Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Modernizimi i trafikut ajror kushton 40 milionë dollarë dhe të ardhurat për çdo fluturim do të 6 -fishohen

Projektet, si do të ngrihen aeroportet

Ministri i Transporteve, Spartak Poçi, tregon projektet e ardhshme për Aeroportin e Rinasit dhe pistat ajrore

-Ju keni deklaruar se Aeroporti “Nënë Tereza” do të pësojë ndryshime të rëndësishme. Sipas jush, ky aeroport do të modernizohet me qëllim arritjen e standardeve ndërkombëtare, si do ta realizoni këtë ndryshim? Kush janë projektet që do të zbatohen gjatë viteve të ardhshme në portën e vetme hyrëse ajrore të vendit tonë?
-Tashmë në Aeroportin e Rinasit po implementohen 2 projekte. Projekti parë, i cili ka nisur nga puna, kushton 40 milionë dollarë dhe ka si qëllim modernizimin e trafikut ajror në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Por jo vetëm modernizimin e trafikut ajror, por edhe të korridoreve ajrore, rritjen e standardeve të shërbimeve dhe barazimin e tyre me ato të vendeve europiane, por mbi të gjitha rritjen e sigurisë në aeroport. Ky investim do ta likuidojë vetveten, sepse të ardhurat për çdo fluturim do të 6 fishohen në krahasim me të ardhurat që përfitohen sot. Sepse, shërbimi që ofrohet në trafikun ajror paguhet sipas cilësisë së tij. Sot bëjmë një shërbim me cilësi jo shumë të mirë dhe paguhet shumë pak, por pas zbatimit të këtij projekti cilësia do të rritet dhe çmimi për çdo minutë fluturimi do të kushtojë më shumë. Ky projekt ka shumë interes, kjo për vetë pozicionin që ka Shqipëria, sepse të njëjtat fluturime që kalojnë në vendin shkurtojnë 10 minuta në krahasim me fluturimet që bëhen në drejtime të tjera. Është fati i Shqipërisë që ka këtë pozicion, sepse 10 minuta në ajër janë shumë po të krahasohen me 10 minuta vonesë në rrugë.
Projekti tjetër, ka të bëjë me zbatimin e masterplanit në Aeroportin e Rinasit, i cili synon që të modernizojë totalisht këtë aeroport. Ky projekt nuk bënë fjalë vetëm për ndërtimin dhe rehabilitimin e terminaleve apo pistave të lëvizjes së avionëve, por për rritjen e gamës së shërbimeve dhe rritjen e standardit që ofrohen aktualisht. Pra, nëpërmjet këtij projekti ne do të shtojmë gamën e shërbimeve dhe do ta kompletojmë atë me të gjitha llojet e shërbimeve që duhet të ketë një aeroport ndërkombëtar. Nga ana tjetër, ne do të rehabilitojmë dhe do të sjellim në standarde mjaft moderne edhe ambientet e brendshme të Aeroportit të Rinasit. Parkimi i avionëve që ulen dhe ngrihen, parkimi i automjeteve, restorantet dhe të gjitha mjediset e nevojshme ku mund të qëndrojnë udhëtarët apo punonjësit do të ndryshojnë si nata me ditën me kushtet që ne ofrojmë sot. Ky është një projekt që është në fazën e zbatimit.

-Kohët e fundit është përfolur shumë dhënia me koncesion e Aeroportit të Rinasit, kush janë hapat e ardhshme të këtij procesi?
-Ne kemi bërë një parakualifikim dhe kanë fituar 4 firma shumë të fuqishme dhe me emër në Evropën perëndimore dhe në Afrikën veriore. Këto kompani kanë ndërtuar aeroportet më të njohura në të gjithë botën, si: ai i Athinës, i Stambollit, Frankfurtit. Pra janë pikërisht këto 4 firma, emrat e të cilave mbahen të cilat kanë shfaqur interes edhe për rehabilitimin e Rinasit. Këto kompani janë të mirënjohura për ndërtimin e aeroporteve me standarde ndërkombëtare dhe nivelin modern të shërbimeve, të cilat së fundmi janë të interesuara për rehabilitimin e aeroportit “Nënë Tereza”
Procesi i përzgjedhjes së firmave përfundon nga fundi i këtij viti, ndërkohë që nga fillimi i vitit të ardhshëm mund të nisë edhe puna konkrete për zbatimin e këtij projekti.

-Kohët e fundit ju keni deklaruar se Tirana do të lidhet me Aeroportin e Rinasit dhe me Portin e Durrësit nëpërmjet një linjë hekurudhore, e cila do të shkurtojë shumë kohën e udhëtimeve. Cilat janë hapat që ka ndjekur deri tani Ministria e Transporteve dhe kur do të realizohet ky projekt?

-Ne jemi në procesin e integrimit të hekurudhave shqiptare me korridoret e tjera që po aplikohen, sidomos me terminalet kryesore që ka Shqipëria. Pikërisht, ndërtimi i një linje të veçantë Tiranë-Rinas, synon të lidhë kryeqytetin tonë, (kuptohet të gjithë ato persona që duan të udhëtojnë për jashtë nëpërmjet linjës ajrore dhe anasjelltas) me një linjë direkte me hekurudhë, me portën e vetme hyrëse aeroportuale. Synohet që terminali ose vendi i check-in të mos jetë më Rinasi. Por, të gjithë pasagjerët të bëjnë check-in për bagazhet apo për veten e tyre në stacionin e trenit dhe të paraqiten direkt në sallën që do të nisen për udhëtim. Koha e udhëtimit do të jetë tepër e shkurtër, rreth 13 minuta, dhe trenat do të jenë tepër komodë dhe të shpejtë.
Nga ana tjetër edhe stacioni i trenit do të pësojë një transformim të plotë, sepse në masterplanin e Aeroportit të Rinasit është parashikuar edhe ndërtimi i një terminali për trenat (stacion mbërritës), i cili përfundon në godinat e terminalit të aeroportit. Po kështu, mendohet që të rikonstruktohet komplet linja ekzistuese hekurudhore dhe do të modernizohet veçanërisht linja Tiranë-Durrës, e cila do të degëzohet për të shkuar deri në terminalin e trageteve. Pra, pasagjerët dhe kargot do të shkojnë direkt në terminalin e tragetit, sepse check-in do të bëhet në terminalin e trenit në Tiranë, për ato që nisen nga kryeqyteti. Edhe kjo linjë do të jetë shumë e shpejtë, më pak se 20 minuta udhëtim dhe me ambiente tepër komode. Stacioni i trenit do të rikonstruktohet totalisht, duke ofruar cilësinë dhe standardet e duhura
-Kush do të jetë kompania që do ta zbatojë projektin e linjës hekurudhore Tiranë-Rinas-Porti i Durrësit dhe sa parashikohet që të kushtojë?
-Këtë investim e ofron kompania “General Electrik”, i cili ka paraqitur edhe ofertën dhe të gjitha dokumentacionet e nevojshme, si dhe financimet. “General Electrik” është hartuesi i këtij projekti dhe ka muaj që punon për këtë çështje. Por, do të jetë qeveria shqiptare ajo që do të vendosë dhe që do të marrë vendimet e nevojshme. Ndërkohë ne jemi në fazën ku ka përfunduar projekti dhe projektkontratat, të cilat do të shikohen nga institucionet shtetërore, nga qeveria, si dhe nga Parlamenti shqiptar.
-Pak kohë më parë ju së bashku me presidentin Moisiu keni hedhur idenë e riaktivizimit të linjës së brendshme ajrore. Është thjesht një ide e lënë përgjysëm apo ka projekte konkrete për riaktivizimin e fluturimeve brenda vendit? Nëse po, cilat do të jenë qytetet që do të rifillojnë të përdorin këtë shërbim?
-Zanafilla e trafikut të brendshëm ajror nuk nis në ditët tona, por fillon që në kohën e qeverisjes së mbretit Zog. Në këtë kohë dhe gjatë regjimit komunist, janë ndërtuar aeroporte pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë, sidomos në qytetet kryesore. Këto aeroporte kanë qenë të karakterit ushtarak, pra kanë qenë pista me aktivitet të kufizuar për avion të tipeve të vjetra. Por në këto pista shumë shërbime ishin dhe vazhdojnë të mbeten inekzistente, pa një infrastrukturë të caktuar. Për më keq akoma, këto pista edhe pas ndërtimit të tyre nuk patën vëmendje e duhur, pasi nuk u zhvillua asnjëherë trafiku i brendshëm ajror.
Këto aeroporte kohë pas kohe degraduan. Gjatë 12 viteve të fundit në disa qytete pistat u shkatërruan në mënyrë abuzive, sepse pushteti lokal dha leje ndërtimi, duke bllokuar disa prej tyre.
Është prioritet i qeverisë shqiptare që të riaktivizojë dhe të rehabilitojë trafikun e brendshëm ajror.
Aktualisht, po punohet në qytetin e Vlorës dhe së shpejti mbaron një projekt i financuar nga ushtria italiane në bashkëpunim me ushtrinë shqiptare. Ky aeroport do të ndërtohet në Pish Poro dhe do të shfrytëzohet jo vetëm për shërbime ushtarake, por edhe për qëllime civile. Ndërkohë që, po në Vlorë ne po mundohemi të rehabilitojmë fushën e vjetër ekzistuese. Jemi duke përgatitur projektin dhe së shpejti do të përcaktojmë edhe fondet që do të duhet për këtë vepër. Po punohet njëkohësisht edhe në qytetin e Kukësit, ku me një grant nga Emiratet e Bashkuara prej 17 milionë dollarësh do të zbatohet një projekt shumë i rëndësishëm, i cili do të mundësojë ndërtimin e një aeroporti të standardeve ndërkombëtare në Kukës.
Ky është shumë i nevojshëm për të lidhur zonat e Shqipërisë por edhe jashtë saj. Është një aeroport me kushte shumë të mira teknike, në kundërshtim me Aeroportin e Prishtinës, i cili ka periudha që bllokohet nga mjegulla. Aeroporti i Kukësit nuk ka asnjë lloj pengese, si dhe siguron këndet e uljes dhe të ngritjes sipas parametrave ndërkombëtarë. Synojmë të sigurojmë financime edhe për Aeroportin e Sarandës, fusha e të cilit është në një pozicion shumë të mirë, ka nevojë vetëm për disa investime, të cilat do ta kthenin atë në një aeroport turistik, por edhe për shërbime të brendshme. Ndërkohë që ka një tjetër projekt, tashmë të përfunduar për Aeroportin e Gjirokastrës dhe ndoshta me vonë do të rehabilitojmë edhe Aeroportin e Korçës dhe të Shkodrës. Në qoftë se do të vendosen këto pika kyçe, pse jo të barazlarguara nga njëra -tjetra, por të shpërndara pothuajse në mënyrë simetrike në të tërë territorin e Shqipërisë, ne mund të jemi gati për ndërtimin e një rrjeti apo të një aktiviteti ajror të brendshëm, i cili pse jo mund të shërbejë për qëllime turistike. Kjo lidhje, do të ishte shumë e nevojshme, sepse distancat në ajër janë shumë të shkurtra, biznesi shqiptar ka nevojë për këtë lloj transporti. Mendoj se transporti ajror do të jetë një nga prioritetet e viteve të ardhshme të Ministrisë së Transporteve për të përparuar në këtë drejtim.

Aeroporti i Kukësit do të sfidojë Aeroportin e Prishtinës. Sepse është një aeroport me kushte shumë të mira teknike, në kundërshtim me aeroportin kosovar, i cili ka periudha që bllokohet nga mjegulla. Aeroporti i Kukësit nuk ka asnjë lloj pengese të tillë.



Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa