Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

 

 

“Të gjithë njerëzit nxitohen. Por unë kam një moto: ta kthej kokën prapa, e të shoh të kaluarën time, dhe asnjëherë nuk dua ta ndjek sërish atë rrugë”

Rrëfimi i këngëtares: Kjo është historia ime amerikane

Anita Bitri: Tani nuk nxitohem më

Admirina Peçi

Anita Bitri e shkeli sërish Tiranën, pas nëntë vjetësh. Gjeti pallate të pikturuara, rrugë të bukura dhe të ndriçuara, një lumë të pastër në mes të qytetit, dhe asnjë kioskë.

Iu duk një qytet i bukur. Dhe njerëzit nuk e kishin harruar. Që në aeroport e ndalonin, e përshëndesnin dhe e pyesnin: “Ku ke qenë? Ka kohë që nuk të shohim!”

E takojmë në hotel “Mondial” dhe ajo ka ndryshuar. Ajo ka hedhur tej kilet e tepërta, me flokët e gjatë, pak të dredhur, dhe zërin, ndoshta paksa më të pjekur. Ka ardhur të prezantojë albumin e saj të ri “Çdo gjë është e mundur”; ka ardhur të shohë gjërat që kanë ecur me një vrap të çmendur; të takojë miqtë e hershëm e të tregojë historinë e ikjes së saj. Tashmë ajo mendon se është pikërisht një ndërthurje: Anita e viteve ´90, të lëna në mes, dhe ajo e viteve 2000. Dikur i këndonte nxitimit, tani mendon se është ndryshe.

Anita, ju sjell në Shqipëri albumi juaj i ri “Çdo gjë është e mundur”. Veçoni diçka prej tij?
Në këtë album unë shfaqem si kantautore, këndoj me vajzën time, Siborën, e cila tani në gusht bëhet 8 vjeç. Këto janë për t´u veçuar, apo jo? Po ashtu, për këtë album bashkëpunoj me një kompani amerikane dhe këndoj me këngëtarë amerikanë. Stafi amerikan i këtij albumi ka nisur tanimë të punojë remikset e këngëve të mia, për stilin dans, për në klubet e Shqipërisë.

Këngët janë shumë të veçnata, pasi përfshihen të gjitha sferat e jetës: janë gëzimet, dhimjet, emigracioni, nostalgjia, dashuria, mbase një dashuri e humbur, por e fortë, një dëshirë e çmendur për t´ia mbathuar me korvetë...

Ju thoni se gjithçka është e mundur. Çfarë është e pamundur për Anita Bitrin?
Asgjë nuk është e pamundur. Nëse dikush i vë një synim vetes së tij, çdo gjë është e munddur. Me pak besim, kurajo, dhe shumë, shumë punë, gjithçka është e mundur.

Dikur, para 9 viteve, ju e latë Shqipërinë. Si ndodhi që ikët?
Kam ikur, për herë të parë, me një kontratë pune me një grup të muzikës popullore për të kënduar në një restorant, ndër më të njohurit në Nju-Xhersi. Por mua më ndodhi që qëndrova në Amerikë, edhe pas 9 muajve punë që kisha nënshkruar kontratën. Ndodhën dhe trazirat e vitit 1997. Lindi edhe vajza ime, Sibora, e cila sot ka marrë pasaportë amerikane, sepse ajo lindi në Amerikë. Të gjitha këto bënë që unë të qëndroja në Amerikë. Po ashtu, edhe dokumentet. Unë u paraqita atje si këngëtare, ndërsa avokati im, që do të merrej me këtë gjë, gaboi, duke më paraqitur si azilante politike. Por ata nuk mund t´i lejojnë këto gjëra. E anulluan qëndrimin tim atje, dhe tani, pas kaq shumë kohësh, unë kam arritur ta siguroj qëndrimin tim në Amerikë dhe kam të drejtë, më së fundi, të udhëtoj në të gjithë botën.

Çfarë është Amerika për ty?
Amerika është një shtet shumë, shumë i civilizuar, me një hapësirë shumë të madhe krijuese, ku çfarëdo që mund t´i kërkosh vetes, atje mund ta gjesh.

Pas kaq kohësh, mendoni se ekziston vërtet ajo historia e famshme e “ëndërrës amerikane”?
Historia e “ëndërrës amerikane” nuk ekzisiton. Ajo shfaqet veç në ekranet e kinemasë, në filmat ku çdo gjë duket si ëndërr. Sepse “ëndërrën amerikane” nuk e kanë jetuar as amerikanët e vërtetë. As ata nuk janë të kënaqur në Amerikën e tyre. Mund të kujtojmë vetëm zezakët që vdisnin, ndërsa ndërtonin gradaçielat. Pa punë nuk mund të prekësh asgjë, asnjë ëndërr.

Dikur ju këndonit “Mos u nxito, mos u gabo”. A është nxituar Anita Bitri?
Unë nuk e di në ka vallë ndonjë njeri që nuk nxitohet. Të gjithë njerëzit nxitohen. Por unë kam një moto: ta kthej kokën prapa, e të shoh të kaluarën time, dhe asnjëherë nuk dua ta ndjek sërish atë rrugë. Pra, e shoh; e di që është e kaluara ime, por nuk është rruga ku do të doja të ecja sërish. Nëse do të kisha rast për një rinisje, nuk do të ecja nga ajo rrugë.

Jeni shprehur se do të merrni pjesë edhe në festivalin e dhjetorit.
Kam, në fakt, shumë dëshirë, por pres që të më bëjnë një ftesë për pjesëmarrje. Kënga, besoj, nuk do të jetë nga CD-ja, pasi ajo ka ato emocione që unë kam pasur dikur. Tani unë jam në Tiranë dhe kam emocione të tjera. Unë jetoj me momentin. Madje, dhe suksesin tim e shoh në raport me momentin e jetës. Por jam e sigurt që do të kthehem në atë skenë, me po atë zë, me po atë ritëm dhe potencial, por shumë, shumë herë më fuqishëm.

“Publiku nuk më ka harruar”

Atë ditë që preku tokën, kur sapo zbriti në aeroportin e Rinasit, Anita Bitri e kuptoi se askush nuk e kishte harruar. Shihte ngado njerëz që e thërrisnin ose e pyesnin për mungesën. Dhe, ndërsa harrohet pas detajeve, tregon befasinë, përplasjen e saj me ndryshet në Tiranë. “Tirana ka ndryshuar e gjitha. Nuk e kisha pritur një Tiranë me rrugë të bukura, me fasada të larta dhe ku ishin zhdukur kioskat. Kur ika prej këtej, lashë kioska gjithandej. Tani e gjeta Lanën të pastër dhe piktura në pallate. Më kanë pëlqyer shumë të gjitha këto ndryshime”. Por arsyeja e këtij kthimi është, në fakt, muzika. Ajo e ka ndjekur që andej, përtej Atlantikut dhe e shqetëson kjo rrëmujë në muzikën shqiptare, tendenca e vulgut dhe kopjimet. “E shoh se në Shqipëri janë futur, më tepër seç duhet, rrymat e muzikës popullore. Por unë besoj se ky publik nuk meriton vetëm muzikën popullore. Po të sjellim ndërmend muzikën e bukur të festivaleve të viteve ´70, ´80, ´90 të Vaçe Zelës, Anita Takes etj., mendoj se duhet të punojmë pak më shumë me muzikën tonë, muzikën moderne shqiptare dhe të shmangim sa më shumë tendencat e këngëve të huaja”, - thotë ajo.


 



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa