Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Albumin e fundit të këtij këngëtari mund ta gjeni duke klikuar këtu

Për dy net me radhë, në Pallatin e Kongreseve prezantohet albumi i ri i kantautorit Ardit Gjebrea, “Ja ku jam”. Dy net spektakël me këngë të reja, të ftuar dhe të papritura

Ardit Gjebrea: Nuk më keni njohur


Alma Mile

Për të kjo është mënyra më e mirë për t’iu thënë “Të dua!”, të gjithë njerëzve të tij të dashur, jo vetëm familjes, miqve, por edhe publikut. Pas 6 vjet mungese, Ardit Gjebrea kthehet sërish në Pallatin e Kongreseve, për të promovuar albumin e tij të tretë “Ja ku jam”. I planifikuar për tu zhvilluar vetëm natën e Shën Valentinit, për shkak të interesimit të madh të publikut, i cili gjithashtu e ka konsideruar këtë eveniment si një dhuratë dashurie, do të zhvillohen dy koncerte, në datat 14 dhe 15 shkurt. “Dëshirojmë që këtë koncert t’ia dedikojmë të gjithë të dashuruarve dhe mendoj se Arditi është personi më i përshtatshëm për ta bërë një gjë të tillë”, - është shprehur kantautori i njohur italian Gaxibo, producent artistik i albumit “Ja ku jam”. Për italianin që ka kuruar dy albume të Gjebresë, ky i fundit është më i miri. “Mendoj se ky është albumi i pjekurisë së Arditit, një album i cili përmbledh të gjitha eksperiencat e tij, ato të diskut të parë, të “Projekt Jon”, gërshetuar me muzikën e së ardhmes. Ai është si vera e vjetër, që hapet në kohën e duhur”, - shton ai. Por duket se edhe vetë kantautori shqiptar, është i të njëjtit mendim. “Në këtë album unë jam më i pjekur, më me kohën, më modern, më i fuqishëm.”

Pas një shkëputjeje prej 6 vjetësh, çfarë përfaqëson për ju ky koncert?
Shumë energji, shumë mund, shumë djersë, por pse jo edhe magji. Kam bërë të gjitha përpjekjet, kam shfrytëzuar të gjitha njohjet e mia, për të bërë diçka të veçantë, të sjell këtu instrumentistë italianë, balerinët rusë, studentë të Akademisë së Arteve, Gaxibon, si producent artistik, etj. Por nuk mund të mos përmend faktin që pas spektaklit qëndron regjisorja, Vera Grabocka. Do të jetë një formacion prej 31 vetësh në skenë dhe 14 balerinë, një ushtri e tërë. Përsa i përket ndriçimit dhe fonisë, ajo u është besuar specialistëve të ardhur nga Greqia, por edhe stafit shqiptar të Gëzim Tufës. Një bashkëpunim shqiptaro-greko- italiano-rus.
Pse keni zgjedhur datën 14 shkurt për promovimin e albumit tuaj?
Nuk mund të gjeja dot mënyrë më të mirë për t’i thënë “Të dua!”, publikut tim. Por publiku më është përgjigjur përpara se unë t’ia thosha një gjë të tillë, me interesimin e tij. I detyruar nga kërkesat e tyre, por edhe nga dashuria që kam, do t’u dhuroj dy netë spektakël. Unë jam shumë i lumtur që do të jap një tjetër koncert në datën 15, sepse mendoj që pas karikimit të një nate më parë, koncerti i dytë do të jetë një shpërthim. Do të kisha dashur të kishte dhe një datë 16, por kjo është e pamundur, sepse ekipi grek dhe instrumentistët italianë nuk do të jenë. Por mendoj se do të jenë koncerte shumë të bukura, megjithëse nuk më takon mua që ta them një gjë të tillë.

Ku ndryshon ky album nga dy të parët?
Ky album jam unë. Jo se në dy të parët nuk ka qenë kështu, por këtë herë jam unë më i pjekur, më me kohën, më modern, më i fuqishëm, jam unë ajo bisha artistike, nëse do ta quaj veten kështu. Këtë herë, i kam të gjitha pikët e mundshme që të shpërthej.

Kujt ia dedikoni këtë koncert?
Ashtu si edhe e kam bërë dedikimin tim në album, këtë koncert ua dedikoj familjes sime, nënës, bashkëshortes, djalit, babait që më mungon, por që ai është.

Cila do të jetë kënga që do të hapë koncertin?
Kënga e parë që do të hapë koncertin është “Flas me hënën”, por se nga do të dal nuk ua them, por do të dal andej nga s’ka dalë askush deri më sot.

Përveç krijimeve të albumit të ri, do të ketë edhe këngë të albumeve të tjera?
Krahas këngëve të reja, do të këndoj edhe 4 këngë nga albumi im i dytë, sepse dëshiroj që të vendos një kontakt më të afërt me publikun dhe ai të këndojë bashkë me mua.

Kë do të veçonit si këngën më të bukur të koncertit?
Nuk mund të veçoj se cila është më e bukura, pasi për mua janë të gjitha të tilla…Por mendoj se kënga më e bukur e koncertit, do të jetë publiku.

Mund të zbuloni ndonjë detaj…
Nuk do të doja të zbuloja shumë detaje nga koncerti, sepse do të doja që i pari që do ta shijojë këtë koncert, të jetë publiku i sallës. Do të këndoj, kërcej…, të jeni të bindur që do të jem i paparashikueshëm. Ende nuk më keni njohur.


Shekulli
15 Shkurt 2004


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa