|
|
Valbona Çoba, shqiptarja që
i riktheu Amerikës Merilin Monronë
Nga Lindita Çela
Prej
disa ditësh, mund ta shohësh në oborrin e Teatrit Kombëtar
por edhe në ndonjë lokal në shoqërinë e miqve
të saj. E veshur me xhinse, me një bluzë të thjeshtë,
e pa trukuar, për një çast nuk të shkon ndërmend
se syu po të sheh atë bukuroshen shqiptare që sfidoi Greqinë
dhe po korr suksese të pasidiskutueshme në botën e egër
të New Yorkut. Madje edhe vetë Valbona, ashtu në pamjen
e parë, (tepër e thjeshtë dhe e sjellshme) nuk të
lë përshtypjen se është pikërisht ajo vajza VIP,
fotot e së cilës, për një muaj të tërë,
janë transmetuar edhe në internet.
Është shpallur si fotomodelja më e mirë e muajit qershor
në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ndërsa ka lidhur
kontrata me agjenci prestigjoze. Valbona Çoba ka mundur kështu
të hedhë hapa të suksesshëm edhe në botën
"e egër" të Nju Jorkut. E ka lënë pas, prej
kohësh Athinën, pa i braktisur kurrsesi pasarelat, pasionin
për të qenë gjithnjë një fotomodele e arrirë.
Hiret e mbi të gjitha vendosmëria e saj, e kanë ndihmuar
që t'i bëjë ballë konkurrencës së fortë
me fotomodelet e njohura në Amerikë. Duke dalë mbi to.
Kështu muaji qershor ka qenë për fotomodelen shqiptare
një muaj fati. Por duket se fati bashkudhëton me të që
në lindjen e saj. Këtë e pohon dhe vetë vajza me sy
bojëqielli, por ëndrra e saj sapo ka filluar të bëhet
e prekshme. Dhe si për çudi, është sërish Tirana
ajo që hap magjishëm dyert e saj për talentin e bukuroshes
shqiptare. Ëndërron skenën e teatrit dhe kinematografinë,
ndërsa këto ditë bën prova për të vënë
në skenë dramën e saj të diplomës. Ka ardhur
për pak kohë për të ikur sërish, dhe ndoshta
nesër do të jetë një nga aktoret e Hollywood-it. Pothuajse
e ka cekur edhe këtë endërr në Amerikën e largët.
Por vetëm në celuloid aty ku është shumë e aftë.
Pse jo, nesër Amerika mund të ketë sërish një
Merilin Monro, por kësaj radhe shqiptare.
Rruga e karrierës
Valbona Çoba e ka fillin e nisjes në rrugën e spektaklit,
pikërisht në vitin 1991, kur u shpall "Mis fotozhenia 1991",
në konkursin e parë të bukurisë femërore në
Shqipëri "Mis Albania". Pas kësaj, Çoba e sheh
rrugën e suksesit jashtë Shqipërisë. Zgjedh Greqinë,
ku për disa vite punon me ngulm për të hyrë në
radhët e fotomodeleve më të njohura në Athinë.
Dhe në Greqi, gjithçka nis me një konkurs bukurie, ku
Çoba shpallet "Miss Trupi më i bukur '97" në
Greqi. Për shumë vite ajo renditet në radhën e dhjetë
modeleve më të njohura në Greqi, ku ka pasur mundësinë
të bëjë një karrierë vërtet të mirë.
Merr pjesë në shumë show të ndryshme televizive, organizuar
nga kanali më i njohur në Greqi ANT 1. Më pas mendon se
këtë rrugë duhet ta vazhdojë në një vend
ku karriera e fotomodeles është më e vështirë,
por nëse fitohet është edhe më e sigurt.
Zgjedh Nju Jorkun, e në pak kohë ia arrin të dalë
në pozicionin që dëshiron. E ndërkohë nuk është
ndarë edhe nga drama, të cilën e kishte lënë
në mes në Tiranë. Në Fakultetin e Dramës në
Akademinë e Arteve, Valbona Çoba është diplomuar
vitin e kaluar. Dhe puna e diplomës së saj është vlerësuar
mjaft nga pedagogët e këtij fakulteti, sidomos nga pedagogu
me të cilin ka dhënë provimin, Kiço Londo. Pikërisht
është ky sukses i arritur në Akademinë e Arteve që
solli Çobën në Shqipëri. Jo përgjithmonë,
por sa për të realizuar një projekt që ajo ka në
dorë së bashku me regjisorin Kiço Londo. Puna me të
cilën ka mbrojtur diplomën në Akademinë e Arteve,
drama "Xhordan", e shkruar nga dy dramaturge angleze, do të
rivihet sërish në skenë. Regjisori Kiço Londo ka
vendosur që këtë punë diplome të ish- studentes
së tij t'ia servirë edhe njëherë artdashësve.
Në rolin e vetëm të kësaj drame, është Valbona
Çoba, e cila ka lënë për pak ditë Nju Jorkun
për tu rikthyer në Tiranë, ku për revistën
Spektertregon rrugën e vështirë të suksesit.
Çobo: Për të ardhur në Shqipëri gjithmonë
do të gjej një arsye
Jeni në Tiranë, rastësisht?
Jo. Jo krejt rastësisht. Vitin e kaluar mbrojta diplomën me
regjisorin Kiço Londo me dramën Xhordan, një
monodramë kjo. Që atëherë lindi ideja, dhe e imja
dhe e Kiços, ishte dhe kënaqësia e të dyve njëkohësisht,
që këtë dramë ta vinim në skenë në
një shfaqje të mirëfilltë , jo shfaqje diplome. Kështu
që ky projekt më solli në Tiranë. Më në
fund vendosëm ta japim tani.Shpresoj që në mes të
nëntorit do të jetë premiera. Ende nuk e kemi përcaktuar
datën e saktë.
Për çfarë flet konkretisht drama?
Është një tragjedi, një ngjarje e vërtetë
që ka ndodhur në Londër, në vitin 1987. Eshtë
shkruar nga dy vajza Anna Reynolds dhe Moira Buffini. Në qendër
të veprës është një grua e re e cila vendoset
në një rrethanë tepër të vështirë.
Kërkojnë ti marrin fëmijën e saj. Ajo nuk mund
të jetojë dot pa të ashtu sikundër fëmija 12-
muajsh nuk mund të jetojë dot pa nënën. Atëhere
ajo bën një kontratë me fëmijën. Vendos ta mbysi
foshnjen me jastëk dhe pastaj të vrasi veten për tu
larguar që të dy përfundimisht nga kjo botë. Ndërsa
mbytja e fëmijës funksionon, vetëvrasja nuk funksionon.
Këtë grua e mbyllin në çmendinë dhe më
pas në burg. Se si vepron ajo më tej ejani ta shihni në
shfaqje.
Përtej kufijve të Shqipërisë jeni e suksesshme në
fushën e modelingut, ndërsa në Tiranë po shfaqeni
si aktore. Ju ku e shihni më shumë veten?
Modelja është diçka fare e rastësishme, më
gjeti nuk e gjeta dhe vazhdoj të bëj të njëjtën
gjë edhe në Amerikë. Por gjithmonë me mendimin që
në një të ardhme shumë të afërt, për
mua do të ishte një urim ky, do të bëj kalimin nga
modele në aktore.
Si mendoni për kë do të vijnë më shumë
spektatorët, për premierën apo për Valbonën?
Jam shumë e sigurt se ajo që do ti sjellë më
shumë spektatorët tek unë do të jetë kurioziteti.
Ata më kanë parë aq sa kanë mundur si modele, sepse
dinë shumë pak në krahasim me atë që unë
kam bërë. Kështu që jam e bindur se ata do të
vijnë më shumë nga kurioziteti, e kanë parë Valbonën
si modele, po jo si aktore.
Shfaqja juaj është një monodramë, domethënë
e tëra barra e skenës bie mbi ju. Do të mund ta përballoni
këtë premierë?
Po, jam nga fillimi i shfaqjes e deri në fund vetëm dhe skena,
dekori nuk është aspak ndihmues. Është një dekor
bosh, unë ndodhem në qeli, do të ketë vetëm një
stol ku ulem. Nuk kam dialog me dikë tjetër, nuk kam dekor të
më ndihmojë, kam vetëm një foshnje, një stol
dhe një gotë kos. Me këto tre elementë duhet të
mbaj shfaqjen që është një orë e gjysmë
gati. Them se do tia arrij, patjetër që po.
Jeni gati për një shfaqje të tillë?
Edhe pas pesë shfaqjeve që do kem dhënë, por të
më pyesësh do të them prapë nuk jam gati. Duhet shumë,
më shumë. Unë do të kërkoja akoma më shumë.
Le të flasim për karrierën tuaj përtej Shqipërisë.
Pse zgjodhët Amerikën pas një suksesi të arritur në
tokën helene?
Pa folur për ikjen time, Amerikën e kam menduar si të vetmen
zgjidhje për ikjet e të gjithë shqiptarëve. Kam idenë
se emri shqiptar dëgjohet njëlloj kudo në Evropë.
Një fëmijë i sjellë nga unë në të ardhmen
do më falenderonte që i kisha zgjedhur me kujdes këtë
vend për të qenë qytetar i tij. Por nuk është
aspak zgjedhja e këtij vendi si qëllim ku çdo artist
do ta zgjidhte për të arritur akoma dhe akoma më shumë.
Të bëhesh artist është thjesht një punë.
Që të arrish të bëhesh i njohur pastaj është
një sukses. Në Amerikë mund të punosh shumë mirë.
Mund të thoni se jeni e suksesshme në New York?
Qëllimi më i madh kur u nisa për në Amerikë ishte
realizimi i një kontrate, të paktën mbas një viti
me një agjenci famoze. Këtë e doja edhe për të
marrë përsipër dokumentet e mia, si sponsor edhe për
prestixhin si modele e njohur. Këtu mund të them se fati erdhi
lumë. Vetëm mbas dy muajsh , dokumentet e mia u dërguan
në qeveri për tu mbajtur në Amerikë si një
njeri me të dhëna speciale në fushën fashion industri
dhe ska vetëm dy javë që këtë kërkesë
agjencia ime e përsëriti prapë. Arrita që në
konkurset e para të pozoj për revista të njohura, të
fitoj reklama për firma famoze. Si blumindels-maximiliano, shija
njyjorkeze nuk më refuzoi, ndërsa ka refuzuar mjaft modele të
njohura nga Evropa. Sapo kam filluar shkollën 2- vjeçare "William
Esper" art dhe pse marr vazhdimisht kurse të teknikës dhe
artit amerikan. E pajisur mirë si modele ndihem e varfër për
tu bërë një aktore amerikane. Kultura është
forcë. Së shpejti është duke ardhur faqja ime e internetit
të cilën e kisha në plan për vitin tjetër por
shkas për këtë nxitim ishte reklama që mu bë
në faqet e internetit nga club viplife për të cilin bëra
reklamën e muajit si modelja kopertinë. Ndërsa gjithmonë
media vetëm më ka përdorur mua, këtë radhë
them se median e përdora unë. Reklamimi i fotove të mia
ishte shumë i nevojshëm në Amerikë ku unë nuk
njihem si në Greqi. Emailet e shumta me oferta pune ishin një
arritje. Nga punët e mia më të fundit dhe me rëndësi
është dhe kalendari "I love America" ku pozojne 13
cover modele me rroba banjë prej flamurit amerikan. Janë nga
fotot e karrieres sime që pëlqej më shumë.
Çfarë ju ofroi më shumë Greqia?
Është shumë vështirë të flasësh në
të njëjtën kohë për të kaluarën dhe
të ardhmen. Në Greqi unë bëra të njohur vajzën
shqiptare për bukurinë dhe klasin e saj. Pra Greqia më
dha famën. Duke njohur luftën që bëhet atje kundër
shqiptarëve nuk mund të të shkonte ndërmend se mund
të shihje nëpër kinkaleritë revista varur me kopertinën
e vajzës "Alvaneza" (shqiptare'), apo posterat e mëdha
nëpër mure dhe autobuze. Në fillim as unë se
kuptoja çpo ndodhte. Media greke më prezantonte me vleresime
nga më sensacionalet. "Shqiptarja që po bën Greqinë
të dridhet si nga një tërmet", "Çoba ka
pushtuar plotësisht aristokracine greke'',e të tjerë tituj
si këto. Në një fushë si modelingu ku konkurrenca
ishte e frikshme aq sa edhe fillimi, sukseset vazhdonin. Arrita të
lidh kontrata për agjenci të mëdha si Helena Model,
ACE model ,Creative model etj. Punoja me kontrata
të gjata dhe të përsëritura për kompani të
njohura në botë si. L' oreal, Cigaret Rex,
Dizel, Pantene V,Rilken. Patatet chips,
birra Haineken, cimcakizi Clorets, motorin Malagut dhe katalogët
e njohur "Sloge", "Luna", "Winter", "Vingo",
La pel", "Lolita', Vanesa etj. Shumë
modele të suksesshme dhe profesionale provojnë kohën e
shkurtër të këtij profesioni. Ndërsa unë i rezistova
për 10 vjet. Të arrish të bëhesh vajza e kopertinave
dhe posterave do të thotë që ke lënë mbrapa mijëra
modele të tjera të cilat mbyllin karrierën e tyre pa prekur
kopertinën. Të gjitha këto nuk arrihen sikur bukuria fizike
mos jetë e plotësuar me aq seriozitet, talent, personalitet
dhe kulturë sa majat e artit kërkojnë për të
të mbajtur në vite. Po të kishin ndodhur të tëra
këto në Amerikë them se sot do të isha shumë
e pasur. Aktualisht nuk jam as e pasur. Në Amerikë vajta 25
vjeç dhe them se kam shkuar në kohën e gabuar por jo
në vendin e gabuar.
Ka vend për korigjime?
Në se ka një gjë që do korigjoja po të filloja
nga e para në Amerikë, do të kisha pranuar vërtet
të shpenzoja më shumë, por të pasur një manaxher
që do të më krijonte me shumë mundësi që
ti përkushtohesha më shumë filmit, krahas modelingut.
Mamaja ime më ka ndihmuar shumë, por ajo ndihmë mjaftonte
vetëm për fillimin, në Greqi, kur unë spranohesha
në punë e pashoqëruar dhe as që të firmosja kontrata
për shkak të moshës dhe faktit se ende nuk isha bërë
star. Ndërsa kur aktiviteti dhe fama ime u shtua ajo nuk mund të
zëvendësonte punën e aq njerëzve të tjerë.
Nuk kishte as lidhjet as gjuhën e duhur. Këtë gjë
ajo po kërkon ta korigjoje në Amerikë duke kërkuar
me shumë pretendime një agjent për të cilin ende se
kemi vendosur.
A do të mund të bënit më shumë karrierë
në Shqipëri?
Nuk e di për fajin tim apo të medias shqiptare, por karriera
ime pothuajse nuk njihet fare në vendin tim. Është ende
e pa zbuluar gjërësia, potenca e modeles shqiptare jashtë
vendit. E ftuar pa përjashtim në të gjithë kanalet
greke, në koncertet më të mëdha, në programet
më të shikuara të tyre me vlerësime tepër speciale,
dhe nuk jam ftuar asnjëherë nga ndonjë kanal televiziv
shqiptar, as në atë të TVSH-së, përveç
se në një emision të mëngjezit nga regjisoria Vasilika
Londo, një vit më parë. Njerëzit dinë aq sa mund
të thuhet nëpër revista, por kasetat e mia nuk janë
pranuar të jepen as nga TVSH-ja dhe as nga të tjerët. Konkurrenca
jashtë vendit që e vogël më ka mësuar ti
kuptoj, ti dalloj gjërat edhe nga e bardha në të
bardhë. Nuk është aspak qytetërim dhe kulturë
fanatizmi për të mbajtur larg atë që unë kam
arritur. E megjithatë rrugë ka plot dhe ditë ka plot.
Si modele keni pozuar ndonjëherë nudo?
Në se ka një gjë që nuk më ka pëlqyer, dhe
them se kam bërë mirë, ka qënë refuzimi i kërkesave
të vazhdueshme të shumë fotografëve, revistave për
të pozuar nudo. Sapo isha e zgjedhura e tyre, rrallë mund ti
shpëtonin pretendimit për të futur diçka seksi në
historinë e fotove. Nuk kam asnjë kompleks për të
qenurit sexi, bile them se nëse tek nje grua kjo mungon, të
lë përshtypjen se asaj i mungon një tipar. Të pozoja
nudo nuk më pëlqente dhe kaq. Ndërsa ndihem e lodhur ende,
por që kurrë nuk e kam realizuar, ka qenë kërkesa
për të pozuar nudo. Nuk më joshi kjo kërkesë
as kur më janë ofruar shuma të mëdha dhe as kur nga
refuzimet kam patur ftohje me agjencinë time. Kjo sepse ajo humbte
shumë para nga ky refuzim. Për të pozuar nudo vërtet
e kam problem dhe paragjykim. Një modele që pozon nudo, më
krijon ndjenjën e diçkaje të pistë. Ndërsa
për një porno-star do ta quaja shumë profesionale. Në
momentin që një modele shfaqet në revistë nudo, çfarë
ajo modelon? Kjo ndodhte vetëm në Greqi. Nuk ka një modele
famoze greke që të mos ketë kopertina dhe faqe të
tëra nudo. Në Amerikë është kundërta. Agjencia
nuk ta kërkon një gjë të tillë dhe duhet të
firmosësh që ti nuk bën nudo as me klientë të
tjerë. Pra nuk kam bërë nudo dhe nuk do bëj asnjëherë
si modele. Nuk do ta gjykoja Valbonën nëse skena e një
filmi do tia kërkonte të zhvishej, po kjo jo për
ndonjë rol të parëndësishëm.
Pas shumë endjesh nëpër qytete të ndryshme, ku jetoni
aktualisht?
Aktualisht jetoj në Manhatan. Erdhëm këtu pasi lëvizëm
nga Brooklyn dhe nuk e dimë ende nëse këtu është
vendosja e fundit. Los Anxhelos është exakt stacioni për
tu bërë aktor. Sa shumë lëvizje pa qëndruar
akoma asgjëkundi.
A do të ktheheni në Shqipëri?
Nuk mendoj se ka ndonjë arsye për të lënë Amerikën.
Atje gjërat shkojnë mirë. Edhe prindërit ndihen mirë.
U stabilizuan shpejt me dokumentet dhe gjuhën. E ardhmja gjithmonë
mund të jetë një surprizë. Nuk dihet.
A ju mungon vendi juaj atje?
Do të ishte njësoj sikur të më pyesnit a kini atdhe?
Nëse një gjë kaq e madhe si atdheu nuk të mungon do
të thotë që nuk ka ekzistuar kurrë. Në të
gjitha intervistat e mia kam deklaruar sinqerisht se për të
ardhur në Shqipëri gjithmonë do të gjej një arsye.
Ndaj çdo njeriu të ri apo të vjetër, të ashpër
apo sentimental në tip, braktisja e vendit i kthehet në një
mall, në një mungesë që kurrë nuk zëvendësohet.
Si e kaloni kohën e lirë ?
Atje janë kaq të shumta mënyrat për të kaluar
kohën e lirë dhe kaq shkencore, të pasura me ide e qëllime
sa shpesh herë mund të ngatërrohesh e të pyesësh
vehten: je në kohën e lirë apo duke mësuar diçka?
Unë i shfrytëzoj këto por ajo që mbetet primare tek
unë është kinemaja. Ka ditë që e planifikoj vetem
për këtë. Kinemaja ngjitur me derën e shtëpisë
sime shfrytëzohet aq mire nga unë. Hyj me një biletë
dhe nuk dal deri sa shoh 2, 3 ose 4 filma që jepen. Mos më keqinterpretoni.
Nuk është aq serioze por jo dhe aq e keqe kur ka vende që
të lejojnë ta bësh. Nuk shkoj aq shpesh nëpër
mbrëmje private dhe kërcimi. Këtë verë kam shfrytëzuar
të gjitha llojet e sporteve në ujë të cilat më
bëjnë aq të çmendur sa dhe ato në ajër.
E bukur, e suksesshme por, e dashuruar ?
Ka disa raste kur më pëlqen tek një grua të paraqiturit
pak naive ose pak budallaqe. Kjo më ka nxjerrë shpesh nga ato
situata kur efekti si femër ka trazuar keq ndonjë person, po
aq publik sa unë ose më shumë. Për tu larguar
e edukuar lë të mendoj se ndodhi diçka e tillë.
Ndiej se mund ta bëj edhe me pyetjen tuaj këtë, për
të qenë e edukuar. Realisht, profesioni nuk më ka lejuar
ta trajtoj veten aq sa ka pasur nevojë. Për ti rezistuar
konkurrencës së madhe të të qenurit përditë
e freskët dhe bukur nuk kam gabuar aq shumë. Jo se kam qenë
perfekte. Të gjithë në mosha të ndryshme bëjnë
disa gabime të asaj moshe, kur mendojnë të trajtojnë
vehten. Por shumë e vogël u bëra modele, punoja si një
star, pa u kënaqur kurrë si një star.
Por nuk më kanë munguar aq gjatë ata që më sipatizojnë
dhe ata që unë simpatizoj. Pasionet dhe ngacmimet e ardhura
prej simpative nuk mbajnë pa prekur disa ndodhi dashurie, por ato
nuk janë të shpeshta. Nuk ju detyrohesh dhe mund të quhesh
korrekte dhe kur nuk iu përgjigjesh me diçka sensuale. Në
të tilla raste më pëlqen ta zëvendësoj këtë
mungesë me ndonjë surprizë. Surprizat që mbajnë
në vetvehte zgjuarsi, kanë po aq efekte në të ndjerë
dhe ndoshta më shumë në kohë se sa efektet prej të
prekuri, prej përsëritjesh.
Çmendoni për bukurinë?
Nuk do të kisha lexuar kaq shumë mbi bukurinë sikur profesioni
që më dha famën të mos kishte pasur bazë për
fillim bukurinë por një diplomë. Teoritë, thëniet
mbi bukurinë janë të shumta e vlerësuese por unë
dua të ndalem tek rëndësia dhe përcaktimi filozofik
që Oscar Wilde i ka bërë këtij nocioni. Ne të
gjithë vëmë re se një fytyre të bukur i besojmë
më shumë dhe më shpejt, jo shpesh fytyrat e shëmtuara
bëhen popullore. Kush nuk do donte të ishte i bukur, çdo
gjë rreth tij deri dhe e gjithë bota, mbi të cilën
ai rri. Diçka ndryshon në profesionin e modeles. Bukuria nuk
ka dhe nuk pranon atë bukuri që shohin dhe vlerësojnë
njerëzit. Shumë bukuri misesh apo modelesh kanë dështuar
para bukurive standarde që celuloidet, makinat e hekurta duan. Aparatet
mekanike që regjistrojnë bukuritë të hedhin tutje
sapo ti nuk luan sensualisht me to, nuk përcjell me tepricë
emocionin, nuk di ti prekësh. Unë e kam pasur më
të lehtë të jem një sensuale e suksesshme edhe me
mashkullin më tekanjoz se sa me kamerat dhe polaroidet. Nuk mund
të jesh kurrë e suksesshme në foto nëse ju beson leksioneve
dhe të mungon ndjeshmëria. Aparati kap dhe lëvizjen më
të vogël të gabuar, të një muskuli edhe kur ti
mendon se çdo gjë ka qenë perfekt. Të punosh për
revistën duhet diçka tjetër. Përveç bukurisë
fizike të trupit, duhet talenti, bukuria e trurit.
Ndiheni me fat që Zoti ju ka bërë të tillë,
apo punoni për këtë?
Fillimisht them se kam qenë me fat, jo vetëm pse isha e bukur.
Isha fëmijë e një familjeje me shumë kërkesë
dhe që dinte të gjente sa më shumë mënyra për
të realizuar ëndrrat e fëmijëve. Shumë e veçantë
dhe progresive për këtë ka qenë mamaja. Pak vajza
e kanë atë fat që nënat e tyre të jenë dhe
shoqet e tyre më të mira. Unë me motrën time, Eda,
kemi qenë vërtetë me shumë fat. Nuk ka asgjë
të bukur ose të shëmtur që ndodh në jetën
tonë dhe mos jetë mamaja e para që ne nxitojmë tia
themi asaj. Çmimi, Mis fotozhenia që më dhanë në
Shqipëri ishte spontan, nuk kishin çtë më
jepnin tjetër.
Greqia do të zbulonte se Zoti më kish dhuruar talentin e të
pozuarit. Kamerat dhe apartatet më donin aq shumë sa bënë
të më duan dhe grekët. Të bëhesh famoze në
një fushe rivalesh si modelingu apo filmi është vërtet
bukur. Por të bëhesh famoze në këtë fushë
në një vend të huaj është vërtetë e
merituar. Mban mend vetem të punuarit shumë, të lodhurit
shumë. Dhe të shtosh këtu që dhe staret kanë
anën e errët të jetës së tyre si çdo njeri.
Njerëzit shohin vetem luksin, sukseset, dritat që mediat drejtojne
drejt tyre.
Marrë nga Spekter
|
|
|