Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Katër vjet më parë, kishin vendosur të mos prezantoheshin më nëpër festivale pasi ishin zhgënjyer nga loja e interesave. Vendosën të riktheheshin me "Mikrofoni i Artë" sepse kuptuan se brenda tij nuk ishin emrat që kanë abuzuar me vlerat e artistëve.

Rikthimi i suksesshëm i "Djemve të detit"

Zefina Hasani
Kishin vendosur të mos shfaqeshin më në skenat e festivaleve të muzikës…që nga koha kur pësuan zhgënjimin e tyre më të madh. Kaluan plot katër vjet që nga ajo ditë. Në gjithë këtë harrim ishin mbërthyer nga frika se publiku i kishte harruar. Gjithsesi nuk guxonin t'i ngjiteshin sërish skenave të festivaleve, të pësonin sërish zhgënjimet e dikurshme, edhe pse ndiheshin borxhli ndaj publikut që i kërkonte herë pas here. Me këtë mendje ishin edhe kur dikush u foli për një festival radiofonik që quhej "Mikrofoni i Artë". Nuk kishin dashur të ishin brenda tij, në fillim. Pastaj kur panë se në këtë festival nuk ishin përfshirë emrat e atyre që kanë luajtur në çdo kohë me muzikën, me vlerat e artistëve (për interesat e tyre)…kur panë se ky ishte një festival i pastër, që organizohej nga njerëz që nuk kishin pse të luanin me muzikën…menduan se nuk do të kishte më vend për zhgënjime si ato të një herë e një kohe. Dhe vendosën që të riktheheshin edhe një herë në festival, pas katër viteve të "arratisjes".
* * *
Dolën të fituar nga ky rikthim. Morën "Mikrofonin e Artë" të festivalit të parë të muzikës moderne shqiptare. Por nuk ishte thjesht ky çmim që i bëri të ndiheshin të lumtur-"Unë e pohova edhe në skenë, në çastin kur mora në duar çmimin. "Djemtë e detit" u gëzuan më së shumti sepse më në fund u ndiem të vlerësuar dhe të pacënuar nga loja e interesave që bëhen në kësi rastesh. U respektua vota e lirë e teleshikuesve. Kështu që morëm atë që kishim kohë që e pretendonim",-pohon solisti i grupit Genti Demaliaj. Tregon se në shumë herë të tjera nuk ka ndodhur kjo mrekulli. Historia e zhgënjime nga kjo "lojë e ndyrë" interesash, djemve u ka nisur shumë kohë më parë. Ishte viti 1991 kur ata u shfaqën për herë të parë në festivalin që prezantoi së pari grupet e reja që ishin krijuar në ato kohë. "Djemtë e detit" u vlerësuan me çmimin e dytë për këngën "Ëndrrat që për ty i thura". Por kishin shpresuar për më shumë, bazuar mbi vlerësimet që u kishin dhënë publiku mbarë. Më pas, suksesi i tyre (gjithnjë përsa i përket publikut) u shtua me "Lamtumirë", me baladën "Jakup Ferri" (me këtë të fundit morën çmimin për përpunimin e këngës popullore në fest 1995). Pas kësaj, djemtë lezhianë do të pësonin goditjen më të madhe-"Ishte festivali i vitit 1997 kur problemet u shfaqën hapur. U ndiem të lënë pas dore sepse ishim një grup modest që nuk kishim para të jepnim, për të fituar një çmim. Zhgënjimi ishte shumë i madh kur kuptuam që publiku kishte votuar për ne, por juria nuk na e dha atë çmim",-tregon i qetë Genti. Por kjo ishte vetëm goditja e parë. Një vit më pas, djemtë do të gjendeshin sërish në një situatë jo të favorshme për ta-"U prezantuam në festivalin e vitit 1998 me këngën "Kohë pa ty" të cilën ne si grup e vlerësojmë si më të mirën që kemi bërë. Por çuditërisht ajo nuk mori asnjë vend nderi në këtë festival ndërsa këto vende i fituan ca këngë që ishin shumë më poshtë." Ky ishte zhgënjimi tjetër që i shtyu të merrnim vendimin e prerë, për të mos u shfaqur më në festivale.
* * *
Nuk ishte një zemërim që shkaktohej nga mos marrja e një çmimi. Jo. Djemtë nuk hynin në festivale vetëm me qëllimin për të fituar. Veçse kur shikonim se këngët e tyre priteshin shumë mirë nga publiku dhe nuk vlerësoheshin nga juritë, atëherë acaroheshin dhe kuptonin se nuk e përballonin dot këtë situatë. Ndërsa tani, Gentit i duket disi e largët ajo kohë edhe pse shijen e keqe të zhgënjimit nuk e ka zhdukur dot prej vetes, as ai e as djemtë e tjerë-"Por të paktën tani që u rikthyem pas katër vitesh nuk e pësuam më. Publiku e ktheu të drejtën me ne dhe kjo ndodhi vetëm në festivalin e "Radio+2"-shit",-thotë i entuziazmuar. Më duket se me këtë rishfaqje të suksesshme kemi larë deri diku dhe borxhin që kemi ndaj këtij publiku". Shpjegon se në fakt, kur kishte dëgjuar këngët e tjera konkurrente nuk kishte besuar shumë në marrjen e një çmimi. Ndaj dhe kishte vendosur të luftonte për të qenë më i miri, pa e ndier frikën e hiles që mund të bëhej pas kuintave. Dhe këtë herë, nuk u zhgënjye, as ai e as djemtë e tjerë të grupit.

Mes dy kohëve
Djemtë u mblodhën rastësisht në grupin e tyre. Ishte viti 1989 kur bënin prova në Pallatin e Kulturës në Lezhë, ende të paformuar si grup, pa pasur ende një emër. Më pas puna e orëve të zgjatura në ato studio të vjetra u shkëput nga eksodi i 1990. Djemtë ikën drejt Italisë. Në këtë kohë ai që sot është kompozitori i grupit, u ngjizi djemve emrin "Djemtë e detit". Nuk kaloi shumë kohë dhe ata do të ktheheshin për ta nisur nga e para punën e lënë në mes. Krijuan së pari këngën "Ëndrrat që për ty i thura" e me të u shfaqën në sytë e publikut të gjerë. Vitet ikën dhe ata nuk u ndanë më. Ndërsa tani diçka ka ndryshuar. Tre prej djemve janë në Zvicër, ndërsa kompozitori është në Australi. Genti ka mbetur këtu në Tiranë me pjesën tjetër të grupit për ta vijuar më tej krijimtarinë e tyre. Së fundmi Genti ka nisur një bashkëpunim me kompozitorin e grupit "Elita 5", i cili njihet me emrin "Virusi". "Do të realizojmë me të një album të ri brenda të cilit do ketë jo vetëm kompozime të tij por dhe të kompozitorëve të tjerë sepse kështu i krijojmë mundësi vetes të kemi materiale për të përzgjedhur, për të qenë sa më të pranueshëm për adhuruesit tanë",-shpjegon Genti. E ndërsa flet vetëm për muzikën, zbulon më pas një tjetër detaj. Sapo ka mbaruar Akademinë e Arteve për dramë. Jo pa qëllim zgjodhi këtë degë, sepse prej saj ka mësuar të interpretojë ashtu si duhet këngët e tij. "Nuk mund të vazhdoja për kanto sepse nuk e gjeja veten aty. Unë jam për muzikën e lehtë. Për këtë nuk ka degë në akademinë tonë ndaj bëra zgjedhjen tjetër"-Nuk ka veçse pak ditë që ka interpretuar rolin e tij të parë, në filmin e Mevlan Shanajt "Lule të kuqe lule të bardha".


 

 

(marre nga Gazeta Shekull)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa