete ku mund të fitohet më shumë.

Larg duart nga Festivali

Një herë e një kohë, na ishte vetëm një festival për muzikën e lehtë shqiptare që quhej festivali i fundvitit në Radio-Televizion. Ndaj të gjithë mendonin e punonin vetëm për të. Emrat e njohur të muzikës shqiptare mblidheshin aty kokë më kokë, në fund të çdo viti. Kjo ishte gjithçka për ta…kënaqësi, emocion, shpërblim për punën vjetore, duartrokitje…
Çuditërisht nuk ndodh më kështu. Nga viti në vit jehona e atij festivali po zbehet. Kënaqësia për të marrë pjesë në të po aq. Indiferenca e emrave të mëdhenj…po aq. Sepse shumë festivale të tjerë kanë ngritur krye ndërkohë. Sepse artistët e mëdhenj papëlqejnë të merren me të tjera angazhime, ndërkohë, aty ku kënaqësinë dhe fitimin mund ta kenë edhe më të madh. Aty ku dhe nuk kanë pse të zhgënjehen për ndarjen "nën dorë" të ndonjë çmimi.
Ndaj nga viti në vit festivalit të madh të fundvitit po i mungojnë emrat e njohur të muzikës së lehtë shqiptare. Vetëm pak ditë më parë u shpall lista emrave të këngëtarëve që do të jenë pjesëmarrës në festivalin e këtij viti. Ishte një listë që e bënte edhe më të dukshme "zbehjen" e festivalit të fundvitit. Emrat e njohur të muzikës nuk ishin as këtë herë…veç Ledina Çelos, Françesk Radit, Redon Makashit e Mira Konçit, Myfarete Laze, Alma Bektashit, Mariza Ikonomit e Mihrie Brahjës …të tjerët ishin të sapodalët në skenë.
Nuk ishin në atë listë as Rovena Dilo, as Eranda Libohova, Irma Libohova, Manjola Nallbani, Kozma Dushi, Aleksandër Gjoka as Elton Deda e as të tjerë e të tjerë. E kjo nuk ka ndodhur ashtu rastësisht…por për disa arsye.
Manjola Nallbani
Që nga dalja e fundit në një festival të tillë, kishte vendosur të mos merrej më më një impenjim të tillë i cili-"Është shumë serioz e shumë i madh dhe pas gjith asaj lodhjeje nuk merr asnjë shpërblim të barazvlefshëm qoftë shpirtëror apo dhe material". Manjola Nallbani, e kurorëzuar disa herë me çmime të para të dyta e të treta, ndiehet e lodhur tashmë nga një shpenzim i kotë fuqish. "Nuk të ngacmon më asgjë që të nisesh drejt atij festivali, mbi të gjitha ,sepse nuk merr më asnjë kënaqësi shpirtërore pasi festivali i funvitit e ka humbur prej kohësh vlerën që ka pasur dikur. Nuk di të them arsyen e vërtetë pse ka ndodhur kjo zbehje…ndoshta sepse tani organizohen shumë aktivitete (ndryshe nga më parë) ndoshta sepse organizatorët e festivalit kanë harruar të trajtojnë ashtu si duhet artistët e të bëjnë dallimet mes tyre…Gjithsei nuk di të them një arsye të përkufizuar."-Nallbani shton pas kësaj se edhe pagesa që marrin artistët në këtë festival është qesharake-"E të gjitha këto të bëjnë që të mos e kesh aspak mendjen tek ky festival por tek angazhimet e tjera që të japin më shumë kënaqësi e më shumë para"-Kështuqë, ndërsa festivali i këtij fundviti do t'i ketë hapur netët e tij, Nallbani (një ndër protagonistet e përhershme të tij) do të jetë në të tjera koncerte, shumë larg këtij festivali
Motrat Libohova
As njëra e as tjetra nuk do të jenë në këtë festival. Irma Libohova nuk do kishte dashur të ishte as në festivalin e vitit që shkoi por Bashkim Alibali e ftoi për një duet dhe kështu ajo ndërroi mendje. Në këto ditë, ndërsa të tjerët bëhen gati për festivalin e madh, ajo është jashtë kufijve, duke u marrë me planet e saj. Ndërsa Eranda është këtu dhe tregon pse nuk do të jetë në këtë festival-"Doja të pushoja këtë vit. Ç'është e vërteta unë kështu e kam bërë gjithmonë, një vit jam shfaqur në atë festival e një vit jo." Shpjegon se një nga arsyet e forta që e pengoi të merrte pjesë në këtë festival ishte dhe përgatitja për albumin e saj të dytë. Por nuk ishte vetëm kjo, gjithsesi-"Bashkë me Irmën po pregatitemi për një koncert recital jashtë Shqipërisë të cilin mendojmë ta realizojmë në datat 6 dhe 8 dhjetor kështuqë as që kemi pasur kohë të mendojmë për festivalin e fundvitit",-pohon duke qeshur. Eranda Libohova, nuk e hedh poshtë vlerën që ka ky festival, gjithsesi. Pohon se festivali mbetet festival dhe interesi për të mbetet i pandryshueshëm. Ajo nuk do të hiqte kurrë dorë prej tij, edhe pse të metat që ka po vijnë gjithnjë e duke u shtuar dukshëm. E megjithatë ajo ka forcë t'i përballojë shqetësimet që ngjallen sapo ngjitesh në atë skenë. ..për hir të emrit që duhet t'i mbetet atij festivali.
Kozma Dushi
Edhe pse e ka thënë gjithmonë hapur se festivali i fundvitit është bërë një pazar i padurueshëm, nuk mund të largohet prej tij. Vitet që ka kaluar me emocionet e netëve të atij festivali nuk mundet t'i harrojë, ndaj dhe vazhdon ta ketë pikë të dobët që të jetë pjesë e tij. Kozma Dushi kështu do të dëshironte edhe këtë herë-"Por duke qenë se unë jam i lidhur ngushtë me Luan Zhegun, nuk munda të futem këtë vit në festival sepse Zhegu nuk arriti të kompozojë një këngë për mua. Unë e dua shumë festivalin me gjithë të metat e tij. Më vjen shumë keq që emrat e mëdhenj të muzikës shqiptare po i largohen çdo herë e më shumë. Unë i kritikoj këta njerëz, ata bëjnë shumë gabim që ikin nga ky festival duke e nxitur vetë shkatërrimin e vlerave që ai mbart në vite".Kozma Dushi është i bindur se ai vetë nuk do mundet ta braktisë kurrë. I ka ndodhur shumë shpesh që të zhgënjehet shumë keq nga ai festival e megjithatë ka vendosur t'i shkojë deri në fund. "Do të dëshiroja që çdo vit të lija një këngë të bukur". Në rrëfimin e tij Kozma Dushi nuk e fsheh aspak dhembjen që i shkakton fati i këtij festivali-"Eh dikur ishte krejt ndryshe. Ndiheshim me fat që ngjiteshim në atë skenë. Emocioni që unë ndiej sot është i mbartur nga ajo kohë ndaj dhe bëhem keq kur nuk më bëhet mbarë të jem pjesëmarrës"-Ky peng këtë herë iu krijua nga kompozitori me të cilin ai bashkëpunon. Ishte Luan Zhegu ai që nuk "ia vari" shumë festivalit këtë herë. Çuditërisht edhe Zhegu nuk ka pasur shumë kohë e interes ashtu si dhe Manjola Nallbani, ashtu si edhe Irma e Eranda Libohova, ashtu si dhe Aleksandër Gjoka, Rovena Dilo e të tjerë e të tjerë….

Gazeta Shekulli



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa