Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Camaj, ose poeti në kërkim të atdheut të mohuar

Nga Mark Marku

Poeti i ri ëndërrimtar që arratisej nga Shqipëria në vitin 1948 për t’i shpëtuar ferrit komunist me siguri nuk ka menduar se ikja e tij do të ishte përfundimtare, fatale. Më vonë, duke u endur nga Beogradi në Romë, nga Roma në Mynih, do të kuptonte se ai mund të shkonte kudo me përjashtim të vendit të vet.Dhe ndoshta zgjedhja e fshatit malor Bavarez si vendqëndrim i fundit, është konsideruar prej tij si kthim në vendlindje.


Vetëm ai që e ka parë Bavarinë e epërme dhe fshatrat malorë të saj në një ditë të ngrysur dimri, e kupton pse Martin Camaj zgjodhi pikërisht këtë vend për të ngrysur ditët e fundit të jetës së tij të gjatë prej mërgimtari. Zona malore e Bavarisë të ndërmend Alpet e Shqipërisë, dhe meqenëse Camaj e kishte të ndaluar të kthehej atje, në Temal, fshatin alpin ku kishte lindur një ditë vere të vitit 1925, u detyrua të zgjidhte diçka të ngjashme me malet e tij, me vendlindjen e tij. Fshati malor Lenggries i krijonte mundësinë të binte në gjumë dhe të zgjohej nga gjumi me faqen e malit përballlë dhe kaq i mjaftonte mërgimtarit për të shuar mallin e tij.
Poeti i ri ëndërrimtar që arratisej nga Shqipëria në vitin 1948 për t’i shpëtuar ferrit komunist me siguri nuk ka menduar se ikja e tij do të ishte përfundimtare, fatale. Më vonë, duke u endur nga Beogradi në Romë, nga Roma në Mynih, do të kuptonte se ai mund të shkonte kudo me përjashtim të vendit të vet.Dhe ndoshta zgjedhja e fshatit malor Bavarez si vendqëndrim i fundit, është konsideruar prej tij si kthim në vendlindje.
Pamundësia për t’u kthyer në vendlindje ka rezultuar tragjike për jetën personale të poetit por fatlume për letërsinë shqipe. Sepse atë që nuk ka mundur të bëjë fizikisht e ka realizuar nëpërmjet artit të tij.Në asnjë vepër tjetër të letërsisë shqipe nuk gjejmë kaq shumë atdhe, kaq shumë fëmijëri, kaq shumë vendlindje.Vepra e tij është dëshmia më e mirë e përpjekjes për të mos e humbur atdheun, vendlindjen. Aty ai është me të gjitha aromat, ngjyrat, dritëhijet.
Emigrimi i parë i poetit nis qysh i vogël, kur largohet nga fshati për të hyrë në kolegjin saverian të jezuitëve në Shkodër. Fillimi i studimeve në këtë kolegj do të përcaktojë të ardhmen e poetit në shumë drejtime. Është emigrimi i parë prej të cilit lindin dhe emigrime të tjera dhe kjo do të jetë përcaktuese për fatin personal të poetit. Rruga e dijes e çonte gjithnjë e më larg, dhe për ata që e ndjekin me ngulm këtë rrugë kthimi është vetëvrasje. Ja pse pas kolegjit saverian ai duke ndier nevojën e shkollimit do të largohet nga Shqipëria për në Jugosllavi ku do të vazhdojë studimet në Universitetin e Beogradit studime që do t’i mbarojë në Romë në Universitetin La Sapienza ku edhe u doktorua me një studim për Mesharin e Buzukut. Në vazhdën e kësaj rruge në fillim të vitev 60 ai zhvendoset në Mynih, kësaj radhe jo në rolin e nxënësit por të mësimdhënësit, rrugë që e vazhdoi deri në fund të jetës. Camaj e ktheu katedrën e albanologjisë së Mynihut në një institucion dinjitoz të studimeve në këtë fushë.
Studimet e tij në kolegjin saverian janë përcaktuese edhe nga pikëpamja ideologjike, bindjet e tij ishin në kundërshtim me komunizmin dhe për këtë arsye të kësaj mospërputhjeje ai do të largohej nga Shqipëria duke kërkuar azil politik në vende që kishin më respekt për lirinë e fjalës dhe të medimit.
Por studimet në këtë kolegj do të ishin përcaktuese në mënyrë të veçantë për orientimin e tij kulturor dhe intelektual. Në përshtatje me formimin që ai merrte aty Camaj do të bëhet vazhduesi më i denjë i veprës së autorëve të letërsisë shqipe në gegnisht nga Budi tek Mjeda e Koliqi, ndoshta i vetmi autor modern shqiptar i denjë për të vazhduar trashëgiminë e ndritur të tyre. E zhvilluar në mënyrë të natyrshme dhe jashtë presionit të letërsisë dogmatike të realizmit socialist, vepra e Camajt është niveli më i lartë i zhvillimit të letërsisë moderne shqipe ose më saktë është ana tjetër e painfektuar e saj.

***
Nëse vepra e Camajt paraqet një univers të tërë që ngelet për t’u eksploruar nga lexuesi shqiptar, jeta e tij përbën një model që i duhet sugjeruar shoqërisë shqiptare.Camaj është intelektuali dhe krijuesi shqiptar që e realizon veprën e tij pavarësisht rrethanave ose që më saktë nuk i përdor kurrë ato si justifikim për mosrealizimin e saj.
Nga viti 1953 kur ai boton në Prishtinë veprën e parë të tij, vëllimin me poezi “Një fyell ndër male”, vargu i veprave të tij nuk ka të ndaluar edhe pse e di fare mirë se një pjesë e kësaj vepre do të ngelet larg lexuesit shqiptar për një kohë të gjatë. Përveç disa vëllimeve me poezi ku vlen të përmenden vëllimet “Legjenda” botuar në Romë në vitin 1964, “Lirika mes dy moteve” dhe “Njeriu me vete e me të tjerë”, botuar në Mynih njëri në vitin 1967 e tjetri në vitin 1978, Camaj është autor i romaneve “Djella”, 1964, “Dranja”, 1981, “Shkundullima”, 1981 dhe “Karpa”, 1987 si dhe autor i disa studimeve gjuhësore të rëndësishme.
Komuniteti i vogël i emigrantëve shqiptarë që e ka njohur Camajn e përshkruan atë atë si një intelektual tejet të kulturuar, të qytetëruar, e njerëzor por të patjetërsuar nga të jetuarit e gjatë në Perëndim.Njerëz të afërm të tij tregojnë një detaj që na konkretizon krenarinë e tij për vendin e origjinës dhe racën që përfaqësonte. Ndërsa paraqiste dokumentet për te filluar punë si lektor në Universitetin e Mynihut sekretarja duke kryer formalitetet e rastit e pyet për profesionin e të atit. Bari- i përgjigjet Camaj dhe meqë sekretarja e përsëriste pyetjen duke mos u besuar veshëve Camaj përsëriste përgjigjen i patrazuar: - Bari, -zonjë.
Kolegët shkrimtarë shqiptarë dhe institucionet e kulturës shqiptare e denigruan dhe e fyen shpesh herë Camajn, por ai nuk u soll kurrë në të njëjtën mënyrë me ta. Nga faqet e revistës “Shejzat” që ai botonte në Romë bashkë me Koliqin, Camaj i analizon pa mllef dukuritë e letërsisë shqipe dhe nuk është rastësi që Camaj qysh me botimin e librit të parë të Kadaresë paralajmëron shfaqjen e një shkrimtari të madh në letërsinë shqipe. Kadare më vonë do të jetë ndër të parët që do të thyejë heshtjen që mbulonte veprën e Camajt duke dhënë vlerësimin maksimal për të.
Camaj vdiq, në mars të vitit 1992, në Lenggries të Bavarisë. Erika, gruaja e tij gjermane, në përmbledhjen e veprave të tij të botuara në Shqipëri në vitin 1996 nga shtëpia botuese “Apollonia” shoqëruar me parathënie nga A. Klosi na ka sjellë fjalët e fundit të poetit: “Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë…gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time:ky vlerësim na afron.Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej.Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”.

 

 

Revista Spektër


 


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa