Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

“Etnoëngjujt” rebelët e censururar


NgaTeuta Meçi
“Ne iu këndojmë ngjarjeve të vërteta. Nuk është se përgjithësojmë të gjitha vajzat me moral të dyshimtë. Kjo është ajo që besojnë shoqatat e grave. Ky nuk është faji ynë. Ne kemi namin e atyre që realizojmë këngë provokative, si një grup shumë i guximshëm, që nuk i përfill limitet konservative”.


Etno EngjejtKanë një emër paksa të veçantë, “Etnoëngjujt”, e megjithëse quhen kështu, kundër tyre janë vënë shoqatat për të drejtat e grave. Protesta e tyre e ka bllokuar momentalisht spotin e albumit më të fundit të “Etnoëngjuj”- ve. Djemtë 17-vjeçarë thonë se me këngët e tyre, “Ti je Bitch” dhe “E shtuna” kanë goditur prostitucionin, por duket që ndryshe dëgjohet muzika e tyre nga veshët e këtyre organizmave, që u kanë hapur jo pak probleme adoleshentëve rebelë.
I krijuar si grup më 1997, albumi i parë i prezantimit shënon vitin 2000, me titullin "Dua të jetoj më mirë", i cili është pasuar me albumin "The dynasty", i dalë në treg më dhjetor të vitit 2001. Videoja e tyre, “E shtuna”, me të cilën konkurruan në “Netët e Klipit Shqiptar”, është bllokuar prej mediave kosovare për shkak të ngarkesës së theksuar erotike që kishte në shumë skena të saj.
Në Festivalin e organizuar nga “Radio +2” ata janë prezantuar me dy materiale, i pari, “Ti je bitch” si grup dhe i dyti, si bashkëpunim me këngëtaren mjaft të preferuar të këtyre kohëve në Kosovë, Arta Bajramin, “Vera”, me të cilën fituan dhe çmimin “Radio+2 hit” .

Ju pëlqen pjesëmarrja në koncertet shqiptare?
Çdo festival në Shqipëri e cilësojmë me një rëndësi shumë të madhe, kështu që u detyruam që edhe turnetë tremujore që kemi planifikuar në Europë, t’i shtyjmë për të marrë pjesë në Festivalin e “Mikrofonit të Artë” dhe mendoj se kemi bërë një hap të duhur sepse ka një vlerë fantastike për ne.

Pse e vlerësoni kaq shumë?
Sepse festivale nuk është se ka shumë. Unë nuk di të flas shumë për Shqipërinë dhe nëse këtu ka shumë festivale, në Kosovë është një punë shumë e begatshme përsa u përket koncerteve. Atje ne kemi çdo fundjavë koncert, plus faktit që shkojmë edhe nëpër vende të ndryshme të Europës për të organizuar koncerte, thuajse një herë në dy javë. Nëse marrim të krahasojmë një Festival me një koncert, ky i fundit është prezantim përpara një publiku lokal, ndërsa Festivali transmetohet edhe nga TV-të dhe ka një propagandë dhe organizim shumë më të madh se koncertet e thjeshta. Duke e marrë në të gjitha këndvështrimet, si skenë dhe pjesëmarrje, nuk këndojmë vetëm ne, pra me një fjalë, ka një peshë të rëndësishme që nuk kemi ndërmend ta humbasim.

Cili është ndryshimi midis publikut kosovar dhe atij shqiptar?
Publiku i Kosovës është shumë i madh në masë. Për këtë mund të përmend dhe koncertin e fundit recital që organizuam së bashku me grupin “Minatori” ku kishte më shumë se pesëdhjetë mijë njerëz dhe as stadiumi nuk do të kishte mundur t’i nxinte, por e realizuam në qendër të Prishtinës. Por ka një karakteristikë tjetër që e ndan publikun kosovar nga ai i Shqipërisë. Së pari, në Kosovë depërton shumë lehtë kënga që vjen nga Shqipëria, ka shumë këngë të prodhuara në Shqipëri që janë bërë hite në Kosovë, duke arritur dhe një sukses të jashtëzakonshëm. Atje është hapur koncerti dhe këngëtarët shqiptarë janë gjithmonë të pranishëm nëpër aktivitetet e organizuara vitet e fundit. Ndërsa këtu në Tiranë, ka një varfëri të tregut kosovar, i cili thuajse mungon në Radiot dhe TV-të shqiptare. Përsa i përket publikut, nuk mund të them asgjë me siguri sepse nuk kemi pasur asnjë koncert recital këtu, përveç festivaleve. Por dihet, se në festival, publiku është i përzier dhe nuk vjen vetëm për këtë apo atë këngëtar, grup apo rrymë. Kur të mbajmë një koncert recital në Tiranë mund të themi nëse publiku tiranas është i ngrohtë apo jo.

Pse mendoni se ndodh fakti që këngëtarët shqiptarë janë të mirëpritur në Kosovë, ndërsa nuk ndodh e njëjta gjë me ata kosovarë në Shqipëri?
Nuk e di, ndoshta sepse është një gjendje e vështirë, anarkike, që mbijeton nga të dyja anët. Mirëpo, për shembull, mendoj se faktin e ka edhe pirateria dhe kjo ka një ndikim të madh. Por unë them se kjo ndodh edhe për faktin se TV e Kosovës i jep një rëndësi shumë të madhe programeve dhe emisioneve të Shqipërisë. Çdo festival i organizuar këtu është transmetuar edhe në Kosovë. Por këtu kjo nuk di që të ndodhë. Në kosovë, artistët shqiptarë i kanë dyert e hapura. Ndoshta gaboj kur them se kjo ndodh sepse në Shqipëri, nuk realizohen dhe aq koncerte të thjeshta, gjë që në Kosovë ndodhin shumë shpesh. Unë kam pasur ftesa edhe për koncerte të thjeshta në Shqipëri, megjithatë, fakt është që muzika kosovare në Shqipëri është në nivel më të ulët sesa ajo që muzika e Shqipërisë ka arritur në Kosovë.

Mendoni të realizoni një koncert recital në Shqipëri?
Deri në janar jemi të zënë me një turne koncertesh në Europë, të cilat janë programuar që më parë. Unë për momentin, nuk mund të premtoj asgjë, sepse nuk mund të organizojmë ndonjë gjë dhe nuk mendoj se këtë mund ta bëjë edhe kompania jonë diskografike. Ajo që mund të bëjmë, është të presim ndonjë ftesë nga organizatorët e këtushëm, nëse nuk mungojnë.

Mendoni se muzika juaj pëlqehet në Shqipëri?
Në bazë të e-maileve që më kanë ardhur nga fansa shqiptarë, mendoj se e kemi një publik. Por kam hall se nëse mungojmë gjatë këtu, nëpër aktivitetet e ndryshme, edhe këtë publik mund ta humbasim. Për këtë po mundohemi që këtë publik ta mbajmë. Një nga anëtarët e grupit tonë, këtë vit ishte me pushime në Sarandë dhe më ka treguar se nëpër diskoteka dëgjoheshin shpesh këngët tona. Domethënë, gjërat po ecin për mirë, dhe shpresojmë të vazhdojnë kështu.

Si i keni marrëdhëniet me kolegët tuaj këtu në Shqipëri?
Është hera e 12-të që vijmë në Shqipëri, ndoshta dhe e 13-ta. Me kolegët këtu kemi raporte shumë të mira. Kemi ardhur edhe në Festivale e aktivitete të tjera të organizuara në Shqipëri… Gjithmonë kemi pasur një ngrohtësi mes kolegëve. Thonë se kudo në botë mes artistëve ka shumë xhelozi , por këtu nuk kam parë asnjë fije xhelozie. Më kanë pritur gjithnjë me respekt shumë të madh, por unë them se edhe e kam kthyer respektin kur kanë ardhur në Kosovë. Kështu një marrëdhënie shumë të mirë kemi krijuar edhe me grupin “The Dreams”>. Kam dëgjuar se grupi është ndarë dhe kjo nuk është një gjë aspak e mirë. Megjithatë, ne kemi raporte shumë të mira me pjesën më të madhe të këngëtarëve që marrin pjesë nëpër festivale të ndryshme.

Juve si ia keni dalë mbanë të qëndroni bashkë edhe pas 6 vitesh jetë si grup?
Ne jemi lidhur shumë herët me njëri-tjetrin, por na mban lidhur dhe suksesi. Dy albumet tona të para kanë pasur shitje fantastike dhe radhiten në 10 këngët më të mira në Kosovë, përfshirë këtu edhe diasporën apo publikun shqiptar të Maqedonisë. Për këtu nuk kam informacione, por besoj se kur të dalë albumi i tretë do të jemi më të informuar. Pra suksesi na bën më të fortë. Asnjëherë nuk kemi pasur konflikt mes njëri-tjetrit.

Pse “etnoëngjëjt”?
Gencin dhe Milotin i lidh diçka shumë e fortë, nacionalizmi. Ne jemi nacionalistë dhe e duam etnikën tonë, atë pjesë autoktone që na përket neve. “ëngjëjt” është një propozim i producentit tonë. Megjithatë, nuk është se i kemi dhënë rëndësi dhe aq këtij emri.

Tematika e këngëve tuaja nga merret?
Është tematikë sociale, edukative, diskriminuese. ..(qesh). Akuzohemi shumë që me këngën që prezantuam edhe në Festivalin “Mikrofoni i Artë”, “Ti je Bitch” dhe me “E shtuna” kemi goditur vajzat që prostituohen etj. Janë ngritur kundër këtyre këngëve edhe shoqatat për të drejtat e grave, të cilat e kanë bllokuar momentalisht spotin. Kemi pasur shumë probleme.

Pse i sulmoni vajzat?
Unë e tregoj një ngjarje të vërtetë ashtu siç është. Unë nuk është se e përgjithësoj problemin e vajzave me moral të dyshimtë, kjo është ajo që besojnë shoqatat e grave. Epo ky nuk është faji im. Por ne jemi një grup i censuruar.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ju nuk keni mendim të mirë për vajzat shqiptare?
Po, normal, kush nuk e ka një mendim të mirë për vajzat shqiptare. Megjithatë, ne kemi namin e atyre që realizojmë këngë provokative, por cilësohemi edhe në Kosovë, si një grup shumë i guximshëm, që nuk i përfill limitet konservative.

Pse keni zgjedhur të jeni të guximshëm?
Sepse duhet të jesh i guximshëm për të pasur sukses. Dhe sepse brezat dhe rinia duhet të dinë nga duhet të drejtohen. Por mendoj se në art nuk duhet të ketë tabu që duhen ndaluar. Unë jam i bindur se çdo njeri ku përballet me një problem, e kritikon. Duhet të jesh banal që të japësh kuptimin e duhur të disa problemeve. Për ne artistët e hip-hopit, mllefi është i paevitueshëm.

Do të merrni pjesë nëpër festivalet e ardhshme këtu në Tiranë, si Kënga Magjike, Festivali i madh i dimrit?
Tek Kënga Magjike, nuk kemi ndonjë kontakt me Ardit Gjebrenë, por edhe jemi shumë të zënë. Kështu, besoj se do të marrim pjesë në Festivalet e viteve të ardhshme. Por unë do të kisha dashur që më përpara të kishin realizuar një koncert në Tiranë, një koncert në të cilin të thuhej që në fillim se është një koncert hip-hop, në mënyrë që të afrojmë të gjithë fansat e kësaj muzike dhe jo edhe njerëzit që preferojnë të dëgjojnë një muzikë tjetër.

 

 

 

(marre nga Spekter)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa