Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Magjia kulturore e teologjike që njohu kulmin e lulëzimit të saj veçanërisht me shkollën e Beratit, në kishën e Shën Nikollës, në rrezik

Alarmi, po shkatërrohen afresket në kalanë e Beratit

Elsa Demo, Berat

Rënia e shenjtorëve

Eshtë e Premtja e Zezë. “Fjetja e Shën Mërisë” nuk trembet as nga kazmat që i kanë hapur themelet, për t’i ajrosur trupin. Ca punëtorë zeshkanë janë bërë njësh me tokën. Sikur ai, i zbrituri nga kryqi, t’iu shfaqet në trajtën e djaloshit e t’iu thotë: Përse e kërkoni mes të vdekurve?…. a kanë për ta besuar? Katedrales “Fjetja e Shën Mërisë” i mungon vetëm ekoja e priftit që tret temjan, dhe isoja e atyre tek lusin perëndinë, që parajsën e saj ta sjellë edhe në tokë. Ciceronia e katedrales në Kalanë e Beratit na kujton janarin e vitit ’67 kur kjo kishë u mbyll, në kuadër të fushatës kundër ateizmit, ndërsa i vëllai pagëzohej klandestin. Sot ka ngritur në këmbë epitafin, në dhomën e rrëfimit. Gati të presë besimtarët. Nesër është Pashka e Madhe.
Nuk ishte vetëm revolucioni antikrisht. 30 vjet më pas, kjo kishë do kërcënohej nga grabitësit e ikonave, të cilat në vitin ’97 u hoqën prej këtej për në një vend sekret. Ndërsa punonjësit hapnin fjalë, se gjoja as në Berat nuk do të ishin më, e se i kishin transportuar me kamion drejt Tiranës. Pas trazirave “Fjetjes së Shën Mërisë” së Beratit, iu kthyen sërish edhe dyert e bukura, pikturuar nga Onufër Qiprioti, pranë ikonostasit gdhendur në artën e mjeshtër Stefanit. Janë aq të bukur, sepse janë të vetëmjaftueshëm, megjithë hijen e rëndë të lagështirës së afreskëve që iu rri nga sipër kupolës. Prej këtej kanë dalë për herë të fundit, kodikët e fashmëm të Beratit.
Me kaq sa i jep “Fjetja e Shën e Marisë”, vizitori nuk do të kthehej i penduar tatëpjetës së kalasë, që këtë të Premte të Zezë e rreh era e gjetheve dhe mundimi i drurëve nga çelja e prillit.
Kur mundohesh të marrësh një shenjë nga shtëpitë e banorëve të kalasë, aty do gjesh një shtëpi shenjti. Sepse shtëpitë dhe kishat së jashtmi janë njëlloj të vogla, me gurë e pa frymë njeriu. Kështu është edhe kisha e Shën Vllahernës që vjen në radhë pas katedrales. Eshtë e shek.XIV, e pikturuar nga Nikolla Onufri, biri i mjeshtrit Onufër. Duhet të ketë mbajtur mundim e vuajtje të madhe kur dora i shtyhej nga njëri cep i kishësh tek tjetri. E kur i mbaroi së pikturuari këto freska në vitin e Krishtit 1578, në greqishten e vjetër do të shkruante:
“Kur të ngresh sytë nga perëndia, lutu edhe për mua, mëkatarin, të paditurin, Nikolla.”
Sikur kaq “mëkatarë dhe të paditur” të ishin si Nikolla, njerëzia nuk do të merrte mundimin të ngjitej deri këtu për t’i parë mrekullitë. Afreskët janë shumë të dëmtuar. Por specialistët thonë se janë ende në kohë për t’i shpëtuar. Gjë nuk mund të thuhet për Shën Kollin që e ka në krahë, ku bashkë me kishën rrezikojnë të vidhisen edhe aq sa kanë mbetur nga 50 m2 e afreskëve të Onufër Qipriotit.
Në altar si gjithmonë Shën Maria me Krishtin, më pas etërit e kishës me dorën delikate ngritur në ajër, janë shenjtorët që kanë kontribuar për hapjen dhe mbrojten e kristianizmit, është brezi i medalioneve, e me radhë janë skenat nga lindja e Jezu Krishtit mrekullitë e tij, deri në skenat para kryqëzimit, darka e fundit, tradhtia e Judës, kryqëzimi, zbritja nga kryqi, vajtimi mbi varr, ngjallja. Mbi derën e vogël të kishës ndodhet portreti i Krishtit. Ka një imazh që të bën të dyshosh: ishte i një natyre me perëndinë apo kishte një natyrë me njeriun dhe i zgjedhuri i vullnetshëm i perëndisë.
Mespërmes kësaj dileme i kalon një çarje e vërtetë e murit, që ta frenon bisedën me birin e zgjedhur. Poshtë portretit është ky mbishkrim i transkriptuar:
“Kjo është kisha e Shën Kollit, ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar i atit tonë dhe shenjtorit çudibërës Shën Koll Mirobletit, është vjetëruar, prishur dhe e përtëriu e pikturoi me dëshirë e shpenzime i shumëdevotshmi ndër priftërinj, zoti At Kostandini me udhëheqësit e tij, për shpëtimin e shpiriti të ktitorëve të tij (dhuruesve). Amin!
Viti i Krishtit 1591.”
“Eshtë kisha më e dëmtuar”, thotë piktori restaurator, Agron Polovina. “Vetë kontruksioni i kishës është i deformuar. Këtu është ndërhyrë në vitin 1980, ndërsa sot është hedhur ideja që të zhvendoset gjithë afresku. Konsolidimet e ngjyrës deri tani nuk kanë qenë të suksesshme.” E gjithë çështja qëndron sipas specialistëve tek financat, tek vullneti i mirë i ndonjë ambasade a ambasadori që të mund të bëhet diçka. Eshtë skandal i njohur gjendja e afreskëve të Qipriotit, por drejtori i atelierit të monumenteve të Beratit, Ajet Nallbani, nuk nguroi të na lejonte të forografonim. Nuk mund të heshtet më.
Shumica e kishave, 13, në kalanë e Beratit, monument kulture, shfrytëzohen npër nga besimtarët për ceremoni me rastin e ditës së emrit të shenjtorit. Disa syresh janë përshtatur me perde me dantellë, edhe abazhur, altari mbulohet herë-herë me atllas të kuq, me një kryq në mes. Ne mure janë edhe gjurmët e tymit të zi të qirinjve që besimtarët djegin gjatë lutjes. Por këtu, në kishën e Shën Kollit, hyn edhe Allahu! Në cepin e një kamareje pranë altarit, një besimtar mysliman i shkruan atij, në gjuhën arabe: Allah Ekber. Pranë letrës një libër po i religjionit. Shumica e banorëve të kalasë i përkasin fesë myslimane. Dikush do thoshte, qoftë për forcë zakoni apo sepse kjo fe është më tolerante, qoftë edhe për faktin se shqiptarët janë ndodhur shpesh në presionin e konvertimit të besimit, për ta zoti është një.
Por mund të jetë dhe një anë tjetër. Këtë punë mund ta ketë bërë ndonjë besimtar finok që e di se vetëm Shën Nikolla mund ta pranojë gjendjen e tij. Shën Nikolla ishte i vetmi shenjt që u bë prift shumë shpejt se ai admirohet prej të gjithëve besimtarë ose jo. Ai gëzon të njëjtin respekt si nga kisha ortodokse dhe nga ajo katolike. Dhe paraqitet si plaku Santa Klaus, në rrënjët e qytetit 2400- vjeçar të Beratit.
Magjia kulturore e teologjike që njohu kulmin e lulëzimit të saj veçanërisht me shkollën e Beratit, në kishën e Shën Nikollës, është vërtet e rrezikuar. Skenat e jetës së krishtit, me zor mund t’i lidhësh me njëra-tjetrën. Kryeëngjëlli Gabriel tek i pëshpërin Virgjëreshës së Shenjtë se perëndia e ka zgjedhur të lindë një zot, lindja, pagëzimi, prezantimi i tij në tempull, ringjallja e Llazarit, kryqëzimi, zbritja e Krishtit në ferr, gjithë Bibla këtu njeh rënien për së gjalli në ferr.
“Mos më prek” ishin fjalët e Krishtit Pantokrator ndërsa ngjitet në qiell. Ai është nisur për të takuar atin dhe nuk ta prekë asnjë krijesë e vdekshme. A thua ku vë dhe ku nuk vë dorë ajo, shenjtërinë e merr lumi.

 

 

 



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa