Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Projekti i gushtit në Apolloni, në gjurmë të amforave të zbuluara në vitin 1930 nga arkeologu francez, Leon Rei. Janë rreth 100 enë, të shek.IV-III para Krishtit, të vendosura në qendër të qytetit antik. Për herë të parë vihet dorë mbi këto objekte, gati të shkatërruara

Rizbulohen amforat nga pinin verë apollonasit

Alma Mile
Thonë se të gjithë apollonasit kishin pirë nga ajo verë dhe kur nuk kishte mbetur më asnjë pikë, i kthyen amforat përmbys dhe ngritën një lapidar për nder të atletit fitimtar. Kanë kaluar qindra shekuj që atëherë dhe ato gjenden sërish aty, në qendër të qytetit antik të Apollonisë, por tashmë të copëtuara dhe pa formë. Ishin vitet ’30, kur një grup arkeologësh francezë, drejtuar nga Leon Rei, në kuadrin e një marrëveshjeje mes qeverisë së Zogut dhe asaj franceze, erdhën në qytetin e lashtë, për të kryer gërmime. Në qarqet shkencore njihet dhe vlerësohet kontributi i arkeologut francez. Ai bëri në Apolloni atë që paralelisht bënte arkeologu italian në Butrint, Luixhi Ugolini. Eshtë Leon Rei ai që hapi muzeun e parë arkeologjik shqiptar, në Tiranë.
Kështu, gjatë punimeve pranë tempullit të mrekullueshëm të Agonotetëve, Rei nxori në dritë rreth 100 amfora, vendosur një mbi një. Ndonëse kanë kaluar shumë vite prej atëherë asnjë studim nuk iu është kushtuar këtyre objekteve, të cilat mendohen të jenë të tipit greko-italik dhe i përkasin shek.IV-III, para Krishtit. Sipas drejtorit të Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë, pranë Institutit të Kulturës Popullore, Frederik Stamati, gjatë viteve të fundit, si rezultat i shkarjes së një mase dheu, kanë dalë në dritë, disa amfora të tjera, të cilat mendohet t’i përkasin një shtrese të dytë. Këto ditë, në Apolloni, prej një grupi specialistësh të fushës së studimit të amforave, të përbërë nga shqiptarë dhe francezë do të nisë një ekspeditë komplekse, e cila synon studimin dhe shpëtimin e këtyre enëve. Në kohën e zbulimit të tyre, por edhe disa vjet më vonë, enët rezultonin të plota, kurse tani ato kanë mbetur vetëm një masë e madhe qeramikash. Në laborator, ruhen ende fotografi të atyre viteve, që dëshmojnë për një gjë të tillë. “Thyerja e tyre ka ndodhur si rezultat i veprimit të proceseve klimaterike dhe fizike dhe shumë pak prej veprimit shkatërrues njerëzor”, - thotë Stamati. Rreth viteve’74-’75, u hodh ideja që këto objekte të lëvizeshin prej andej, për t’u ruajtur, por ky mendim u rrëzua, pasi vendi i tyre ishte aty, për të dëshmuar faktin arkeologjik. Për t’i ruajtur nga shpërdorimi, Instituti i Monumenteve të Kulturës, i rrethoi ato me një rrjetë të hollë teli, e megjithatë ashtu nën qiell të të hapur, vazhdonin të ishin krejtësisht të pambrojtura.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve është vendodhja e tyre në qendër të Apollonisë, në afërsi të amfiteatrit, tempullit dhe obeliskut dhe si rrjedhojë janë hedhur disa variante që shpjegojnë pozicionin dhe funksionin e tyre. “Ekzistojnë tre variante, për vendodhjen e këtyre amforave. Sipas variantit të parë, aty mund të ketë qenë një dyqan që shiste këto objekte. Por kjo nuk është shumë bindëse, pasi nuk është normale që një dyqan i tillë të ndodhej pikërisht në qendër të qytetit”,- shpjegon Frederik Stamati. Varianti i dytë i paraqet si enë të mbushura me verë, që për t’u fermentuar, janë mbyllura me tapa druri dhe janë kthyer me kokë poshtë. Ndërkohë që varianti i tretë lidhet me fitoren e olimpiadës nga një i ri apollonas, i cili më pas është shpërblyer me verë. Me këtë rast është zhvilluar një festë dhe në fund të saj, të gjitha amforat e boshatisura nga vera, janë përmbysur mbi njëra-tjetrën për të ngritur një “lapidar”, për nder të të riut. Një muaj më parë, një grup amerikanësh, që kanë kryer disa studime në qytetin antik të Apollonisë, kanë hedhur idenë e ekzistencës së një muri, të ndërtuar me këto enë. Gjithsesi, sipas Stamatit, do të jenë gërmimet që do të zhvillohen gjatë këtij muaji, që do të nxjerrin të tjera të dhëna mbi origjinën e tyre. Sipas tij, kjo është një ndërhyrje shumë komplekse, e cila konsiston në studimin e tyre për t’i inkuadruar në kompleksin e amforave të të gjithë zonës mesdhetare, si dhe shpëtimin e kësaj pasurie të shkatërruar. Puna për zbulimin dhe restaurimin do të kapë një periudhë të gjatë disavjeçare. “Në përfundim të punimeve, ato do të vendosen sërish në pozicionin e tyre fillestar, por më parë do të merren të gjitha masat për mbrojtjen e tyre nga shkatërrimi prej agjentëve atmosferikë”, - nënvizon drejtori i Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë. Pasi është diskutuar edhe me Institutin e Monumenteve të Kulturës, mendohet që ato të vendosen brenda një baseni betoni, të mbushur me rërë të thatë dhe të mbuluar me xham, që të mund të jenë të vizitueshme.



Shekulli

 

 




ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa