Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Baleti 40-vjeçar “Halili dhe Hajria” rishfaqet në interpretimin e katër brezave balerinësh, që prej interpretuesve të parë, tek nxënësit e shkollave. Pavarësisht subjektit heroik, shkruar dekada më parë, nën koreografinë e Agron Aliajt, interpretimin e Ilir Kernit, shfaqja e kësaj vepre kombëtare, është pritur mjaft mirë nga publiku

“Halili dhe Hajria”, pak epos oriental në kohët moderne


Alma Mile
Gjatë periudhës së përgatitjeve, pati shumë nga ata që e quajtën demode, të tjerë thanë që ishte një hap i nxituar, megjithatë, publiku i mbrëmshëm tregoi se kishte kohë që e priste shfaqjen e kësaj vepre. Baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, pas 20 vjet mungese, është shfaqur mbrëmjen e së dielës në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Skena betejash masive, fitoresh, rrëmbime vashash, malësorë me mustaqe një pëllëmbë e qeleshe të bardha, turq çallmazinj dhe hareme sulltanësh, kanë ardhur për publikun mes interpretimit të katër brezave balerinësh. Në përvjetorin e 40-të të kësaj vepre, janë shfaqur në skenë Llaqi Nako e Dionis Romano, dëshmitarë të shfaqjes së parë të këtij baleti, Ilir Kerni, një interpretues më i vonë, balerinët aktualë të TOB-it, si Enada Hoxha, Gerd Vaso, Dion Gjinika, Eva Seraj e një numër i madh studentësh e nxënësish të Akademisë së Arteve dhe Shkollës së Baletit. Ky gërshetim brezash, solli në skenë eksperiencën shumëvjeçare të brezave të parë, pjekurinë e balerinëve të TOB dhe naivitetin e gjallërinë e më të rinjve, që ëndërrojnë rolet kryesore. Baleti “Halili dhe Hajria” ngritur mbi dramën e Kol Jakovës, me libret të Panajot Kanaçit dhe muzikë të Tish Daisë, është rivënë në skenë sipas libretit dhe koreografisë të mjeshtrit Agron Aliaj, i cili duket se përmbushi premtimin e parashfaqjes, për të risjellë emocionet e 40 viteve më parë, pavarësisht numrit të pakët të balerinëve të TOB-it. Ndonëse koreografia i kishte qëndruar besnike krijimit të Panajot Kanaçit, mjeshtri Aliaj, ishte munduar ta përshtaste dhe ta sillte më në kohë, duke i dhënë lëvizjeve më tepër dinamikë dhe energji. Gjithashtu u ka dhënë më tepër ngjyrime njerëzore personazheve kryesore. Kështu Hajria, e interpretuar nga Enada Hoxha, sillte mjaft natyrshëm figurën e vajzës shqiptare, të motrës dhe të nënës, ndjenjën mëmësore për foshnjën dhe përplasjen shpirtërore që ndodhte brenda qënies së saj. Të vriste ose jo foshnjën, gjakun e saj, fryt i martesës me një tradhtar, ishte dilema, e cila e mundonte Hajrien, e cila nuk na paraqitet si një burrneshë, por si një grua, që nuk di ç’anë të mbajë.
Por surpriza e premierës së mbrëmshme, ishte padyshim prania e Ilir Kernit, i ardhur prej Kroacisë, për të interpretuar në këtë balet. Për Kernin, ky nuk ishte interpretimi i parë në rolin e Halilit dhe ndryshe nga balerinët e tjerë më të rinj, të mbushur plot emocione, ishte shumë më i qetë dhe komod. Sipas tij, baleti “Halili dhe Hajria” është një vepër kombëtare, për të cilën duhet të krenohemi që e kemi.
Krahas interpretimeve individuale të Kernit, Hoxhës, Vasos, Gjinikës, Bazes, etj, të cilat janë duartrokitur gjatë pas çdo tabloje, publiku ka mirëpritur në veçanti, pjesët e mbështetura në vallen popullore shqiptare, kryesisht në atë të veriut, si dhe me motive orientale, e cila jepte atmosferën e haremeve turke.
Gjithsesi, shfaqja nuk do të kuptohej pa skenografinë, e cila i ishte përshtatur bukur për çdo skenë ngjarjeje. Gjithashtu efekte të veçanta të krijuara me anë të ndriçimit, shoqëronin edhe ndryshimet emocionale, konfliktet shpirtërore, apo dyzimin e personazheve. Skenografia dhe kostumografia, të cilat u krijuan rishtaz për këtë edicion të tretë të baletit, u realizuan nga skenografi Shaban Hysa. Po kështu një rol vendimtar në realizimin e suksesshëm të kësaj vepre, ka luajtur edhe orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit, drejtuar nga dirigjenti Edmond Doko, e cila risolli edhe njëherë emocionin e muzikës së Artistit të Popullit, ndarë para pak kohësh nga jeta, Tish Daija. Baleti “Halili dhe Hajria”, do të shfaqet për publikun edhe ditën e sotme, në datat 29 dhe 31 tetor, nën interpretimin e balerinëve të tjerë.


Kerni, asi nën mëngë

Publiku është entuziazmuar mjaft, kur në skenë është shfaqur balerini Ilir Kerni, i cili në një farë mënyre është shfrytëzuar si reklamë për shfaqjen dhe në të njëjtën kohë edhe si garanci e suksesit të saj. Për Kernin ishte edicioni i dytë, pas atij të vitit 1983, gjatë të cilit ai interpretonte rolin e Halil Garrisë. Por ndonëse bëhej fjalë për një rol, të cilin e ka interpretuar shumë herë, për Kernin ishin shumë të forta emocionet e rikthimit në skenën e dikurshme. Përveç kësaj, shfaqja e mbrëmshme, ka qenë tepër e veçantë për balerinin energjik, pasi ka mbushur plot 25 vjet nga hera e parë që është ngjitur në skenë. Pas shfaqjes, Ilir Kerni, nuk është mjaftuar duke përshëndetur publikun që nga skena, por ka zbritur në sallë dhe është përqafuar me të njohur e të panjohur. Madje kishte dhe nga ata, që e shfrytëzuan atë moment të shkurtër për t’i rrëmbyer ndonjë autograf balerinit të talentuar, i cili nën veshjen e malësorit dhe mustaqet e gjata, të jepte përshtypjen e një kreshniku të legjendave të Mujit dhe Halilit.


Lule “të munguarve”

Para se perdet e rënda të ngriheshin dhe skenën ta pushtonin balerinët, drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko, i ka drejtuar një mesazh publikut. Përveçse u ka uruar një shikim të këndshëm të premierës së baletit 40-vjeçar, ai ka shprehur në emër të gjithë artistëve dhe të pranishmëve në sallë, nderimin dhe mirënjohjen për artistët që krijuan këtë shfaqje, koreografin Panajot Kanaçi dhe kompozitorin Tish Daija, të cilët janë ndarë nga jeta. Ky nderim ka vazhduar edhe pas përfundimit të shfaqjes. Pasi perdja kishte rënë dhe publiku ishte çuar në këmbë për të duartrokitur balerinët, dy interpretuesit kryesorë të shfaqjes, Ilir Kerni dhe Enada Hoxha, janë shkëputur prej kolegëve të tyre dhe u kanë dhuruar nga një buqetë me lule, bashkëshorteve të Kanaçit dhe Daisë, të pranishme në premierën e shfaqjes, në shenjë respekti për veprën e artistëve të mëdhenj të baletit dhe muzikës shqiptare. Veprim ky tepër emocionues, i cili është mbështetur me duartrokitje nga i gjithë publiku në sallë.


 

Gazeta Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa