Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Djemtë e një legjende shqiptare

Nga Lindita Çela

"Elita 5" : Ja pse do të rikthehemi në Tiranë

Elita 5Cilët janë djemtë që aq pak të pranishëm në skenën shqiptare, kanë rrëmbyer zemrat e mijëra adhuruesve. Si lindi legjenda "Elita 5", dhe pse i fshihen adhuruesve të tyre sa herë që vijnë në Tiranë
Në një intervistë ekskluzive për revistën "Spektër", djemtë tetovarë, jo vetëm që zbulojnë enigmat e tyre, por edhe pak nga të vërtetat e jetës.

Sa herë që vijnë në Tiranë, mundimi për t'i kërkuar në kafene apo në rrugët kryesore të kryeqytetit të shkon dëm. Madje syu nuk t'i sheh as pas kuintave të skenës, veçse pak minuta para se ajo të pushtohet prej tyre. Gjithmonë ka ndodhur që vijnë dhe ikin duke lënë pas një sallë të tërë të "eksituar" nga muzika e tyre. Të duken misteriozë, ekstravagantë, por për këto nuk ke kohë të mendosh kur pushtohesh nga magjia e muzikës së tyre. Pa e vrarë mendjen se ku je, qoftë edhe në një sallë prestigjioze si ajo e Pallatit të Kongreseve, nuk mund të rrish pa kërcyer dhe kënduar bashkë me ta. Por ndodh që për dikë ky emocion të jetë aq i fortë sa që shpërthen në të qara dhe ulërima adhurimi. Janë prezantuar rrallë në skenën shqiptare, vetëm si të ftuar në dy apo tre aktivitete, por janë tmerrësisht të adhuruar.
Këtë e dinë mirë djemtë tetovarë, e ngaqë e dinë mirë, kujdesen që pjesëmarrja e tyre të jetë atëherë kur duhet dhe ku duhet. Ndoshta kjo, por edhe fakti që muzika e tyre nuk ka se si të mos rrisë adrenalinën në gjak, i ka bërë "Elita 5" një nga grupet muzikore më të preferuara në Shqipëri.
Atëherë, rreth 10 vjet më parë, kur doli në treg albumi i tyre i dytë, "Nuk jam Al Kapone", filloi të përflitej për një grup me një emër paksa të çuditshëm "Elita 5". Quhen kështu se që në hapat e tyre të parë, mesi i viteve 80-të, kanë tentuar muzikën profesionale. 5 se janë pesë anëtarë në grup. Më shumë se pjesëtarë të një bande, djemtë tetovarë duken se janë miq të mirë, lënë njëri-tjetrin të flasë në emër të tyre. Sigurisht që biseda përballohet nga Nexhati, të cilin e kanë pagëzuar me emrin Virus, dhe nga Arifi, pa zërin e mrekullueshëm të të cilit "Elita 5" nuk do të kishte jetë. Flasin ata ngase janë më të shkathëtit e ajo çfarë ata thonë gjen miratimin e Agronit, Nevipit dhe Besimit.
E ndërsa albumi "Al Kapone" i ka hapur dyert e suksesit djemve tetovarë, publiku shqiptar shijon për herë të parë muzikën e kënduar prej tyre në Festivalin Kombëtar të viti 1994. E ndërsa ai që është dëshmitar i koncerit të "Scorpions"-ave në Tiranë, e di mirë që djemtë patën një sukses të padiskutueshëm. Pse jo, mund të ketë ndodhur që një pjesë e publikut të jetë në sallë pikërisht pse aty janë "Elita 5". E ngaqë e dinë këtë, kohë më parë premtuan se do të jenë në Tiranë vetëm për ta, dhe jo pjesë e një spektakli që shton arsyet e pjesëmarrjes së adhuruesve të tyre. Kanë vendosur që më 1 tetor të jenë në Tiranë në një koncert madhëshor në sheshin Skënderbej. Virusi thotë se tingujt e këngës së tyre do të dëgjohen deri në Durrës. Dhe enkas për ardhuruesit e tyre do të këndojnë për herë të parë këngë nga albumi i tyre i ri që në fund të vitit del në treg.
Por cilët janë djemtë që aq pak të pranishëm në skenën shqiptare kanë rrëmbyer zemrat e mijëra adhuruesve. Si lindi legjenda "Elita 5", dhe pse i fshihen adhuruesve të tyre sa herë që vijnë në Tiranë
Në një intervistë ekskluzive për revistën "Spektër" djemtë tetovarë, jo vetëm që zbulojnë enigmat e tyre por pak nga të vërtetat e jetës.


Kush janë "Elita 5"

Arif Zyberi Këngëtar, i martuar me tre fëmijë
Besim Ibrahimi Baterist, i martuar me 2 fëmijë
Agron Idrizi Bas kitarë, i martuar
Nevip Mustafai Solo kitarë, i martuar tre fëmijë
Nexhat Mujovi (Virusi) Orkestrues, i martuar


Ju jeni të njohur në Shqipëri, por deri më tani keni kënaqur adhuruesit tuaj me pjesëmarrjen në ndonjë aktivitet si të ftuar. Përse nuk keni organizuar një koncert në Tiranë? (flet Arifi)

Po është e vërtetë që ne deri më tani nuk kemi zhvilluar një koncert këtu sepse edhe kushtet për realizimin e tij nuk kanë qenë. Tani që janë pjekur kushtet ne mendojmë se do të realizojmë atë premtim që i kemi dhënë adhuruesve tanë shumë herë kur kemi marrë pjesë në koncerte të ndryshme në Tiranë. Në fillim të tetorit, me një teknikë që ne mendojmë se është adekuate, do të realizojmë premtimin tonë dhënë fansave tanë. Shpresojmë, që data e këtij koncerti që do të zhvillohet në sheshin Skndërbej do të jetë 1 tetori dhe që sipas të gjitha gjasave, përkon me ditën e studentëve. Momentalisht qëndrojmë afër realitetit dhe jemi në bashkëbisedime me ekipin e realizimit të skenës dhe njëkohësisht në bashkëpunim të ngushtë me menaxherin tonë, Jeton Dautaj. Këtë koncert, i cili shpresojmë të jetë madhështor edhe prej teknikës së fonisë e tingujt e këngës sonë që mund të përcohen deri në Durrës, ia kushtojmë krejtësisht adhuruesve tanë dhe njëkohësisht do t'i urojmë mirëseardhjen studentëve në Tiranë.

Edhe pse jeni prezantuar përpara publikut vetëm tre herë me disa prej këngëve tuaja, jeni sërish të adhuruar, pse?

Arsyeja që ne jemi prezantuar shumë pak në Tiranë është se nuk dëshirojmë të bëhemi të bezdisshëm. Kështu jemi munduar t'i qëndrojmë larg banalitetit duke ofruar për adhuruesit kualitet. Mbase marketingu nuk ka qenë në nivelin e duhur por mjafton kënga e mirë . Konceri i para një viti, ku ne morëm pjesë si të ftuar të grupit "Scorpions", falë suksesit të arritur, na bëri që të mendojmë seriozisht për realizimin e një koncerti në Tiranë.


Kënga juaj është sa melankolike aq edhe shumë rebele. Kjo për t'iu përshtatur shijeve të adhuruesve të muzikës?

Kjo është muzika që ne si grup preferojmë e cila është e qëlluar edhe për publikun. Ai e ka pranuar shumë mirë dhe ne s'kemi pse preferojmë stil tjetër.
Ndërsa tekset shkruhen nga njerëz jashtë grupit, me përjashtim të ndonjë teksi, kurse kompozimet dhe orkestrimet realizohen nga Virusi.
Zakonisht ne fillimisht realizojmë kompozimin dhe sipas karakterit të tij i bashkangjisim edhe teksin. Tekset bëhen me kërkesat tona edhe nga njerëz që janë të lidhur shumë ngushtë me Elitën. Kryesisht me to është marrë një djalë që banon këtu, Ergon Berisha. Bashkëpunimi ynë me të ka krijuar imazhin e tekseve dhe muzikës sonë.

Sipas jush përse "Elita 5" janë të adhuruar? (flet Virusi)

Janë një sërë arsyesh që ndikojnë në këtë drejtim. Qëndrimi që ne mbajmë, stili i muzikës sonë, korrektësia me publikun janë disa nga detajet shumë të vogla që plotësojnë një figurë shumë të madhe . Jemi munduar të jemi sa më afër realitetit , të pasqyrojmë jetën e përditshme të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Për këtë shkak, tekset e këngës sonë janë punuar mbi temat e përditshme të jetës sonë . Mundohemi të jemi sa më realë, sa më vetvetja dhe sa më afër veshit të një muzikantit dhe të atij që konsumon muzikë të përditshme.


Sa herë që vini në Tiranë, rruga juaj është nga skena në hotel. Asnjëherë nuk jeni parë në ndonjë lokal, keni frikë nga fansat?(flet Arifi)

Është e vërtetë. Kur jemi këtu ne gjendemi o në skenë ose Hotel, si të thuash u "ikim" adhuruesve tanë. Kjo ndodh jo pse kemi frikë prej tyre, përkundrazi. Këtu kemi ardhur për shumë pak kohë, ndoshta dhe lodhja ka bërë të sajën. Për t'u treguar edhe të sinqertë kështu jemi edhe më të qetë.

Në Tiranë gjeni shpëtim tek Hoteli dhe skena, po në Prishtinë dhe qytete të tjera?

Edhe atje është e njëjta gjë. Pothuajse kështu veprojmë gjithmonë.

Kaq e fshehur është dhe jeta juaj?

Jo.(qeshin të tërë) Jeta jonë është krejt normale në atë qytet ku jemi. Ne jemi tetovarë, i tërë rrethi na njeh. Tërë kohën jemi aty, me njerëz që dinë çdo gjë për ne. Fakti që ne jemi aty nuk përbën asgjë interesante më për ta . Në Tetovë ku jetojmë nuk kemi asnjë problem, por në Tiranë, Prishtinë dhe qytete të tjera normalisht që ka ndryshime të mëdha.

Po adhurueset vajza shumë prej të cilave edhe mund t'ju "lakmojnë"?
Edhe ato janë një pjesë e punës sonë. Bëjnë pjesë në popullaritetin që kemi. Bëjmë si bëjmë por ia dalim. (qeshin të tërë duke thënë: "çka me ba")


Si lindi "Elita 5"? (flet Agroni)

Kemi qenë bashkë në një klasë. Dëshira e madhe për muzikë bëri që të krijohej fillimisht një grup shkolle . Më pas kërkuam një vokal më të mirë dhe me ne u bashkëngjit edhe Arifi. Në fund të viteve 80-të ishim të rinj, ëndrra për të kënduar bëri që të formonim një informacion prej pesë vetësh . Sigurisht që hapat e para ishin shumë të vështira sepse edhe kushtet nuk i kishim. Pas shumë peripecish nxorëm një album i cili për atë kohë qe shumë i mirë edhe pse nuk kishim mundësitë teknike që kemi tani. Pas këtij erdhi albumi i dytë i cili depërtoi edhe në Shqipëri, "Nuk jam Al Kapone". Pikërisht ky album na hapi dyert e suksesit dhe filluam që këtë punë ta marrim me seriozitet . Gjithsesi deri tani kemi realizuar 6 albume , dhe po punojmë për të realizuar një album të ri. Duhej të ishte përfunduar më parë por atmosfera politike që mbizotëron në Maqedoni për shkak të situatës politike, dashje pa dashje na ka penguar. Shpresojmë që zgjedhjet të kalojnë shumë mirë dhe ne të vazhdojmë punën tonë. Besojmë se në fund të ketij viti do të dalë në treg albumi ynë i ri. Shpresojmë në këtë kohë për faktin se shumica e këngëve janë të kompozuara, mbetet vetëm finalizimi tyre.

Pse quheni kështu?(flet Arifi)

Mendoj se fjala "Elita" e ka kuptimin e saj. Dhe numri 5 sepse jemi pesë anëtarë të këtij grupi. Besojmë se edhe sipas emrit kemi realizuar edhe këngën tonë.

Kjo do të thotë se që në fillimet tuaja keni synuar cilësinë?

Po. Ai ishte synimi ynë edhe sot është bërë realitet.

Ka ndodhur që të jeni grindur ndonjëherë?

Ka momente kur grindemi por asnjëherë kufirin nuk e kemi kaluar. Kjo vërtetohet për faktin se edhe sot e kësaj dite jemi bashkë. Ajo që mban të bashkuara "Elita 5", përveç shijës së njëjtë të muzikës, është bashkëpunimi që ekziston ndërmjet nesh. Tek ne çdo planifikim bëhet me marrëveshjen e të gjithë grupit. Kuptohemi mirë dhe shpresojmë se kjo frymë do vazhdojë në të ardhmen.

Kush vendos në grup?

Këtu i kemi punët pak të ndara. Kur flitet për muzikën dëgjojmë Virusin. Për organizimin e punës sonë , përfshi edhe tekset, vendosim të gjithë. Tek ne ndodh që ai që është më i mirë në lëmin e vet atë pyesim, pra kuptohemi shumë mirë.

Jeni bashkë vetëm për punë apo pini edhe kafenë?

Jemi të një qyteti. Jemi të një lagjeje. Lokalet kur dalim pothuajse janë të njëjta, kështu që gjatë gjithë ditës jemi bashkë. Ka raste që vetëm gjumi na ndan.

Në skenë jeni djem ekstravagantë. Kështu jeni edhe në jetën tuaj?

Jemi normalë. Respektojmë obligimet tona si çdo njeri, ndaj familjes, ndaj punës së përditshme. Siç dihet, jeta kërkon punë që duhet të kryhen, kështu mund të them se të gjithë bëjmë një jetë normale. Ndërsa muzikën tanimë e konceptojmë si profesion.

Ka momente që bashkëshortet tuaja bëhen xheloze?

Nuk dimë por deri më tani nuk e kanë treguar xhelozinë e tyre. Na kuptojnë në këtë profesion që kemi. Deri tani nuk kemi asnjë problem .

Folëm për albumin, koncertin e Tiranës, por cilët janë projektet e tjera?(flet Virusi)

Kërkesa ka plot por për çdo ftesë që na bëhet diskutojmë nëse është e arsyeshme pjesëmarrja jonë. Deri tani kështu kemi vendosur se ku duhet të këndojmë dhe ku jo. Pas koncertit që ne mendojmë ta realizojmë në Tiranë, do të zhvillojmë një turne në Europë . Në fakt do të vazhdojmë turneun tonë sepse para dy muajsh e filluam këtë tur ku jemi ndalur në Angli. Kështu që pas pushimeve do të rinisim këtë turne me Tiranën. Në koncert do të ftojmë edhe Bleona Qeretin. Nëse java e parë e këtij turneu do të jetë në Tiranë në të dytën do të jemi në Zvicër për të vazhduar në qytetet e rëndësishme të Europës.

U rikthyet në Tiranë për shkak të një ftese të bërë nga "Radio +2" Ndërkohë që do të riktheheni sërish. Pse e pranuat këtë ftesë? (flet Arifi)

Ne kishim dëgjuar për Festivalin "Mikrofoni i artë" .
Edhe pse në Shqipëri organizohen shumë aktivitete muzikore nuk patëm vendosur të merrnim pjesë duke përjashtuar atë të festivalit kombëtar në vitin 1994. Këtë radhë e pamë të arsyeshme të bëjmë një prezantim të shkurtër, pas një shkëputjeje 1- vjeçare, në një fetival që ia vlen. Sepse e dinim se çfarë festivali ishte, se çfarë karakteri kishte dhe kush merrte pjesë në të. Të gjitha këto bënë që ne të shihnim veten tonë si pjesë e këtij spektakli dhe për këtë erdhëm.


Virusi, emër i çuditshëm. Pse thërriteni kështu?

Ç'të them. Ndoshta pse jam një tip që ngjitem si virus dhe deri sa ia arrij nuk shqepem. Kjo është e tëra. Ndoshta këtë ves e kam që i vogël sepse asnjëherë nuk i shqitesha një pune pa e përfunduar. Edhe pse kjo falë njihet si sinonim negativ por tek unë njihet për qëllime të mira.


Jeni të suksesshëm. Çfarë kërkon tjetër "Elita 5"

Jo. Ka akoma për të bërë. Jemi në kërkim të përsosmërisë sepse suksesi asnjëherë nuk ka kufij. Planet tona janë më të mëdha. Ne kërkojmë nga vetja që të punojmë sa më mirë, mundohemi të nxjerrim maksimumin prej vetes. Çdo mangësi përpiqemi ta rikuperojmë në projektet tona të ardhshme. Arti nuk ka kufij. Gjithmonë jemi në kërkim të një kualiteti tepër të lartë.

Momentet që mërzisin "Elita 5" (flet Arifi)

Ne nuk kemi dështuar asnjëherë në ndonjë koncert. Kudo që kemi shkuar ka patur publik të mrekullueshem që na ka mirëpritur me tepër entuziazëm. S'kemi mbetur ndonjëherë të mërzitur. Në jetën e përditshme si çdo njeri dhe ne kemi momentet tona të mira dhe të këqia.


 

 

(marre nga Revista Spektër)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa