Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Në librin “Legjenda dhe portrete” nga Stefan Cvajg edhe një portret lamtumire për aktorin me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu

Cvajgu, një portret Aleksandër Moisiut

Belina Budini
“Shekulli ynë ishte në të hyrë, kur në skenën gjermane për herë të parë u dëgjua zëri i aktorit të panjohur. Ishim në pritje të diçkaje të madhe, sepse ai zë nuk ishte si zërat e tjerë, në të kumbonin nota të reja, magjepsëse, origjinale, të tilla që mbeteshin të paharruara në kujtesë, po t’i dëgjoje qoftë edhe një herë të vetme...”. Është fjala për Aleksandër Moisiun, aktorin e skenave të mëdha të teatrit të Vjenës e Berlinit në fillim të viteve ‘900. Janë fjalët e Stefan Cvajg për aktorin që interpretoi Hamletin, Romeon, Fedian, role nga Pirandelo, Tolstoi, Shekspiri... Fjalë lamtumire, shkruar nga Cvajg fill pasi aktori Moisiu u nda nga jeta, në 22 mars të 1935 dhe u varros në varrezat “Morcote” duke vështruar liqenin Lugano në Zvicër. Stefan Cvajg, gjahtar i personazheve më interesante të kohës së vet dhe kohëve para tij, skalitës i shquar i portreteve njerëzore nga më të ndërlikuarit, ka përvijuar edhe një portret lamtumire të aktorit, Aleksandër Moisiu. Megjithëse e ka njohur atë gabimisht për italian, Cvajg duket se e njeh Moisiun më së shumti si aktor. “Zëri i tij ishte më harmonik, më depërtues, më melodioz, më i butë se zërat gjermanë, në të spikaste një melodiozitet i ngrohtë, plot diell, të dukej sikur ishte juga ajo që e kishte sjellë në flatrat e saj, duke kapërcyer male”. Superlativat për të nuk mungojnë. Kjo lamtumirë e shkrimtarit të famshëm Stefan Cvajg është pjesë e librit “Legjenda dhe portrete”, i cili sapo është botuar në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Uegen”, përkthyer nga Jorgji Doksani. Cvajg shkruan se shikimi filozofik dhe thellësisht njerëzor i problemeve njerëzore e interesonte shumë aktorin. “Kush ka patur fatin e lumtur ta njihte nga afër, e di se gjëja që bënte më me pasion Aleksandër Moisiu ishin diskutimet dhe debatet në tema filozofiko-morale. Debatet e nxehta në këto tema më janë të paharruara. Ku jeni o net të gjata, kur rrinim tok me të, me mikun tim të shpirtit, me më të shtrenjtin e miqve, dhe ai merrte zjarr, jepte e merrte si dinte ai për çështje të filozofisë dhe të moralit....”, - shkruan Cvajg duke shtuar: “Kurse unë vetë do të kujtoj dhe mbrëmjet e kaluara me të në rini, çastet kur rrija me sy të mbyllur për të shijuar dhe për të depërtuar sa më thellë në muzikën mahnitëse të zërit të tij magjepsës, që përsëri i hapja për të mos lënë të më shpëtonte asnjë lëvizje e tij; do t’i gjallëroj në kujtesë takimet pas shfaqjeve, kur suleshim ta përqafonte kush e kush më i pari, në mos, të paktën, t’i preknim pak dorën...”. Moisiu lindi në Durrës nga një baba shqiptar (nga Kavaja) dhe një nënë arbëreshe. Mbas një fëmijërie në Durrës, Trieste dhe Graz, Aleksandri 20 -vjeçar u vendos përfundimisht me nënën e tij dhe dy motrat në Vjenë. Pikërisht aty, me inkurajimin dhe mbështetjen e aktorit austriak, Josef Kainz (1858-1910), nisi karriera e Moisiut si një ndër aktorët e mëdhenj europianë të skenës në vitet e para të shekullit XX. Gjatë viteve në vazhdim e gjen atë në Pragë dhe pastaj në Berlin, ku ai u bë aktori i favorizuar i Max Reinhardit (1873-1943). Bëri një turne shfaqjesh me trupën teatrale të Reinhardit dhe 100 trupa ndërkombëtare të tjera në vende të ndryshme të Europës dhe të Amerikës Jugore dhe Veriore. Akoma i pakrahasueshëm me askënd tjetër mbetet roli i Fedias në "Kufoma e gjallë" e Leon Tolstoit, interpretuar 1400 herë prej tij dhe i shikuar nga më shumë se gjysmë milion spektatorë në botë. Moisiu ndoqi Ansamblin “Reinhard” në Rusi në 1911 dhe u duartrokit shumë në Shën Petërburg nga kritiku dhe dramaturgu Anatoliy Lunacharsky (1875-1933) për interpretimin e Edipit. Duke u bërë një aktor universal, repertori i tij i interpretimeve përfshinte krijimtarinë e dramaturgjisë europiane që nga tragjedianët e lashtë të Greqisë e deri tek shkrimtarët modernë të shek. XX. Ai ishte i pari në Evropë që interpretoi karaktere nga Strindberg, Tolstoi, Çehov, Pirandelo, Hofmanstal etj. Midis roleve të tjerë për të cilët Aleksandër Moisiu mbahet mend në veçanti janë Hamleti, Fausti, "Trupi i gjallë" i Tolstoit dhe Dubedati në "Dilema e Doktorit" të George Bernard Shaw. Megjithëse ishte kryesisht aktor teatri, Aleksandër Moisiu u shfaq në 10 filma nga viti 1910 deri në vitin 1935, nga të cilët 7 filma pa zë dhe 3 me zë. Në vitin 1934, me kërkesë të tij, autoritetet shqiptare të asaj kohe i dhanë atij pasaportën shqiptare. Aleksandër Moisiu vdiq në 22 mars të 1935. Për nder të tij Shkolla e Lartë e Dramës në Tiranë dhe Teatri Profesional në Durrës kanë marrë emrin "Aleksandër Moisiu". Përvjetori i 60-të i vdekjes së tij u përkujtua në Shqipëri në vitin 1995 me Vitin Artistik dedikuar Aleksandër Moisiut, sponsorizuar nga fondacioni “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Kanë thënë për Moisiun

"Unë gjeta te Moisiu aktorin e vërtetë që kërkoja"
nga Max Reinhard-Reformator i skenës gjermane

"Hamleti është shkruar për Moisiun dhe Moisiu është lindur për të interpretuar Hamletin dhe vetëm Hamletin, vetëm ai"
nga Max Brod, shkrimtar dhe mik i ngushtë i Franc Kafkës

"Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë më parë asnjëherë në skenën botërore të artit"
nga Franc Kafka, shkrimtar gjenial

"Nëpërmjet interpretimit të rolit të Hamletit, Moisiu fitoi dashurinë e spektatorit francez"
nga Andre Antuan, reformist i teatrit francez


Stefan Cvajg dhe bota e portreteve njerëzore

Stefan Cvajg lindi në Vjenë, më 1881 dhe u nda nga jeta ( pas një vetëvrasje në çift) më 1942. Në Shqipëri ndër librat e tij më të lexuar është një përmbledhje novelash, botim i hershëm (të ribotuara veçmas më vonë). Autor i një morie biografish, një nga esetë biografike të tij më të lexuara në shqip (por edhe në botë) është ajo kushtuar një prej personazheve më të diskutuara të historisë franceze, Zhosef Fushesë. Kolana e librave të tij vitet e fundit është pasuruar shumë dhe një nga një po vijnë në shqip të gjithë librat që ai ka shkruar, madje edhe ato që ka lënë pa përfunduar. Stefan Cvajg është autor i një sërë monografish letrare për personazhe të shumtë si Dostojevski, Dikens dhe Balzak në librin "Tre mjeshtërit (Drei Meister)" në 1928 ose ato kushtuar Kazanovës, Tolstoit dhe Stendalit. Në 1935 boton biografinë për “Maria Stjuart”. Në 1928 pati botuar edhe esenë biografike për Zhozef Fushenë ndërsa qysh në 1925 publikoi esetë për Kleist, Hölderin dhe Nietzsche-n. Është e pamundur të hartosh një listë ku të përfshihen të gjithë personazhet që Cvajgut i janë dukur interesantë e ka shkruar për ta. Në këtë listë përfshihet edhe emri i aktorit të madh shqiptar, bashkëkohës i Cvajgut, Aleksandër Moisiut. Cvajg ka lënë edhe një biografi të papërfunduar të Balzakut, një tjetër të Montenjit krahas dy romaneve të papërfunduar.

 



Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa