Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Edhe këtë herë Bleona Qereti kishte menduar të shfaqej brenda stilit të saj "jo serioz", për të qenë në skenë krejt ndryshe nga e përditshmja. Ndërsa komentet e gjykimet për atë natë nuk kanë pushuar ende, këngëtarja shpjegon se e tillë ka për të qenë gjithmonë…të thonë ç'të dojë njerëzia

Bleona Qereti : "Pse u zhvesha në skenë"

Zhurma, fishkëllimat, ulërimat që zaptuan sheshin "Skënderbej" në koncertin e madh të "Elita 5" dhe Bleona Qeretit janë shuar që nga ajo natë. Vendin e tyre e kanë zënë pëshpërimat, gjykimet që thuhen herë me zë të lartë e herë pa zë fare. Në vorbullën e tyre vërtitet (pa dyshim) Bleona Qereti, veshja e saj ekstravagante, e trasparente deri në guxim të tepruar. Atë natë kur këngëtarja u shfaq e tillë në skenën e madhe, një pjesë e njerëzisë shqiptare fishkëllente dhe kërcente nën tingujt e këngëve të saj. Një pjesë tjetër qeshte nën buzë. E një tjetër belbëzonte-"Ç'bëhet kështu more zot". Ndërsa atje mbi skenë, Qereti këndonte për qejfin e saj e bindur se ia kishte arritur qëllimit…se e kishte realizuar çudinë e radhës, ashtu si gjithmonë.
* * *
Të nesërmen e asaj nate, edhe ata njerëz që nuk e panë "live" zhveshjen e Qeretit në skenë, diçka panë në publikimin e fotografive të koncertit. Diçka dëgjuan në komentet e njerëzve. Dhe nisën të ngrenë edhe ata botën e tyre të gjykimit ndaj ndodhisë së radhës. Kështu që nga ajo natë (10 tetori) veshja tejet transparente e Bleona Qeretit nuk u ka dalë nga mendja dhe goja njerëzisë shqiptare. Dikush thotë se ajo po përpiqet të imitojë ekstravagancën dhe mënyrën e zhveshjes skenike të Madonës dhe Adelina Ismajlit. Dikush thotë se ajo ç'është e vërteta kështu e çuditshme është shfaqur që në herën e saj të parë…me një pelerinë të rëndë të cilën e hoqi në skenë për të mbetur me një palë kominoshe (pantallona) shumë të shkurta. Ishte një festival i muzikës së lehtë të fundvitit ku ajo u prezantua si këngëtare e re me këngën "Lërmëni…unë s'ju përkas juve". Që nga ajo herë, çudirat "ala bleonë" kanë qenë të shumta. Më e madhja ishte pak kohë më parë, në po atë shesh "Skënderbej". Veçse në një koncert të disa djemve të tjerë. Ishte nata e grupit "DJ Bobo" kur Qereti çoroditi publikun me veshjen e saj "të çarë" anekënd trupit. Edhe atëherë gjykimet zgjatën ditë e netë me radhë. Por për Qeretin pak rëndësi kishte se ç'thoshin të tjerët. Ajo vetë ndihej e arrirë.
* * *
Kështu ndihet edhe këtë herë. Prej 40 ditësh, që nga mbarimi i turneut të saj kishte menduar e punuar për këtë natë. "Përderisa publiku do të vinte në shesh për të më parë mua, detyra ime ishte të mendoja që të bëja maksimumin në të gjitha elementet e koncertit. E mes këtyre elementëve ishte dhe veshja sigurisht"-Ende e raskapitur nga e gjithë ajo që ka kaluar, Qereti tregon hapur se nuk i bëjnë aspak përshtypje se çfarë thonë të tjerët- "Edhe Krishti ka pasur njerëz pro dhe kundër tij, kështu që edhe ndaj meje sigurisht që do ketë njerëz që më gjykojnë për keq. Unë kam hulumtuar në treg para se të dilja atë natë ashtu dhe 90 për qind e njerëzve ishin pro idesë sime"-Pra ishin të mendimit që Bleona të shfaqej sërish ashtu sipas mënyrës së saj. "Në fillim dola e mbuluar me veshjen e murgeshës për të përcjellë drejpërdrejti mesazhin tim në këngën "S'më bëhet vonë". Ishte ky një mesazh që u drejtohet gjithë vajzave që janë të censuruara, që edhe pse në fakt nuk e kanë mbi vete pelerinën e murgeshës në shpirt ndihen të tilla. Unë duke e hequr në skenë atë pelerinë u thashë vajzave që ta zhdukin cenzurën që po i mbyt". Më pas pantallonat e shkurtra u zëvendësuan me një veshje të tejdukshme të cilën bleona e kishte zgjedhur jo pa qëllim-"Doja të tregoja Bleonën, personalitetin tim në skenë. Unë kjo kam qenë gjithmonë në skenë dhe nuk kam pse të ndryshoj e të shfaqem serioze. Më mjafton të jem e tillë në jetën time të përditshme". Ishte pikërisht kjo veshja që e futi Qeretin edhe një herë në vorbullën e gjykimit. Por asaj aq i bën. Tregon se këto veshje i ka zgjedhur enkas për këtë koncert në Gjermani. "Ndërsa dy veshjet e para ishin studiur me kujdes, e treta ishte thjesht në përshtatje me muzikën dhe tekstin e këngës së "Elita 5". Por gjithsesi ishte brenda stilit tim".
* * *
I ka dëgjuar dhe thëniet se po mundohet të imitojë Madonën dhe Adelina Ismajlin ndaj dhe mundohet të shpjegojë se -"Madonën sigurisht që e shoh me kujdes sepse ajo është një artiste e madhe që ka vite që i reziston skenës dhe ke se çfarë të mësosh prej saj. Ndërsa përsa i përket Adelina Ismajlit, profili im dhe muzika ime janë shumë larg saj. Fakti që ne ngjasojmë disi në flokë dhe në portret nuk do të thotë aspak që unë përpiqem të imitoj atë". Këmbëngul që është vetvetja dhe askush tjetër, që ka ndërtuar tashmë stilin e saj skenik të cilin as që ka ndërmend ta ndryshojë. S'i bëhet vonë se ç'thotë njerëzia, dëgjon veç mendjen se çfarë i thotë. Kështuqë edhe në të tjera shfaqje, Bleona Qereti e tillë do të jetë…tejet trasparente në feminitetin e saj.

 

 

 

Pas koncertit
Dhembja e këngëtares

Askush nuk e ka kuptuar se në shfaqjen e saj të tretë me djemtë tetovarë, Qereti ka qenë shumë e sëmurë. E megjithatë ajo ka kënduar. "Aty pas kuintave ndërsa prisja radhën ndihesha shumë keq dhe nuk merrja dot frymë. Ndieja një dhimbje të tmerrshme në stomak. Por nuk mundesha të anulloja daljen me djemtë e "Elita 5" dhe durova nuk e di se si"-Vetëm kur koncerti kishte mbaruar, Qereti ishte lëshuar e tëra në dhimbjen e saj. E kishte lënë gjithçka edhe festimin e mbarimit të koncertit, edhe darkën që do të hante me djemtë tetovarë dhe ishte mbyllur në shtëpinë e saj-"Për orë të tëra kam uluritur nga dhembja e stomakut. Ishte gjithë stresi i atyre ditëve që po më çlirohej ndaj dhe ndihesha shumë keq. Kishin kaluar shumë ditë të ngarkuara jo vetëm me lodhjen fizike për të vënë në vijë gjithçka por dhe me emocionin e të qenurit ashtu si duhet në syrin e fansave të tu"-Pohon se është e bindur se pas gjithë kësaj e ka shlyer borxhin që kishte ndaj adhuruesve të saj…me të gjithë elementët e menduara me kujdes për atë koncert, mes të cilave ishte dhe "look"-u i jashtëm.

 

 

(marre nga shekull)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa