Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 


Jeta e një talenti, familja, ëndrrat, planet dhe rruga ku dëshiron të ecë. E saposhpallura si më e mira në “Ethet e së premtes mbrëma”, Anjeza Shahini, tregon emocionet

Anjeza Shahini rrëfehet pas triumfit

Admirina Peçi

Ende nuk është çliruar nga emocionet e natës së fundit të së premetes mbrëma, nga ethet e fundit shkaktuar nga gara e fundit, ku ishte e vetme përballë Klajdit, me shpresën që të shpallej ajo më e mira.


Klajdi Musabelli dhe Anjeza Shahini, finalistët e Etheve të së Premtes Mbrëma

Në atë natë të fundit gare, ka kënduar edhe duet me atë djalosh të cilin e kishte sa mik aq edhe “armik” në ato minuta pritjeje për vendimin e publikut, derisa ka parë që në krye të kësaj lufte ka dalë vërtet ajo. Brenda vetes e kishte pritur shumë atë rezultat, por nuk mund të ishte e qetë, sepse nuk kishte se si ta dinte se deri në fund publiku do të ishte me të. Emocionet e shumta dhe ethet e garës që e kishin kapluar keq, pothuaj çdo të premte, ishin më të forta në atë natë edhe pse ajo ishte koshiente tashmë për zërin potent dhe mundësitë për të triumfuar.Por ishte po aq koshiente edhe për faktin se publiku nuk të fal- “Po të kapi në gabim publiku, humbet menjëherë”,- thotë Anjeza, me zërin që ende i dridhet nga emocioni i suksesit të madh. Të thotë se ndihet e emocionuar, e gëzuar, e lumtur...si fituese e edicionit të parë tek “Ethet e së premtes mbrëma dhe Krasta Show”. Shton më pas se që nga mesnata e kaluar e deri në mesditën e ditës së re, ajo ka marrë shumë komplimente dhe shumë urime. “Më kanë marrë njerëz të shumtë, në telefon, në shtëpi. Ishin të njohur e të panjohur. Dhe jam ndier mirë si çdo të ndihej çdo njeri tjetër që do të gjendej në një pozitë të tillë”,- thotë Anjeza Shahini.
Në krye të garës
Kur e nisi garën nuk kishte menduar për fundin e saj. Fundi ishte larg atëherë dhe mendja i shkonte vetëm tek përshtypjet që mund të linte me zërin dhe të kënduarit e saj. Në të gjithë edicionet e këtij spektakli të cilin nuk resht duke e përmendur si një rrugë të shkëlqyer ku mund të ecin talentet e reja, i ka ndier nga afër ethet e konkurimit. “Kam qenë edhe e frikësuar edhe e emocinuar. Sepse nuk i dihet, unë mund ta pëlqej veten shumë, por publiku mund të reagojë ndryshe. Po bëre një gabim të heq në vend e nuk të voton”,- thotë ajo, ndërsa rrëfen se çuditërisht gjithçka mbaroi dhe ajo ka filluar të ndihet disi bosh, pas kësaj.
Një familje e dashuruar pas muzikës
Në shtëpinë e saj është kënduar gjithmonë. Ata të gjithë e duan shumë muzikën, pavarësisht se si ka shkuar filli i jetës së tyre. Vetë Anjeza, ndoshta ishte më e bindura për ta ndjekur pas këtë trill të bukur, që në kohën kur ishte fare e vogël e mahnitej nga këngëtaret që shihte në televizor. “Në shtëpinë tonë jemi rritur me muzikën”,- thotë Anjeza, duke shtuar se “unë këndoja gjithnjë në shtëpi. Imitoja këngëtare të njohura dhe rrija gjithë kohës me pultin e televizorit në dorë, duke kënduar”. Ajo rrëfen se mbi të gjithë të tjerët, mamaja e saj ka kënduar shpesh. Madje ajo ka marrë edhe mësime muzike. Vetë Anjeza nuk mund t’i riprodhojë të plota kujtimet e hershme të së jemës, në kohën kur ajo ishte një nga të rinjtë që zgjidheshin si talente në dekadat e majit. “Di që mamaja ime ka marrë disa mësime për muzikë, plus shkollës e punës që bënte në atë kohë”. Por veç mamasë së saj edhe dy motrat (më të mëdha se ajo) e kanë dashur dhe e duan muzikën. “Ato e duan muzikën siç e dua edhe unë, madje motra e mesme ka bërë tre vjet kanto, megjithëse tani ka ndërruar pak rrugë e ka nisur studimet për gjuhë- letërsi. Po ashtu edhe motra e saj e madhe dikur këndonte, por tashmë në rrugën e saj, siç thotë vetë Anjeza, janë futur plane e gjëra të tjera të rëndësishme.
Mbi Houstonin…
Whitney Houston është një nga këngëtaret e saj të preferuara. Por nuk është e vetmja. Po kaq adhuron edhe këngëtarë të tjerë të mëdhenj. Ajo thotë se ka kënduar shumë këngë të saj sepse ndihet mirë me këto lloj këngësh. Ato janë këngë tek të cilat gjen forcën e interpretimit, mundësinë për të shpalosur zërin e saj. E ndërsa mundohet të japë një përkufizim mbi elementët që i pëlqejnë më shumë tek këngëtarja, thotë se ajo ka një potencë të madhe vokali dhe teknikë. Ndërsa për komentin e një nate më parë që Krasta ka bërë me të, duke e krahasur me kënëgtaren e madhe Vaçe Zela, Anjeza thotë se “ndihem shumë krenare kur ndëgjoj krahasime të tilla. Por nuk besoj se e meritoj ende atë emër. Ndoshta ky vlerësim vjen duke u nisur nga këngët e saj të cilat unë i kam zgjedhur në netët e konkurrimit”
Më tej…
Tani është vetëm 16 vjeç dhe studion në shkollën e mesme “Myslim Keta” në Kombinat, në vitin e dytë. E megjithëse i pëlqejnë edhe lëndët e tjera në shkollë, është e bindur se nuk ndihet mirë në asnjë fushë tjetër përveç muzikës. “Asgjë nuk bëhet mirë po nuk u ndieve mirë brenda saj”,- thotë Anjeza, ndërsa nuk lë pa përmendur se i pëlqen edhe letërsia e shkrimtarët e preferuar janë Cvajg dhe Kadare. Ndërsa në planet e saj nuk mund të vërë theksin diku. Thotë se i kanë bërë oferta, ashtu sikurse edhe miqve të saj që morën pjesë në këtë konkurrim, por ende nuk e di se ç’do të vendosë. Po ashtu i pëlqen të marrë pjesë në festivalet e përvitshme, të punojë për ndonjë album, por më parë do të lërë pak kohë të kalojë sa të kalojnë ndiesitë e spektaklit që la pas.

Pas mbylljes së garës rrëfen finishin, të cilin nuk mundi ta arrinte. Ëndrrat e djaloshit që e ndalojnë dhjetëra e dhjetëra njërëz në rrugë, Spanja dhe koncertet që synon në të ardhmen

Klajdi Musabelliu jeta ime përtej “Etheve”


Ditët e tij kanë ndryshuar. Janë bërë më të plota dhe intensive, mbushur me telefonata, takime, dhe plot urime të përzemërta në rrugë. Nuk mund të çojë dot një bisedë deri në fund, prej njerëzve që vijnë dhe e ndërpresin, i thërrasin që nga rruga dhe i bëjnë shenja dashamirëse, si për ta falenderuar që arriti të ngjitej në atë skenë e të mbushë netët e të premteve, së bashku me miqtë e tij të rinj.
Klajdi Musabelliu, e ka lënë tashmë pas krahëve garën dhe “ethet” e së premtes. Gjendja e tij është ende pak e çuditshme, si atë natë në skenën e Tetarit të Operas dhe Baletit, kur një fije dëshpërimi i lëvizi shpejt nëpër fytyrë. Sepse nuk e kishte kapur dot majën, për pak, fare pak gjë. Pas asaj nate mbushur me ethe më shumë se kurrë, Klajdi mezi është kthyer në gjendjen e paqtë.
“Ambicja është gjithnjë më e madhe se talenti, por më bëhet qejfi që Anjeza Shahini e fitoi atë garë sepse mbi të gjitha, është shoqja ime dhe nëse ishte një konkurrente që ia vlente të fitonte, ajo ishte Anjeza”,- thotë Klajdi pas përfundimit të kësaj gare. Është mjaft i matur e flet pak, duke dashur t’i përmbledhë të gjitha rrëfimet e tij me pak fjalë. Nuk do të flasë për veten. I duket e tepërt të rrëfejë se ku ka arritur pas gjithë këtyre edicioneve të gjata të “Etheve të së premtes mbrëma”, çfarë ka fituar aty dhe sa i plotë ndihet tani. “Këto gjëra do të doja t’ua lija kritikëve. Nuk do të më pëlqente asnjëherë të komplimentoja veten, por megjithatë kam arritur një farë eksperience e cila shpresoj në të ardhmen do të m’i lehtësojë shumë gjërat”,- thotë Klajdi, duke vijuar se nga juria gjithmonë i kanë pëlqyer kritikat. “Çdo kritikë e tyre më duket se ka plotësuar diçka brenda meje, jo vetëm në të kënduar, por në të gjithë kompleksin tim”,- thotë ai duke vijuar se “Ethet e së premtes mbrëma”, ndoshta ishin gjëja më bukur që mund të ndodhte tani për tani në jetën e tij.Sigurisht ata që i ideuan dhe i organizuan e dinin sa të etur ishin njerëzit për këto “ethe”
Paskuintat dhe Klajdi
Atë natë ishte i shqetësuar, mbushur me ndiesi që i ngatërroheshin. Gjatë gjithë kohës mendonte se si do të shkonte kjo garë. Shqetësohej për veten dhe për Anjezën, për duetin që do të këndonin së bashku, për këngët e tjera që vinin më pas…E ndihmonte Anjezën në këngën e Frank Sinatrës, sepse dukej se atë natë Anjeza nuk ishte e intonuar si duhet me këtë këngë. Madje të dy së bashku kanë bërë edhe një provë të vockël në hollin e Tetarit të Operas dhe Baletit, pak momente para se të dilnin në skenë. E kur erdhi fundi nuk mundi të shpëtonte prej emocioneve. Shprehja e fytyrës së tij atë natë ndarjeje në skenën e Teatrit të Opers tregonte se u dëshpërua vetëm pak. Pak, për faktin se në finale ai nuk ishte me një rivale. Kurrë nuk ka pëlqyer t’i shohë miqtë e tij të “Etheve” si të tillë.
Për të kënduar në Spanjë
Në spektakël ka kënduar shumë këngë të të mëdhenjve të muzikës, kryesisht asaj të huaj, por edhe shqiptare. Sepse tek ata ka gjetur, veç të tjerash, edhe muzikën që i pëlqen atij më shumë. “Përgjithësisht më pëlqen muzika e lehtë, baladat madje”,- thotë Klajdi, duke vijuar të përmendë edhe emrat e këngëtarëve që ka më përzemër, e që i ndjek me shumë kujdes. Ata janë Marck Antony, Elvis Presli, Xhorxh Majkëll, etj nga këngëtarët e huaj, ndërsa në këngëtarët shqiptarë i pëlqen të veçoja Frederik Ndocin, pse jo dhe Sherif Merdanin, që për të është shumë i veçantë. Ai vetë thotë se është përpjekur të synojë sadopak nivelin e tyre. “Nuk di deri ku kam arritur, publiku besoj e ka kuptuar”,- thotë Klajdi, ndërsa sërish i duhet të ndërpresë bisedën për të përshëndetur një tjetër admiruese të tij, e cila kërkon me ngulm të përshëndetet me të. Ndërsa në një të ardhme të afërt do t’i pëlqente mjaft të këndonte në Spanjë. “Më pëlqen shumë ai ved, qoftë edhe muzika spanjolle. Natyrisht edhe Marck Anthony”,- thotë Klajdi, duke shtuar se ajo është muzika më me ndjenjë në botë, e një ditë ndoshta do të shkonte të jepte koncert. Por planet e të ardhmes dhe konkretizimi i ofertave të tanishme mbeten pak larg. Ndaj i pëlqen të merret me gjërat që janë më të prekshme. Po pret datën 10 prill, kur do të mbushë 20 vjeç, megjithëse e di se këtë përvjetor të veçantë do ta kalojë rrugës për në Kosovë, ku do të jenë për një turne. Po ashtu të merret pak më shumë me shkollën, e të synojë Akademinë e Arteve të Bukura, ku mendon të konkurojë për kanto.
Që nga kreu i dëshirës
E mban mend mirë përpjekjen e parë për t’u futur në botën e këngës. Kjo ka ndodhur para shtatë vitesh, kur ishte hera e parë që zhvillohej një festival rinor për gjimnazet e Tiranës. Aty mori pjesë me një duet “Yjet e shpresës”, e pas kësaj sërish synoi në këtë spektakël, derisa kohë më vonë mendoi se rruga e vërtetë duhej çarë në skenat e mëdha si në festivalin e dhjetorit p.sh. Por në këtë festival ku ka marrë pjesë si shoqërues i këngëtares Juliana Pasha me këngën “Dëgjoj zërat e largët”, nuk mundi të lërë gjurmë shumë të thella. Ato do t’i linte pikërisht tek “Ethet”, ku ka njohur edhe suksesin që nuk e kishte ëndërruar asnjëherë më parë. Është një sukses që në një skenë festivali do t’i duheshin vite për ta prekur. Pse jo dhe shumë punë menaxhuese dhe përpjekje.
E ndërsa ende ecën i shoqëruar nga ai shqetësimi i zakonshëm që i reflekton në tëmbtha, anash tij dëgjon të tjerë njerëz që i flasin. “Na je bërë si i shtëpisë more Klajdi, t’u bëftë dita njëmijë”,- thotë një grua, që e sheh gjithë admirim. Ndërsa ai i përkëdhelur në sedër i shtrin dorën dhe e takon. E di se kjo është diçka që do t’i ndodhë shpesh këto ditë, shumë shpesh.

 


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa