Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
"Trafikut" në WEB i mungon adresa me .AL. E kanë vetëm Parlamenti, qeveria, Presidenca, Telekomi...

www. pse nuk mund ta kem. al

www.name.al, adresa e pamundur, që mbahet peng në Itali. Nuk gjenden fonde për ta sjellë


Belina Budini
TIRANË - Nuk mjafton të dëshirosh një faqe në WEB të tipit www.myname.al, nuk mjafton as të paguash për ta patur. Madje, nuk mjafton as ta kërkosh aty ku jepet, në ERT-në e Republikës së Shqipërisë. Privilegjin e adresës me .AL, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve ia ka njohur deri tani tre institucioneve të kupolës shtetërore, Parlamentit, qeverisë dhe Presidencës. Adresë të shkurtër, me .AL, kanë edhe Telekomi, AMC e Vodafone, që sipas kreut të ERT-së, janë operatorë "backbone" ose potencialisht të tillë. Veç kësaj "elite" institucionesh, një mori individësh, kompanish e institucionesh shtetërore, arsimore, private, joqeveritare, ushtarake a rajonale qofshin, nuk çelin dot një faqe në WEB me .AL. Në vend të saj në Entin Rregullator të Telekomunikacioneve të ofrojnë përkundrejt një pagese 100$ vetëm regjistrimin e domain-ëve të tipit www.myname.com.al, www.myname.gov.al, www.myname.edu.al, www.myname.org.al, www.myname.mil.al, www.myname.net.al.
.AL
Në listën e domain-ëve të gjithë shteteve të botës, ajo e caktuar për Shqipërinë është .AL. Kjo bashkësi e madhe përfshin edhe adresat e tjera me com.al, org.al, gov.al, mil.al, edu.al dhe net.al. Të gjitha janë për t'u përdorur nga shqiptarët ose të huajt që kanë përfaqësinë e tyre në Shqipëri. "Sot në botë edhe Zimbabve po provon të votojë me "Secure Servers"", - konstaton Vojo Spahiu, kreu i ERT-së shqiptare. Fakt është që adresa .AL ka mbetur peng në Piza të Italisë. Sado e çuditshme të duket kjo, Spahiu shpjegon se ende nuk janë siguruar fondet për të sjellë serverin që garanton mbajtjen e .AL-it nga Piza e Italisë ku gjendet, në Tiranë. Arsyet? "Serveri në fjalë po mbahet në mënyrë miqësore, aty ku është vendosur që në fillim dhe ne ende nuk kemi grumbulluar fondet nga shteti shqiptar për ta sjellë atë në Shqipëri. Ndërkohë jemi duke i grumbulluar ato",- shprehet Vojo Spahiu. Ezauruese, bindëse ose jo, ky është shpjegimi që do të marrë cilido që kërkon një përgjigje në ERT-në e Republikës së Shqipërisë për pyetjen : Pse nuk mund ta kem .al? Por vetë Vojo Spahiu beson se kjo nuk është një çështje shqetësuese. "Nëse nuk mund të kesh .al, com.al dhe një sërë recordesh të tjera mund t'i kesh", - shpjegon ai. "Në botë ka tepër eksperienca që aplikojnë me dashje modelin që ne kemi zgjedhur, atë të paraprirë nga com, org a net. Por, po të ishte kollaj që të bëheshin recorde direkt
nën .AL, ne do i kishim bërë patjetër sis Franca, Italia, Greqia, etj", - shpjegon më tej ai.
Pse?
Ndërkohë që domain-i .AL nuk mbahet fizikisht në Shqipëri për disa arsye ekonomike dhe mbahet miqësisht në Piza Itali, në serverat e një institucioni shkencor, Spahiu thotë se "që të bëhet një server i ri doman-i duhet që në atë server primar, ku .AL mbahet, dikush të shtojë edhe një "record" që do të thotë të shtypë disa 9 jo fare pak) katarkete në tastierë. Këtë gjë, ne që merremi me domain-in .AL, kemi menduar se nuk mund ta kërkojmë disa herë në ditë nga ai profesori kalorës që ka siguruar mbajtjen e .AL në Piza. Për të zgjidhur problemin, ne i kemi kërkuar prej kohësh atij krijimin e rekordeve com.al, gov.al, org.al etj. Këto rekorde ne i mbajmë këtu dhe poshtë tyre bëjmë regjistrime të reja. Ndonjëherë që ikin dritat, kjo gjë, fatkeqësisht ngjet jo rrallë në Tiranë, konektiviteti në internet prishet, madje edhe disa domain-e pësojnë avari. Kështu edhe tekat e energjisë elektrike do të ishin një pengesë për sjelljen e serverit nga Italia", - thotë Spahiu. "Megjithatë, ne kemi bërë edhe ndonjë lutje, si për shembull, për presidentin, qeverinë e Parlamentin si edhe për operatorët "backbone" (ose potenacialisht backbone) të Shqipërisë si Telekomi, AMC e Vodafone. Aktualisht jemi duke punuar për të plotësuar fondet që të transferojmë .al në Shqipëri", - i jep fund shpjegimit të vet, Spahiu.

Si të krijosh një faqe?
Po si mund të krijosh një faqe personale në internet? "Në radhë të parë duhet të kesh një vend ku të ankorohesh në rrjet, dhe ky shpesh duhet blerë. Në Shqipëri disa nga kompanitë kryesore, të cilat mund të të sigurojnë këtë vend përkundrejt një pagese, janë ABISNET-i, ADANET-i, DRIARM, INTERALB-i, ICC-ja dhe Albania Online", - thonë specialistët. Por ka edhe mënyra të tjera për ta siguruar atë vend. Mjafton të vendosësh në faqen tënde reklamat e detyruara prej kompanive që të sigurojnë vendin në internet, që hapësira e kërkuar të të jepet. Vetëm se duhet pritur ca, derisa faqja të regjistrohet dhe të bëhet e dukshme, në këtë mori faqesh që ka përmbytur internetin. Cili është stafi që duhet për krijimin e një faqeje? Specialistët thonë se do të ishin të mjaftueshme një dizajner dhe inxhinieri.Mësohet se ABISNET-i ka krijuar më shumë se 15 "adresa" në internet, të kërkuara këto nga shoqata e organizata të ndryshme, për të ekspozuar në web informacion rreth tyre. Por në kryeqytet nuk janë vetëm kompanitë e internetit që krijojnë faqe. Edhe studiot e shumta grafike merren me krijimin e tyre. Modelet e faqeve janë tanimë të gatshme. Që nga site-et më të mira të VIP-ave tek ato të mediave të huaja e organizatave të ndryshme, deri tek faqet e kosovarëve, të cilët kanë përfituar më parë se shqiptarët nga përparësitë e internetit. "Kosova Press", "Koha Ditore", "KCC News", "Dardania Lajme", "Radio 21", "Prishtina", "Zëri i Kosovës", janë disa nga mediat që kanë krijuar vende në internet, ku prej kohësh jepet informacion për Kosovën.


Hollësi
.com.al - për ISP, kompanitë, organizmat tregtare, persona juridikë e fizikë
.gov.al - për Institucionet Shtetërore
.edu.al - për Institucionet Arsimore e Kërkimore Shkencore
.org.al - për Organizatat joqeveritare
.mil.al - për Institucionet Ushtarake
.net.al - për ISP Rajonale e më të mëdha dhe për rrjete të organizmave që përfshijnë disa qytete apo të gjithë vendin.

Historiku i internetit në Shqipëri
Më 1885, me ndihmën e UNDP-së(Pnudit) krijohet i pari "aksess point" në Shqipëri, i cili u përdor kryesisht nga institucionet kërkimore dhe që ka funksionuar deri në 1993-in
Më 1995 riaktivizohet rrjeti akademik dhe i R&D si FreeNet i UNDP-së, i cili mundëson hyrjen e E-MAIL NGO-ve dhe disa institucioneve shtetërore e akademike. Zhvillime të mëtejshme ishin të pamundura për shkak të legjislacionit të kohës.
Më 1997 hapet nga SOROS "aksess point" i dytë i internetit, që mundëson lidhje të plotë me internet për disa institucione.
Deri më 1998 kishin shërbim interneti qeveria, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, disa fakultete dhe një numër OJQ-së, ndërsa vazhdonte puna për lidhjen e fakulteteve të tjera dhe Bibliotekës Kombëtare. Disa institucione kanë lidhje tjetër.
Shërbehen thuajse të gjithë institucionet shtetërore, pjesa më e madhe e kompanive, rreth 4500 abonentë rezidencialë.
Në shkurt 1998 hyn në fuqi ligji " Për Telekomunikacionet në Republikën e Shqipërisë".
Në gusht 1998 krijohet ERT si institucion i pavarur dhe procedura e parë qe ajo e liçensimit të ISP-ve.
Në tetor 1998 ERT autorizon të parën ISP komerciale në Shqipëri.
1998-1999 ERT-ja autorizon 11 ISP komerciale dhe 2 jokomerciale.
Më 2000 vijon përpunimi i aplikimit për një ISP kombëtare.
Në Shqipëri ka këta operatorë të internetit:, Abissnet-i, Adaneti, Albania Online, Adn, At Bone, At Isp, Icc, San, Oic Soros, UNDP...Përveçse e krijuar vetëm në Tiranë, ISP-të janë grumbulluar kryesisht në qendër, zona e Bllokut. Penetrimi në provincë është një synim për ERT-në
Materiali, ERT

 

Për të gjithë shqiptarët që janë jashtë, nëse dëshironi të regjistroni një domain të tipit .com.al , drejtohuni tek www.driarm.com dhe kryeni nje Order


 

 

(marre nga Gazeta Shekull)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa