Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Dëshmitë nga Arkiva e Shtetit për veprat e Ismail Kadaresë. Drejtori i Arkivave bën gati një libër me karakter dokumentar dhe studime krahasuese, pas rrëmimit të qindra faqeve relacionesh në arkivin që drejton

“Dosja K”, Kadareja zyrtarisht

Belina Budini
TIRANË – Gjithnjë kishte besuar se Kadare e kishte ekzagjeruar pakëz me çka i kanosej veprave të tij në diktaturë. Nuk është i vetmi që ka menduar kështu. Mjaft të kujtosh atmosferën e debatit që mbështolli poemthin e tij të humbur “Pashallarët e Kuq” (Në mesditë Byroja Politike u mblodh) rreth një vit më parë. Edhe atëherë e vërteta doli nga arkivat. Shaban Sinani, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, ka vendosur të nxjerrë këtë radhë një të vërtetë më të madhe. Historinë më autentike të veprës së Kadaresë. Pikërisht nga arkiva e shtetit. Aty ku ka rrëmuar disa qindra faqe, të gjitha për Kadarenë dhe veprën e tij. Lënda e grumbulluar dhe e sintetizuar tanimë prej Sinanit do të botohet në formën e një libri me karakter dokumentar dhe studime krahasuese. Relacionet e zyrave, të Komitetit Qendror, pushtetarëve të lartë të kohës, artistëve e shkrimtarëve deri tek relacionet dhe letrat kritike të qytetarëve “anonimë” të Republikës Popullore të Shqipërisë... kjo do të jetë “Dosja Kadare”. Pse vendosi të shkruajë një libër si ky dhe kur do të bëhen publike faktet e qëmtuara në lumin dokumentar të arkivës rreth veprave të Kadaresë dhe shkrimtarit personalisht? Marrëdhënia e Ismail Kadaresë me këto dokumente. Vigjilenca vullnetare e dhjetëra artistëve e shkrimtarëve të kohës për të zhdukur, hequr nga qarkullimi apo dënuar si armiqësore, ekzistencialiste dhe deheroizuese çdo vepër të shkrimtarit. Edhe atë për të cilën ai vetë sot është më pak krenar. Që nga “Argjiroja”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, madje edhe “Dasma” e deri tek “Koncert në fund të dimrit”, cilat janë relacionet zyrtare për to? Shaban Sinani tregon për “Shekullin” sfondin historik dhe dëshmitë autentike për paskuintën e botimeve të Kadaresë, dëshmi që do t’i sjellë të plota në librin “Dosja K”.
Sinani: E vërteta e arkivës
Një nga arsyet për të cilat Shaban Sinani thotë se këto të vërteta duhen botuar është për të mos lënë hapësira të zbrazëta që të harxhohen përsëri energji në boshllëk, siç ndodhi me poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, për të cilën u shkruan edhe libra para se të bëhej ndonjë kërkim arkivistik. “Jam habitur”, - thotë Sinani,- kur kam konstatuar se kanë qenë nëpunësit e zellshëm ata që kanë treguar më tepër vigjilencë ideologjike ndërsa pushtetarët janë treguar “tolerantë” , paradoksalisht. “Për shembull në një rast Liri Belishova mbante qëndrim shumë korrekt ndaj një relacioni të paraqitur nga një X individ, të cilit Belishova i këshillonte t’i thoshte edhe në shtyp ato që shkruante aty po qe se ishte i bindur se ishin të vërteta”, - thotë Sinani. Bëhet fjalë për një relacion që rekomandonte të hiqej nga qarkullimi “Princesha Argjiro”. “Mendoj se nxjerrja në pah e këtyre dokumenteve ndihmon për të treguar historinë e veprës së Kadaresë, raportin e shkrimtarit me pushtetin në diktaturë, është interesante të bëhen krahasime ndërmjet zellit ideologjik të nëpunësit dhe mungesës së këtij zelli tek udhëheqësi vetë në ndonjë rast si tek “Dimri i vetmisë së madhe”. Është interesante në shumë pikëpamje të botohen këto dokumente autentike si edhe të mësohet se njerëzit e letrave s’e kanë mbrojtur aspak Kadarenë me ndonjë përjashtim të rrallë si për shembull Dritëro Agolli”, - shprehet Sinani. E megjithatë ai thotë se gjithë analizat për veprat e shkrimtarit kanë qenë të sakta veçse janë përdorur kundër tij, të cilësuara si ekzistencialiste, surrealiste e deheroizuese.
Sinani: Kadareja sipas zyrave
Përkundër asaj që priste, drejtorin e Arkivave, gjatë hulumtimit për “Dosjen K”, e befasonte gjithnjë e më tepër galeria e emrave: nëpunës, njerëz të artit dhe kulturës, drejtues organizatash (Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”)... që, shpesh vullnetarisht, bënin vigjilencë ndaj letërsisë së mirëfilltë, jo për ta përkrahur atë, por për ta demaskuar (nëse përdorim një term të asaj kohe). Bëhet fjalë për vigjilencën ideologjike me anë letrash, relacionesh të fshehta, megjithatë të gjitha zyrtare. “Kadareja as që e ka idenë se ç’është shkruar për të dhe veprat e tij. Janë, me siguri, shumë më tepër nga ç’di dhe ç’ka treguar vetë ai”, - shprehet Sinani. A ka treguar interes Kadareja ndaj këtyre dokumenteve? “Jo”, - thotë drejtori i Arkivave, i cili megjithatë nuk ka qëllim ta botojë tani shpejt librin e tij të dytë për Kadarenë (ka shkruar një libër për Kadarenë në 1997, ndërsa thotë se për figurën e shkrimtarit është interesuar më herët). I duhet të presë derisa të përmbushen të 25 vjetët e distancës kohore që kërkohet për të përdorur të dhëna nga arkiva. Bëhet fjalë për dokumentet rreth librit të fundit, “Koncert në fund të Dimrit”, të dhëna që nuk mund t’i botojë pa kaluar edhe dy-tre vjet. Por lënda e librit është e gjitha gati tashmë. Hulumtimet kanë mbaruar.
Relacionet e asaj kohe
Kështu për shembull në një relacion të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që mban datën 10 tetor 1972 - vetëm dy muaj para mbajtjes së Festivalit të 11-të, kjo ministri e informonte imtësisht udhëheqjen e lartë jo vetëm për prirjet e krijuesve për të kërkuar rrugë të tjera, por, madje, edhe për inatet, grupimet, pasionet, sharjet dhe thashethemet kundër njëri-tjetrit. “Në fletën e dytë të relacionit thuhet shprehimisht, me gojën e një shkrimtari të njohur: Ikën të vjetrit, tashti do të përleshemi me njëri-tjetrin ne të rinjtë, se me ata /të vjetrit/ i qëruam hesapet. Ismail Kadaresë duhet t’i tregojmë vendin”, - saktëson drejtori i Arkivave, Sinani, rreth asaj çka është shkruar në këto relacione. “Të dhënat flasin se për I. Kadarenë dhe krijimtarinë e tij mjaft shkrimtarë nuk kanë simpati, madje flasin ashpër”, - shkruhet në një relacion tjetër. “Një kritik është shprehur: Unë për Ismail Kadarenë nuk shkruaj se me të jam zënë. Në krahun e tij modernist, ka figura shokësh që unë nuk u kam besim të nesërmen. Shkrimtari X.Y. (inicialet e vërteta janë hequr me kërkesë të drejtorit të Arkivave) i ka thënë një burimit tonë se në kritikën tënde për Ismailin (që nuk u botua) ti ke vënë shumë pak gjëra, Ismaili ka nga këto një thes me të meta”, - kujton Sinani relacionet e asaj kohe. Nga ky fragment fare i shkurtër i një relacioni tejet të detajuar që gjendet në ish-Arkivin Qendror të partisë së punës, fondi 14, dosja 354, vërehet se udhëheqja i kishte sytë katër dhe vëzhgonte me kujdesin më të madh sa në njërin krah, ashtu dhe në tjetrin. Ajo ishte e interesuar për të ditur deri detaje se si shiheshin “konservatorët” me sytë e “liberalëve”; dhe anasjelltas. Në të dyja rastet figura e I. Kadaresë rezulton me kryq mbi supe.

Shkurt
Ç’thuhet në Arkivën e Shtetit për Kadarenë?

-Për botimet në gjuhë të huaj të romaneve të I. Kadaresë ka mendime që lënë të kuptohet se, përderisa pëlqehen dhe botohen në vendet kapitaliste, ato kanë gabime. Kështu, shkrimtari X.Y., kur është përkthyer romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, është shprehur se borgjezia e përktheu dhe e botoi këtë vepër. “Kurse Y. X. është shprehur: Gabim, i çmojnë veprat tona nga Franca, ato duhen çmuar nga
jehona në vatrat revolucionare të botës. Kot i bien në qafë konservatorizimit. Asnjë vepër konservatore nuk është ndaluar, si ato, modernistet”- shkruhet në relacion.

-Një shkrimtar para pak ditësh, në një ambient gazetarësh të revistës “Hosteni”, pati thënë se drama e I. Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka falimentuar qysh në shfaqjen e premierës.

-Por aty-këtu flitet se edhe Ismail Kadare u është kundërvënë të tjerëve. Një burim thotë se Ismaili, duke folur për shkrimtarët e vjetër, ka thënë se ata janë të pafuqishëm në krijimtarinë e tyre, ashtu siç
janë edhe në jetën personale. Një shkrimtar i ri i ka thënë një burimi se Ismaili, duke folur për romanin “X” ka thënë se të gjithë kanë mbetur në faqen 27. Një burim tjetër tregon se, kur është diskutuar në Shkodër romani “Dasma”, Ismaili, në përgjigje të pyetjes se si shkove andej, është përgjigjur se u dëgjuan disa mushkonja të vogla dhe asgjë me rëndësi.


 



Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa