Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Ymer bej Berati kujton: "Dikur, kush shkulte dhe merrte gurin e rrugës, gjykohej në sy të mëhallës"

Në vend të kalldrëmeve, baltë dhe beton


Rreth 20 km rrugë të kalldrëmta në 10 vitet e fundit po përjetojnë degradimin fizik


BERAT- Berati nuk mund të cilësohet më qyteti me rrugë të kalldrëmta. Rreth 20 km rrugë të kalldrëmta, brenda lagjeve historike, në 10 vitet e fundit po përjetojnë degradimin fizik. Banorët në këto vite kanë pasur dorë të lirë që t'i shkulin kalldrëmet nga rrënjët. Sipas evidentimeve të bëra nga specialistët e monumenteve, janë rreth 9 kilometra rrugë kryesore kalldrëm, të zhdukura pothuajse plotësisht, ndërsa 8.5 kilometra rrugica i ka përpirë kazma e qytetarëve. Nëse rrugët kryesore të kalldrëmta, që lidhin lagjet me qendrën e qytetit, me gjithë shkatërrimet, po rezistojnë ende, rrugicat në disa lagje po zhduken krejt, si në lagjen "Kodra e Sulmit", "Muzakë", "Vakëf", "Goricë". Gurët janë zhdukur e, në vend të tyre, ka baltë, janë hedhur bazamente zhavorri e betoni. Nga kjo duket se institucioni i vetëm për mbrojtjen e tyre, Atelieja Rajonale e Monumenteve të Kulturës, nuk ka bërë asgjë për të ndalur këtë masakër. E vetmja masë që është marrë ka qenë ndonjë parullë standarde: "Mbroni kalldrëmet" ose "Monument kulture, mbrohet nga shteti", të shkruara mbi copëra llamarine.. Më tej… asgjë!. Edhe kur ndonjë ka parë që kalldrëmet janë shkulur, është mjaftuar duke njoftuar policinë e Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, ndërsa për këtë masakër është folur edhe në ndonjë simpozium.

Rrëfejnë të moshuarit
90-vjeçari Ilmi Salillari, një nga banorët më të vjetër të qytetit të Beratit, tregon se këto kalldrëme janë ndërtuar "me thonj, brez pas brezi". "Kishte ustallarë në këtë punë, që vinin dhe nga matanë detit, sa u mësua zanati, pastaj dolën beratas me emër, që ia morën dorën. Kalldrëme në Berat kanë ndërtuar edhe ushtarët italianë, në vitet 1940-'43, kryesisht në lagjen 'Goricë', në Lagjen e Bregut e deri në faqen verilindore të Kalasë së qytetit",- kujton Salillari. Të moshuarit kujtojnë se kalldrëmi u bë pjesë e qytetit. U shtruan me gurë zalli të bardhë, të zi e gri jo vetëm rrugët, por edhe oborret e shumë shtëpive, madje dhe lulishtja buzë Osumit, e ndërtuar që në vitin '26. Rrugicat dhe poltronet e stolave në lulishte ishin me kalldrëm. Ndërsa i moshuari Qazim Çorraj tregon se në vitet 1910-'30, banorët e shtëpive në kodrat e qytetit çonin çdo mbrëmje në banesat e tyre gurë lumi për kalldrëm, ngarkuar e transportuar me kosha në kafshë. Ata shtronin ndonjë pjesë të vogël rruge, oborrin…Këtë gjë e bënin vetë, nuk i detyronte askush. Gurë-gurë u ndërtua kjo pasuri kalldrëmesh. Lulishtari i njohur i qytetit, 80-vjeçari Ymer (bej) Berati, thotë: "Mbaj mend nga fëmijëria ime, që bëhej nami po të hiqej një gurë nga kalldrëmi. Kush shkulte dhe merrte gurin e rrugës, gjykohej në sy të mëhallës(lagjes) dhe dënohej të mirëmbante kalldrëmin e rrugicës për një muaj radhazi". Kjo edukatë në mbrojtje të kalldrëmeve vazhdoi deri në fillim të viteve '80. Më pas, pak e nga pak ajo u venit. Shenjat e para të shkatërrimit të rrugëve e rrugicave të gurta u shfaqën në vitet 1986-1987, në lagjet "Kodra e Sulmit", "Goricë", "Muzak" e "Vakëf", ku filloi shkulja e gurëve të tyre, për të bërë murre rrethuese, oborre, kotecë e kasolle bagëtish. U ngushtuan rrugët e rrugicat nga ndërtimet dhe shtyrja e gardheve. Edhe lagjja "Mangalem", ku kalldrëmet thuajse nuk janë prekur, vuan mosmirëmbajten nga ana e shtetit. Janë dhënë disa fonde, por pa ndonjë efekt të dukshëm.

Si mbrohen kalldrëmet?

Kur pyet në bashki për këtë çështje, nuk ka asnjë reagim. Ndërsa përfaqësuesit e prefekturës paraqiten si më të shqetësuar në deklarimet e tyre: "E kemi në projektet tona, kemi kërkuar të akordohen fonde". Në Atelien Rajonale të Monumenteve të Kulturës të nxjerrin disa shkresa e projekte, hartuar që në kohën e socializmit, kur ministër Arsimi dhe Kulture ishte Skënder Gjinushi?!! Pastaj të tregojnë disa shkresa të tjera, firmosur që nga koha kur ministër Kulture ishte Teodor Laço! Specialistët e monumenteve të thonë se këto copëra letrash janë bërë prezente tek çdo ministër pasardhës, por…ata madje të thonë se janë bërë edhe mbledhje për "mbrojtjen" e kalldrëmeve! Është kërkuar ndihma e policisë, është sensibilizuar opinioni. Të vetmit që kanë dhënë alarmin dhe janë përpjekur të dalin në mbrojtje të kalldrëmeve të lagjeve të tyre, , megjithëse nuk kanë asnjë gjë në dorë, janë disa qytetarë, veteranë e të moshuar, të cilët, si mjet për të mbrojtur kalldrëmet, kanë përdorur letrat dërguar në bashki, prefekturë e polici.

Rrugicat që kërkojnë… ndihmë

Shkatërrimi i kalldrëmeve nga një pjesë e banorëve të lagjeve dhe mungesa e projekteve për rehabilitimin po çon në zhdukjen e tyre. Lejimi i betonimit të rrugicave dhe i asfaltimit të rrugëve të kalldrëmta është qëndrim miratues i Ateliesë Rajonale të Monumenteve të Kulturës dhe indiferencë e plotë e bashkisë së qytetit. Këto rrugë e rrugica që po zhduken, kërkojnë ndihmë. "Rikthimi i vlerave, rehabilitimi i pjesëve të dëmtuara dhe marrja në mbrojtje e pjesëve të padëmtuara, duhet të jenë patjetër objekt i veprimit të përbashkët të institucioneve përgjegjëse",- thotë i moshuari Salillari. Nga qeveria dhe nga pushteti vendor, për 11 vjetët e fundit, nuk është akorduar asnjë fond për të mirëmbajtur, rehabilituar dhe rikthyer këto "gjymtyrë" vlerash muzeale, që po u hiqet edhe "guri i themelit".
Sulo Gozhina

Dikur i mirëmbanin me mburrje

Pjesa më e madhe e banorëve të Beratit kanë gjurmët e duarve të tyre në afro 30 kilometra art ndërtimor. Edhe brezi i banorëve beratas, që tani është 45 vjeç, por edhe më të rinjtë, kanë kontributin e vet në këtë punë, por që, dashur pa dashur, është bërë pjesë e shkatërrimit. Rreth 35 vjet më parë, gurëgdhendësit e vegjël beratas, (45-50-vjeçarët e sotëm), i shkruajtën një letër ish-diktatorit Enver Hoxha, nëpërmjet së cilës i tregonin me mburrje se po shtonin e po mirëmbanin kalldrëmet e qytetit të tyre muze. Ajo letër ndodhet në arkivin e rrethit. Po ta rilexosh, mëson se ish-pionierët dhe fatosat e djeshëm të këtij qyteti merrnin gurë buzë lumit Osum dhe me çekanë e me dalta ndërtonin kalldrëme të reja dhe riparonin pjesët e dëmtuara. Ndërsa tani…

Kronika, sipas raportimeve zyrtare

Lagjet "Kala", "Kodra e Sulmit", "Vakëf", "Goricë", "Mangalem", "Murat Çelepi" dhe "Muzakë", që janë vatrat e ngulimeve të para 2400- vjeçare ose ato që përbëjnë, siç thuhet, "gurin e themelit" dhe bazën e krijimit të qytetit muze të Beratit, kanë si infrastrukturë rrugore brenda tyre vetëm kalldrëmet. Rrugët që lidhin këto lagje me qendrën e re të qytetit, ndërtuar pas vitit 1945, janë të gjitha të gurta, ndërtuar me gurë zalli e pllaka guri, gri e të bardhë. Ato zgjaten deri në rrugën kryesore. Rrugët e kalldrëmta kanë gjerësinë e nevojshme të kalimit të karrocave dhe të karvaneve, duke mbajtur parasysh këtë nevojë të asaj kohe, që tashmë u përshtatet edhe makinave. Të pesë lagjet kanë rrugët kryesore dhe rrugicat brenda tyre, që gjarpërojnë e kryqëzohen me njëra-tjetrën, duke lidhur çdo portë e kopsht, pa pasur asnjë centimetër boshllëk. Horizontale e të pjerrëta, me kanale kulluese anësore, ato janë ndërtuar nga nevoja e banorëve të këtyre lagjeve, si e vetmja "teknologji" e kohës për lëvizje lehtësuese, përdorur dendur gjatë dy mijëvjeçarëve, por që tashmë, përveç anës funksionale, përbën dhe një element të spikatur muzeal e historik.

 

(marre nga Shekulli)


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa