Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 
Sondazh

Bukuria, një çelës social? A duhet të jesh i bukur për t'ia dalë mbanë? Ja çfarë thonë psikologët!

Pushteti i vërtetë i bukurisë

Nga çerdhja, në shkollë e mandej në punë e në jetën private, pamja fizike bëhet një faktor diskriminimi. Të paktën kështu thonë psikologët dhe sociologët

Belina Budini(shekulli)
Një psikolog u tregonte disa bebeve në një ekran fytyra femërore që, pasi ishin testuar edhe më parë, konsideroheshin si të bukura dhe tërheqëse në krahasim me disa të tjera, që nuk ishin aq të pëlqyera. Në krye të ditës së tretë, bebet fiksuan më gjatë fytyrat e bukura sesa të tjerat. Rezultati u quajt i çuditshëm, por qe një leksion për pushtetin e bukurisë. Të paktën kështu u konsiderua nga psikologët dhe sociologët që drejtuan studimin në fjalë. Madje, edhe bebet u treguan të ndjeshëm ndaj estetikës, ndaj harkores së një qerpiku, kurbës së një buze, përvijimit të një qafe dhe perfeksionit të një hunde, të gjitha këto në një harmoni profilesh. Përfundimi: "Të gjithë njerëzit gjunjëzohen përpara bukurisë". Pyetjet që drejtojnë tani psikologët janë të tjera: A është bukuria një faktor diskriminimi për më pak të bukurit? Në shumë raste, përgjigja është "po". Edhe disa nga personazhet e bukurisë femërore dhe mashkullore shqiptare, këtë përgjigjie dhanë. Kjo ishte edhe përgjigja e psikologut të njohur, Edmond Dragoti.
Kërkimi
Një nga kërkimet më të rëndësishme të bëra për këtë çështje, është ai i dy studiuesve dhe kërkuesve kanadezë K.K. Dion dhe E. Berscheid, të cilët u dërguan nga një pyetësor lexuesve të një reviste të madhe. Duke u nisur nga 40 mijë përgjigjet që morën, ata nxorën përfundimin se njerëzit më të bukur konsiderohen zakonisht edhe më të ndjeshmit, më të dashurit, më të ngrohtët, më të fortët, më të ekuilibruarit, më shoqërorët dhe më të hapurit... Atyre u parathuhet një martesë e shkëlqyer dhe një karrierë jo më pak e ndritshme. Gjithçka fillon që në çerdhe, atëherë kur edukatorja i ka më përzemër bebet e bukura, pastaj në shkollë e mandej në punë e në jetën private. Po sikur pamja e jashtme të jetë një faktor negativ i diskriminimit social dhe gjenerues i pabarazive" Kështu pyesin psikologët, ndërsa fakt mbetet që për të bukurit hiret janë favor i madh. "Bukuria është rekomandimi më i mirë nga të gjitha letrat", - vërente Aristoteli. Ndërsa siç vërejnë studiuesit e huaj, më të mëdhenjtë e botës bëjnë shpesh këtë pyetje? "A dal mirë në televizor, a jam fotozhenik?". Në një kohë kur sloganet publicitare 'Ji i bukur" janë në kulm. "Lamtumirë lëkura të thata, thuajuni tungjatjeta përkëdheljeve", ky është slogani i markës "Garnier", mesazhe që duket se nënkuptojnë që bukuria është një pasaportë për përkëdheljet, për seksualitetin, për dashurinë, për suksesin dhe pasurinë. Ndërsa urtësia popullore, prej shekujsh, mëson të mos i zësh besë bukurisë. (Shikoji punën dhe jo gunën, fjalë e urtë popullore e trevave të veriut të Shqipërisë). Ndërsa një autor kinez ka shkruar se "Gjithë bota e di se bukuria është e bukur, ja ku qëndron shëmtia e saj"( Lao Tseu). Pra, duket se është e vërtetë që bukuria është një çelës social. Edhe nëse shpesh këtë çështje e zotëron hipokrizia, ndërkohë që look-u për njerëzimin po bëhet një obsesion. Nuk janë të panjohura dëshmitë e njerëzve që nuk kanë fituar vende të caktuara për punë, ngaqë janë të shkurtër, jo të paraqitshëm a të shëndoshë. Madje në njoftimet për vende pune kërkohet shpesh që kandidati të jetë i paraqitshëm sidomos kur bëhet fjalë për kamarierë, shitës, pra për persona që do të merren me komunikimin. Por punëdhënësit zakonisht nuk e pranojnë këtë gjë. Ose arrijnë të pohojnë vetëm që e shohin më shpejt një kandidat të bukur për punë sesa një tjetër, që nuk u bie fort në sy për hiret.
Karizma
Gjithë çështja është tek karizma. Janë dakord edhe punëdhënësit, edhe sociologët. Për punët që kërkojnë komunikim me njerëzit, preferohen kështu njerëz të bukur, ndërsa të tjerë, që mund të kenë aftësi komunikimi shumë të mira se të parët, mbeten shpesh pa u dëgjuar. Fajin e ka karizma! Në administratë, në universitete, në banka, në dyqane, në televizion, gjithkund rruga u hapet së pari njerëzve të bukur e karizmatikë. Madje edhe politikanët, biznesmenët etj, jo rrallëherë përfitojnë prej karizmës natyrale. Një profesor psikologjie tregon se edhe bebet janë viktima të diskriminimit. "Nëna luan më tepër me një bebe të bukur dhe e kundron më shumë atë. Një bebe i shëmtuar e tërheq më pak vëmendjen e nënës. Kështu ndodh edhe në çerdhe, edhe në kopsht, edhe në shkollë me ta, në qoftë se nuk zbukurohen gjatë rritjes", - thotë psikologu. Madje vërehet se njerëzit më të bukur kanë më shumë miq. Ndërsa një kërkues amerikan ka sintetizuar 113 studime mbi rezultatet shkollore dhe më të bukurit janë gjykuar shpesh dhe kudo si më të shkëlqyerit në mësime. Madje, mendohet se jo rrallëherë edhe trupat gjykuese kanë paragjykime lidhur me fizikun dhe pamjen e jashtme të të pandehurve dhe tentojnë lehtësimin e dënimit për ta. Sipas disa studiuesve amerikanë, të shëmtuarit gjykohen prej tyre shumë më ashpër se karizmatikët.
Shikimi i të tjerëve
Të gjitha strategjitë politikisht korrekte bëhen të pafuqishme përballë një fenomeni shumë më pervers: Penalizohen me indiferencë dhe madje me përçmim jo të bukurit, të cilët zakonisht mbyllen në vetvete dhe reagojnë shpesh me agresivitet. Ndërsa bukuroshët bëhen me kohë më të shoqërueshëm e sharmantë. "Çdonjëri përmbush rolin që pritet prej tij", - shpjegojnë vetë psikologët me teorinë e përmbushjes së profecisë vetiake. Sipas psikologëve ekziston një korelacion (lidhje) i fuqishëm mes bukurisë dhe vetëvlerësimit të femrave. Vërehet ndërkaq që shumë aktore të bukura vetëvriten aty rreth të 40-tave a të 45-tave, ndonjëherë edhe më herët, pasi janë mësuar duke qenë të konsideruara të bukura e nuk e presin dot plakjen si shëmti të paralajmëruar.


Valbona Selimllari
Nuk dua të më shohin më si Miss

"Mund të them se bukuria ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm në jetën time, në karrierën time, por do të cilësoja se ajo ka qenë kaq e rëndësishme për fillimet e mia. Unë u lançova në Shqipëri dhe në botë falë bukurisë sime. Mund të them se bukuria ka qenë çelësi i karrierës sime. Gjithçka që kam tani, nuk do ta kisha po të mos kisha hapur dyert me këtë çelës. Por tani, nuk dua të më shohin më si një miss. Fatmirësisht, unë vijoj të jem e bukur... Por, tani dua që njerëzit të më shohin si regjisore. Ju duhet ta keni vënë re se unë tani nuk shfaqem më para kamerave. Karriera ime është e destinuar për t'u bërë pas kuintave jo më si bukuroshe, por si një regjisore. Sa për biznesin, nuk dua që njerëzit të më shohin si biznesmene. Unë nuk kam për t'u bërë kurrë e tillë. Rruga ime është ajo që më ka injektuar, regjisorja Vera Grabocka. Me ndihmën e saj shpresoj të krijoj një karrierë të re si regjisore, pasi ajo që dua mbi të gjitha është televizioni", - thotë për "Shekullin" misi i parë shqiptar dhe e kurorëzuara si Missis Globe, Valbona Selimllari.

Olti Xhezo
"Si avokat, bukuria më ndihmon pak"

"Padyshim që bukuria më ka ndihmuar jashtë mase. Qe një konkurs bukurie që më bëri të njohur, që më dha gjëra që më parë nuk i kisha. Falë fashës si Mister Albania u angazhova në botën e spektaklit. Por në punën tjetër timen për të cilën jam shkolluar, pra si avokat në zyrën time, them se ndikimi është minimal për të mos thënë i papërfillshëm. Tjetër gjë ndodh në botën e modës, të spektaklit e të televizionit. Tani për shembull jam duke punuar për një spektakël ku do të jem prezantues. E kam provuar prezantimin edhe herë të tjera, por është hera e parë që do të prezantoj një spektakël. Në krah do të kem një miss, që është bukuroshja, Amantia Latifi. Bëhet fjalë për një konkurs stilimesh për kostume banjoje që do të zhvillohet në qytetin e Durrësit. Edhe deri këtu, erdha falë bukurisë...", - kështu shprehet misteri i parë shqiptar, Olti Xhezo.


Edmond Dragoti:
"Shefave u pëlqejnë të bukurat"

"Le ta themi, bukuria ka ndikim të madh, sidomos përsa i takon syrit me të cilin shihen femrat e hijshme. E kam fjalën tek syri me të cilin shefat i shohin ato. Pa frikë, them se bukuria u hap atyre të gjitha dyert. Lehtëson së tepërmi komunikimin mes të dyja palëve, në rastin që theksoj, kandidatit për punë dhe punëdhënësit. Bukuria e vendos femrën e bukur ndër më të preferuarat e shefit Vështirësia vjen atëherë kur bukuroshes i duhet të bëjë edhe ndonjë punë. Por karriera e saj ecën shkëlqyeshëm kur shefit nuk i duhet puna e saj. Ndërsa për meshkujt, mund të them se nuk ndodh e njëjta gjë. Ata parapëlqehen të kenë aftësi për t'u përshtatur. Kur ata i përshtaten shefit, zëre se janë të bukur. Nuk ka rëndësi fytyra e bukur për një mashkull. Për t'i marrë në punë, shefat shohin se sa janë të aftë këta t'u shërbejnë. Shohin gjithashtu mundësitë që kandidatët meshkuj kanë për të gjetur zgjidhje për probleme të ndryshme profesionale. Ky është kriteri mbi të cilin përzgjidhen meshkujt", - prononcohet për "Shekullin" psikologu i njohur, Edmond Dragoti.


 

 

(marre nga Gazeta Shekull)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa