Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

 

  Anri Sala sjell në Londër gjuhën e errësirës dhe tingujve

 “Ja pse unë jam i interesuar pas tingullit; ai më ngjan me një muzikë të pakompozuar. Nga ata tinguj vjen muzika”

  Nga Lavdrim TERZIU
E-mail: lterziu@albanianmail.co.uk

Sapo shtyn portën e rëndë në adresën 196A, Piccadilly, të bie në sy një ekran që varet nga tavani i lartë i një salle të madhe të zhytur në errësirë. Edhe unë që pak a shumë e dija se cfarë prisja, mbajta frymën kur dera e rëndë u mbyll pas meje. Të ishte frikë nga një kurth i papritur apo një ëndërr e keqe?! Nuk e di. Vecse ato zhurma ishin disi familjare për mua. Ndoshta kjo më bëri të stepesha. Salla bucet nga krisma, tinguj bas, shpërthime fishekzjarresh dhe armësh; një kakofoni e vërtetë krismash dhe tingujsh të duket se vijnë nga të katër anët. Në fakt kjo është në sfondin e një muzike tekno, por mua mu desh pak kohë të orientohesha nëse muzika ishte në sfond apo vetë krismat. Ekrani ishte rrethuar nga disa fytyra të tjera kureshtarësh të heshtur që i dallova teksa fillova ti afrohesha me kujdes. Në ekran shfaqet një DJ në taracën e një ndërtese tiranase i cili është përkulur përsipër aparuturave muzikore nën një copë plastmasi të improvizuar si mburojë nga shiu që ska të pushuar. Errësira dhe retë përsipër qiellit të Tiranës përbëjnë sfondin e tabloje që ne të gjithë e kemi përjetuar në një moment a në një tjetër por që vetëm Anri Sala mund ta shpreh. Ajo është një disko, një zonë lufte, natë e Vitit të Ri në Tiranë. Vetëm pak metra përtej “cadrës” së DJ, ndërtesat tiranase humbin format në errësirën e copëtuar. Vetë DJ është i paidentifikueshëm; ai është një siluetë që reflektohet tek shikuesit nëpërmjet ndricimeve të fishekzjarreve që shpërthejnë në mënyrën më të shthurur që mund të mendohet për një qytetar londinez. Për më tepër, Sala nuk manipulon, por ai thjeshtë rrëfen me gjuhën e tingujve dhe zhurmave. E gjithë teknika e tij është një kamera e fiksuar prapa kurrizit të një DJ që luan muzikë në taracën e një banese tiranase.

Vetë Anri shprehet: “Ne jemi të vetëdijshëm për rolin që luan gjuha për ti bashkuar njerëzit. Ajo shprehet në mënyrën sesi komunikojmë me njëri-tjetrin, në marrëdhëniet tona me botën. Tingulli është hapi më i afërt me gjuhën e folur. Kur jemi në rrugë, shumica e tingujve që dëgjojmë janë të papërpunuar. Ata janë megjithatë pjesë e një gjuhe të pakontrollueshme. Ja pse unë jam i interesuar pas tingullit; ai më ngjan me një muzikë të pakompozuar. Nga ata tinguj vjen muzika”.

Imazhi i DJ tiranas nuk është thjeshtë imazhi i një njeriu i cili përpiqet të mbrojë tavolinën e tij të punës nga shiu dhe lagështira. Qielli përsipër Tiranës shndërohet nga turbullirë nënujore tek një vizion “infrared” i një nate të vrenjtur përsipër një qyteti me motive jeshile dhe të kuqe. Në vend që të ngjiten drejt qielli, fishekzjarret drejtohen më së shumti drejt horizontit. Herë pas here, hija e DJ reflektohet gjigante mbi retë në qiell. Këtu ka dicka të pazakontë, dicka që ka të bëjë me lidhjen tonë me hapësirën në të cilën jetojmë, lidhjen midis tingullit dhe imazhit, errësirës dhe dritës.

Sala prezanton në punën e tij një ndjeshmëri unike duke bashkangjitur elemente të së shkuarës me të tashmen, disonancën me harmoninë, duke i vënë pranë e pranë përshkrimin, tingullin dhe lëvizjet.

Në katin e nëdheshëm të ekpozitës, prezantohet një tjetër punë unike e Anrit. “Lakkat” është filmuar në Senegal. Lakkat flet gjuhën e të parëve të tij, që është krejt e ndryshme nga frëngjishtja që flasin senegalezët. Edhe këtu, Anri luan me tingullin përmes përsëritjes së fjalëve në gjuhën wolof nga fëmijët senegalezë. Ai eksploron influencat kulturore dhe gjuhësore të kolonizmit dhe fjalët e përsëritura luajnë midis të bardhës dhe të zezës, në kuptimin e ngjyrës së lëkurës por edhe në kuptimin e dritës.

Anri Sala, 30 vjec, po shdërrohet dalgadalë drejt një artisti të kompletuar bashkëkohor i nivelit evropian. Në vitin 2001, Anri u vlerësua me cmimin e “artistit të ri” në bienalen e Venecias. Ai ka patur sukses në disa ekspozita vetiake si në Paris, Hamburg, Vienë, Teksas dhe Amsterdam. Ai vjen për herë të parë në Londër në një ekspozitë vetjake në Hauser & Wirth, 196 A, Piccadilly. Sipas organizatorëve, ekspozita e tij në Londër ka patur një sukses të paparashikuar. Ajo mbyllet në fund të kësaj jave. Anri po përgatitet tashmë për ekspozitën e ardhëshme në Institutin e Arteve të Cikogos.



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa