Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Këngëtarja e muzikës së lehtë shqiptare është mbytur në shtëpinë e saj nga monoksidi i karbonit

Anita Bitri shuhet me gjithë familjen

Së bashku me të janë mbytur nga gazi edhe e bija, Sibora, 7 vjeç dhe e ëma 60 vjeçare

Ened Janina

Anita Bitri kongëtarja e muzikës së lehtë shqiptare vdes në një aksident tragjik në Nju Jork. Ajo së bashku me të ëmën 60- vjeçare dhe vajzën shtatëvjeçare Sibora, kanë humbur dje jetën në shtëpinë e tyre. Shkaku i vdekjes ka qenë një rrjedhje e gazit gjatë natës, e cila nuk është ndjerë nga tre banoret e shtëpisë. Rreth orës 8.30 të mëngjesit me orën lokale ajo është gjetur e vdekur në apartamentin e saj. Fqinjët kanë njoftuar zjarrfikësit për erën e monoksidit të karbonit që dilte nga apartamenti i Bitrit dhe këta të fundit kur kanë hyrë brenda kanë zbuluar tre trupat pa jetë. Lajmi i vdekjes së Anita Bitrit ka shokuar të gjithë komunitetin shqiptar në Nju Jork por edhe të gjithë Shqipërinë.
Tre njerëz brenda një apartamenti në rrugën “Ocean Avenue” të Nju Jorkut nuk e morrën vesh kurrë se çfarë po ndodhte. Ata kishin përfunduar rutinën e përditshme dhe ishin shtrirë për të fjetur. Dikush prej tyre kishte harruar të mbyllte mirë valvulën e gazit dhe kjo u ka marrë jetën. Dalë nga dalë gjatë natës monoksidi i karbonit ka bërë punën e tij dhe tre njerëzit kanë vdekur në gjumë pa e ndier se po largoheshin nga kjo botë. Bëhet fjalë për këngëtaren e njohur shqiptare Anita Bitri, vajzën e saj shtatëvjeçare Sibora dhe nënën e saj. Këngëtarja e njohur kishte shkuar në Amerikë për një jetë më të mirë por nuk mundi që ta shijojë atë. Mëngjesin e djeshëm kur zjarrëfikësit hynë në apartamentin e Bitrit në rrugën “Ocean Avenue” menjëherë kuptuan shkaqet e vdekjes. Ata ndien erën e fortë të monoksidit të karbonit që kishte shkaktuar vdekjen e tre personave. Analizat e bëra në orën 8.30 të mëngjesit, me orën lokale, treguan se nivelet e monoksidit të karbonit ishin shumë të larta. Sipas ekspertizës zyrtare të bërë në apartamenin e Bitrit, nivelet e monoksidit të karbonit ishin aq të larta sa askush nuk kishte pasur mundësinë që të mbijetonte. Mjeku ligjor tha se tre viktimat kishin vdekur qetësisht në gjumë pa e ndier fare erën e gazit që ishte përhapur dalëngadalë në shtëpi. Ndërkohë, komandanti i zjarrfikësve Thomas Haring pohoi se “Me ato nivele që ishte gazi, tre gratë kanë humbur ndërgjegjen dhe më pas kanë vdekur”. “Nëse do të përdorej detektori i monoksiodit të karbonit, kjo ngjarje mund të ishte parandaluar. Në një nëntor do të hyjë në fuqi ligji që të gjitha familjet të kenë një matës të monoksidit të karbonit në shtëpi. Kjo shtëpi nuk e kishte”, - ka thënë një prej zjarrfikësve. Krejtësisht e shokuar nga kjo tragjedi ka qenë dhe fqinja shqiptare e Anita Bitrit, Leonora Ruçi. “Unë i takoja ato përditë. Pija kafe me to. Nuk mund ta besoj atë që ka ndodhur”,- është shprehur dje Leonora Ruçi. Bitri jetonte prej 2 vjetësh në State Island në Nju Jork dhe në fillim të këtij viti humbi të shoqin, i cili vdiq nga një kancer.

Këngëtarja u kthye në Shqipëri tre muaj më parë për të promovuar albumin e saj të ri “made in USA”

“Çdo gjë mund të ndodhë”, pas 9 vjetësh

A.Mile

“Çdo gjë mund të ndodhë”, ky ishte titulli i albumit që e riktheu edhe një herë në Shqipëri, këngëtaren Anita Bitri dhe duket se parandiente fundin e saj të papritur. Këngëtarja vlonjate u largua nga Shqipëria 9 vjet më parë dhe për të parën herë u kthye në Shqipëri, në korrikun e këtij viti. Përveçse për të vizituar vendlindjen e saj, Bitri u kthye në Shqipëri, për të promovuar albumin e saj të ri “Çdo gjë mund të ndodhë”, ku përfshiheshin 14 këngët e saj më të reja. Pasi kishte plotësuar gjithë dokumentacionin e duhur të qëndrimit të saj në Amerikë dhe ishte e lirë të udhëtonte në të gjithë botën, dëshira e saj e madhe ishte të vinte sa më shpesh në Shqipëri dhe pse jo, t'u rikthehej edhe një herë festivaleve dhe çmimeve. Ardhja e saj në muajin korrik, nuk mund të qëndronte larg vëmendjes së mediave, të cilat për ditë të tëra folën për Anitën, jetën e saj amerikane dhe kthimin e saj në tregun e muzikës shqiptare. E larguar nga Shqipëria me një ëndërr të madhe, këngëtarja dëshironte të rigjente edhe një herë veten, atje ku e kishte lënë në skenën shqiptare, në vitin 1996.

Bitri është larguar nga Shqipëria për në Amerikë në vitin 1996 me ansamblin popullor “Tropoja”

Një vajzë vlonjate në Nju Jork

A.Mile

Këngëtarja Anita Bitri ka lindur në qytetin e Vlorës, ka studiuar për violinë në qytetin e lindjes dhe i është futur krejt rastësisht rrugës së këngës. Fillimisht ajo është shfaqur në Koncertet e Pranverës, për t'u bërë më pas një nga emrat më të njohur të muzikës së lehtë shqiptare në fillimvitet '90 dhe pretendente e çmimeve të para në festivalet e këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Disa nga këngët më të njohura të saj janë “Fajin e ka kjo borë”, “Mos u nxito, mos u gabo”, “Abra kadabra”, etj. Në vitin 1996, së bashku me një grup këngëtarësh popullorë të ansamblit “Tropoja”, shkon për një turne koncertesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit të saj në Amerikë, i lind vajza e saj Sibora, e cila menjëherë merr nënshtetësinë amerikane. Lindja e vajzës, trazirat në Shqipëri dhe problemet që ajo ka pasur me dokumentet e mbajtën 9 vjet larg Shqipërisë. Ndërkohë ajo rindërton jetën e saj në Nju Jork, martohet dhe rigjen veten në fushën e muzikës. Rikthehet në Tiranë dhe në Vlorë pas 9 vitesh, në korrik të vitit 2004. Vetëm pak javë më parë, pas një sëmundjeje të gjatë, ajo humbet të shoqin, gjë që e pengoi të hidhte në tregun shqiptar albumin e saj të fundit “Çdo gjë mund të ndodhë”.

 


Shekulli
20-10-2004

 



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa