Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Ish-ambasadori shqiptar në Kubë rrëfen vizitën e fshehtë të Çe Guevarës në Shqipëri dhe takimin me ish-kryeministrin Mehmet Shehu

Vizita sekrete e Çe Guevarës në Shqipëri

Askush nuk e di që miti i revolucionit kubanez, Çe Guevara, ka shkelur tokën e shqiponjave. Për herë të parë, ish-ambasadori shqiptar në Kubë, Mihallaq Gjinikasi, rrëfen ardhjen e mistershme të Guevarës në Tiranë dhe takimin e tij me kryeministrin shqiptar. Rrëfen itinerarin e çuditshëm, takimet super të fshehta si dhe strehimi i tij në siguri të lartë, në vilat e pushimit në bregdetin durrsak. Ish-diplomati tregon se udhëtimi i Çesë kishte qenë shumë i gjatë. Ndërkohë, për të mbërritur në Shqipëri, i ishte dashur të maskohej në mënyra të ndryshme, në mënyrë që edhe prezenca e tij të mos vihej re. Në Shqipëri ai ka pasur një takim me kryeministrin e asaj kohe, Mehmet Shehu, me të cilin kanë folur më shumë për idetë revolucionare dhe gatishmërinë për t’iu bashkuar revolucionit. Pas bisedimeve, ai është drejtuar për në vilat e Durrësit ku edhe ka kaluar natën. Ditën tjetër ai është drejtuar për në Kubë, pa bujë dhe salltane të rastit, siç ndodh rëndom kur priten dhe përcillen emra të veçantë të qeverive. Në dëshminë e Gjinikasit mbetet enigmë fakti përse kreu i atëhershëm i shtetit, Hoxha, nuk e ka takuar revolucionarin e madh, të cilin ai shpesh e ka përdorur si model të idealeve të tij.

Për Ernesto Guevarën nuk dija shumë gjëra. Kisha lexuar diçka nga shtypi i huaj, nga i cili informohesha në mënyra krejt të ndryshme. Shtypi perëndimor e paraqiste si një figurë terroristi, gati-gati të çmendur, ndërsa shtypi i disa prej vendeve të Lindjes e jepte krejt ndryshe: e paraqiste si një mjeshtër të guerrileve, si një ndezës i shkëndijave revolucionare, si një revolucion shëtitës!… Kisha marrë detyrën ta prisja në Tiranë. Ashtu bëra. Vizita e tij bëhej e fshehtë, sepse kështu ishte kërkesa e tij. Aq sa dija ose, më saktë, aq sa mund të dija në atë kohë, kujtoja se Çe Guevara ishte vërtet një revolucionar, por si të thuash, revolucionar i një tipi të veçantë. Afërsisht i atij formimi ishte edhe Fidel Kastro...
Teksa e takova, në çastin që sapo mbërriti, Çe qëndronte i heshtur. Ndoshta ndihej i lodhur, ndoshta i vetmuar, në një vend krejt të panjohur për të. “Këtu, në Shqipëri, jeni si në shtëpinë tuaj”,- ndërhyra unë, kur vura re se Çea tregohej gjysmë i hutuar. Ishte fillimi i viteve ‘60. Çea nuk ishte më i madh se tridhjetë e dy vjeç, me një fytyrën plot qime e me sy të ndritshëm. Ai mundohej të fuste në dritën e vështrimit të tij sa më shumë hapësirë nga natyra e Tiranës. Detyrën e kisha marrë tepër të përcaktuar: ta shpija në takim me kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehun. Me aq sa mund të nuhasja unë në atë kohë, por edhe me gjithçka ngjau më vonë, vizita e Çesë ishte tepër konspirative. Ishte një vizitë që kryhej sa për mirësjellje, nga që nuk mund të refuzohej nga pala shqiptare. Ishte një vizitë, siç mund ta gjykoj tani, për t’i dhënë mikut kuban një përvojë shqiptare, ndoshta për t’i korrigjuar ndonjë ide rreth mënyrës se si piqen e shpërthejnë natyrshëm revolucionet popullore. Vetura na zbriti drejt e përpara dyerve të Kryeministrisë. Gjithçka ishte sajuar në atë mënyrë, që mysafiri të paraqitej te kryeministri shqiptar si një mik i huaj i popullit tonë. Edhe shtypi, siç do të vihej re më vonë, do t’ia kalonte heshtjes këtë ngjarje politike. Madje, nuk do të kishte as koment zyrtar. Në ekspozenë e tij Çe Guevara paraqiti një pasqyrë të shkurtër të asaj që kishte çuar në përmbysjen e diktaturës së Batistës dhe në fitoren e revolucionit. Ndërkohë, ai shfaqi disa nga pikëpamjet lidhur me ndezjen e revolucionit dhe hedhjen e popujve në flakët e luftës për liri dhe drejtësi shoqërore. Çea, me sa merrej vesh, rëndësi i kushtonte rolit përcaktues të revolucionarëve të vendosur, duke parë te këta të fundit faktorin numër një të përmbysjeve të mëdha revolucionare dhe si shembull konkret jepte Kubën. Nuk ishte e vështirë të kuptohej se midis bashkëbiseduesve ekzistonte një ndryshim jo i vogël lidhur me rrugët e mënyrat e ngritjes së popujve në luftën për liri dhe drejtësi shoqërore. Gjithsesi, secili shpalosi pikëpamjet e tij, duke mos iu kundërvënë shokut, çka ndikoi për mirë në mbarëvajtjen e dialogut.
Në fund, kryeministri shqiptar kishte përgatitur një dhuratë –surprizë. Çe Guevara e mori automatikun e dhuruar, u ul në gjunjë, e puthi armën dhe qetë-qetë u ngrit në këmbë. Gjithçka u krye me një solemnitet tepër të veçantë. Edhe pse kanë kaluar plot 40 vjet nga ajo kohë, shpeshherë pyes veten: si mundet një njeri të vërë mbi supe detyra aq shumë të rënda, gjithsesi të papërballueshme në mënyrën se si ideoheshin dhe zbatoheshin! Sidoqoftë, ato që për një njeri të zakonshëm konsiderohen aventura, për idealistët janë thjesht misione që duhen përmbushur.

Vajza e diplomatit, e pagëzuar nga Çe Guevara
Sot ajo është maturuar, por harron se mes kujtimeve të saj, zë vend edhe Çe Guevara. Ishte ende kërthi, kur ministri i asokohe i shëndetësisë kubaneze, pas një vizite që pati në rezidencën e ambasadës shqiptare, mori vesh se ambasadorit i kishte lindur një vajzë. “Ç’emër i keni vënë?”,- kishte pyetur ai. Mihallaqi kishte thënë se ende nuk i kishin zgjedhur një emër. Revolucionari kishte përfituar dhe u kishte kërkuar familjarëve të kishte nderin t’i vinte emrin vajzës. Që atëherë ajo mori emrin Susana, një emër tipik kubanez. “Mbaj mend që, derisa unë u bëra pesë vjeç, Çe Guevara vinte në shtëpinë tonë gjithnjë. Zakonisht për datëlindje më sillte dhurata të bukura dhe dhurata më e bukur që më ka bërë është një kukull prej porcelani, shumë e kushtueshme”,- tregon Susana. Pasi kishin kaluar vitet, ajo kishte kuptuar se mysafiri i nderuar nuk kishte shkelur më në shtëpinë e tyre sepse kishte vdekur, megjithatë kur u rrit vazhdoi të mbante të fshehur në zemrën e saj një mit, një idhull. Ishte Çe Guevara, të cilin, ndryshe nga të rinjtë e asaj kohe, ajo e kishte takuar, madje kishte qëndruar për minuta të tëra në prehërin e tij.

Kur shtetarët shqiptarë vizitonin Kubën
Ish-ambasadori Gjinikasi tregon se, përveç ardhjes së revolucionarit në Tiranë, shtetarë të tjerë shqiptarë janë takuar me Guevarën, atëherë ministër i shëndetësisë i Kubës. “Një delegacioni qeveritar shqiptar arriti në Kubë, në vitin 1964 dhe kryesohej nga Bilbil Klosi (babai i Fatos Klosit). Gjatë bisedës ai vlerësoi popullin shqiptar, duke theksuar se është një popull i vogël, por me një histori të madhe dhe qartësoi se për këtë qëllim ai ishte bërë mik i përhershëm me shqiptarët dhe vizitonte rregullisht ambasadën shqiptarë në Kubë”,- tregon Gjinikasi. Ambasadori rrëfen se ka bërë disa herë lidhje të historisë së ngjashme shqiptare me atë kubaneze dhe sesi ata arritën të kthenin lagjet e pasura në shkolla, njëlloj si partizanët shqiptarë. “Ndërsa biseda mes miqsh vazhdonte, në derë u duk një grua trupmadhe, elegante dhe me pamje fisnike. Ato pak thinja në flokët e saj të krehura me kujdes si në Buenos Aires, nuk ia fshihnin bukurinë e dikurshme të vajzërisë. Kur e pa, Çe Guevara u habit dhe, duke shtrirë duart përpara, i drejtohet i habitur: “Po ti këtu?! Si na gjete?!” U ngrit dhe e përqafoi me shumë mall. “Sapo zbrita nga avioni i linjës. Miqtë gjenden kudo. Vij nga Argjentina”… Ishte nëna e Çe Guevarës, Çelia. Pas kësaj atmosfera u bë më intime dhe më e ngrohtë. Natyrisht, edhe konjaku “Skënderbeu” bënte punën e tij. “Konjakun e keni mjaft të mirë… ndërsa ambalazhi… jo i bukur! Një ambalazh i tillë ua kompromenton disi cilësinë”,- kujton ai.


Guevara, pse është një mit?
Tridhjetë vjet pas revolucionit bolivian, miti i Guevarës ka zënë vend edhe te moshat e reja. Madona ka arritur ta ringjallë atë me videoklipin e saj të fundit, ndërkohë që në tishërte (bluza pambuku me mëngë të shkurtëra), janë hedhur mijëra imazhe të fytyrës së revolucionarit të njohur. Shumë të rinj e kanë marrë atë si shembull të jetës së tyre. Edhe pse ka vdekur prej më shumë se tridhjetë vjetësh, Guevara bëhet gjithnjë e më i dashur për një gjeneratë të tërë.


Kalendar

1951 - Së bashku me një shokun e tij niset me motoçikletë drejt brigjeve të oqeanit Paqësor.
1952 - Arrin në Peru, ku fillon punë si mjek vullnetar në spitalin e lebrozëve, në San Paolo.
1953 - Kthehet në Buonos Aires, për të vazhduar studimet e ndërprera në degën e mjekësisë.
1954 - Punon në Guatemalë si shitës ambulant ku edhe njihet me lëvizjen revolucionare.
1955 - Punon në spitalin “Çita” në Meksikë, ku takon për herë të parë Fidel Kastron.
1965 - Del për herë të fundit në publik më 14 mars, pas një pritjeje që i bën Kastro në aeroport.
1967 - Gjatë revolucionit në Bolivi plagoset dhe më pas vritet nga një ushtar i ngarkuar nga qeveria.

 



Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa