|
|
|
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
Zbulohet muri i Adrianopolisit
Arkeologu Ceka: Adrianopoli, një zbulim i madh
"Zbulimi i një fragmenti muri në afërsi të teatrit
të Sofratikës në rrethin e Gjirokastrës, gjatë
punimeve të degës së Monumenteve të Kulturës
për restaurimin e këtij monumenti, tregon padyshim se kemi të
bëjmë me një zbulim që i përket qytetit antik
Adrianopol”,- pohon për ATSH-në arkeologu i njohur prof.Neritan
Ceka. Ai u shpreh se, "teatri i Sofratikës është ndërtuar
vetëm si pjesë e një kompleksi ndërtimesh të
tjera që përbëjnë një qytet". Sipas arkitektures
romake, ai e quajti këtë kompleks si "forumin e qytetit".
Duke iu referuar studimeve të arkeologut Vladimir Qirjaqi, i cili
zbuloi fragmentin e mësipërm, prof.Ceka u shpreh se "sipas
disa konstatimeve, muri është ndërtuar për të
rrethuar një qytet që mund të shtrihej deri në 30
ha tokë". "Një qytet i tillë", sqaroi ai,
"bën pjesë në radhën e qyteteve të mëdha
të zbuluara në territorin tonë".
Ky qytet është themeluar nga perandori romak Adrian, që
mbretëroi në vitet 117-138 pas Krishtit. Ai është
i njohur në historiografi për ndërtime qytetesh. "Padyshim
që në kohën e tij është ndërtuar edhe ujësjellësi
i qytetit të Durrësit", tha Ceka, "pasi në tubat
e këtij ujësjellësi ekzistojnë mbishkrime të
tilla si “uji i Adrianit”. Sipas tij, edhe amfiteatri romak
i Durrësit, është një vepër e autorizuar nga
ky perandor, që ka lejuar edhe ndërtimin e disa veprave të
tjera në qytetin antik të Bylisit, në afërsi të
qytetit të Ballshit.
Në
teatrin e Sofratikës, gjatë punimeve për restaurimin e
tij, janë gjetur gjurmë të një muri, që dyshohet
të jetë muri rrethues i qytetit të quajtur Adrianopol,
sipas emrit të vetë perandorit, i cili pas shumë ndërtimeve,
kish vendosur të ngrinte edhe një qytet me emrin e tij. Qytet,
apo qendër administrative? Mes specialistëve të arkeologjisë,
kjo pyetje është shtruar shpesh dhe asnjëherë nuk
është marrë përgjigje e saktë. Që kur u
zbuluan rrënonjat e teatrit, që ka marrë emrin e fshatit
pranë, Sofratikë, u dyshua për ekzistencën e një
qyteti. Ky mendim u forcua kur afër Jergucatit, në po këtë
luginë, luginën e Drinos, u gjet varri monumental, që sot
po rikonstruktohet, si dhe ujësjellësi, në të njëjtin
vend. “Megjithë gjetjet e shumë objekteve që ka lugina
e Drinosit, më lart, apo më poshtë teatrit, siç
janë: Melani, Antigoneja, Palokastra, etj, akoma nuk mund të
flitej me saktësi, në kishim të bënim me një
qytet, me të gjitha anekset dhe përmasat që ka një
vendodhje e tillë. Tani mendohet se ky dyshim, një përgjigje
mund e duhet ta marrë”, sqaron drejtori i Drejtorisë Rajonale
të Monumenteve për Gjirokastrën, Vladimir Qirjaqi, i cili
ka ndjekur nga afër, për tri ditë rresht punimet restauruese,
ku dolën konturet e një muri, që mendohet të jetë
muri rrethues, i një banese a një tempulli. Drejtori Qirjaqi
tregon se në ato pak gremina u gjet edhe një monedhë e
vogël, një vath, objekte zbukurimi, etj. “Janë disa
elementë, - thotë ai - që në tërësi të
çojnë të mendosh se kemi të bëjmë me një
qytet. Kemi teatrin, muret rrethues, tempullin, varrezat. Të tërheq
vëmendjen mbi të gjitha, karakteri fushor i teatrit dhe i vetë
qytetit. Romakët ndërtuan një qytet fushor dhe nuk mund
të mendonin se ai do të mbulohej nga prurjet e lumit, siç
ka ndodhur tani, pas 1800 vjetësh. Ai ishte 5 metra thellësi
për shkak të këtyre aluvioneve të lumit Drino. Aluvionet
e Drinos bënë një mbathje prej 5 e më shumë metrash
dhe kjo nuk është pak. Tani vështirësohet puna për
evidentimin e këtij qyteti.”
Ndërpriten punimet restauruese
Nuk kish vetëm pak kohë, që kishin nisur punimet restauruese
të Teatrit pasi tenderimi i fondeve, 4 milionë lekë, miratuar
nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, me kërkesë
të Institutit të Monumenteve të Kulturës, solli edhe
vonesën e lëvrimit të tyre. Sipas drejtorit Qirjaqi, punimet
nisën fillimisht në hapjen e një kanali, për të
mundësuar rrjedhjet e ujërave dhe evitimin e përmbytjes
së territorit, ku është vetë teatri. Vitet e fundit,
ky objekt është përmbytur shpesh dhe në periudhën
e dimrit, kthehet në një pellg të madh me ujë, për
shkak të mbushjes që i është bërë terrenit
në vite. Po ndërsa punimet po ecnin mirë, gjetjet e reja
detyrimisht çuan në ndërprerjen e punimeve për hapjen
e kanalit prej 5 metra të thellë. Tani duhet të ngrihet
një ekspeditë, një grup pune, për të vazhduar
më tej kërkimet mbi këtë gjetje të rastësishme
gjatë punimeve, por jo të papritur. “Kemi dyshuar gjithnjë
për këtë gjetje, dhe të tjera, që pritet të
zbulohen”,- thotë Qirjaqi. Tani grupit të punës do
t’i duhet të devijojë kanalin për të hequr ujërat,
thotë Qirjaqi. Por ka mjaft elementë teknikë, që do
të diskutohen me specialistët për ecurinë e mëtejshme
të punimeve.
Teatri i Sofratikës
Teatri i gurtë i Sofratikës ndodhet në luginën e Drinos,
afër fshatit minoritar Sofratike dhe është dëshmi
arkeologjike për një qytet të madh të periudhës
romake. Qyteti i quajtur Adrianopol, daton shek.II pas Krishtit. E gjithë
lugina e Drinos ka qenë e banuar dhe e urbanizuar, duke evidentuar
15 qendra qytetare. Ajo konsiderohet një djep urbanistik, me një
qytetërim të zhvendosur nga një zonë në tjetrën,
ndër më të njohurit edhe në Ballkan, me ndikim tek
njëri-tjetri. Kështu qytetërimi në Labovë ka
ndikuar tek ai i Selosë, më pas tek Melani e deri tek Antigoneja
e Adrianopoli. Vend të veçantë zë ndër këto
qyteza edhe ajo e Gorricës, në të njëjtën luginë.
Pak më poshtë teatri i Sofratikës, i quajtur “monument
i klasit të parë”, por që nuk është bërë
asnjë gërmim. Teatri është zbuluar para 20 vjetësh,
më 1984 dhe ka një kapacitet prej 4000 vendesh, është
i pajisur me 27 shkallë, ka hyrje dhe një skenë dykatëshe
me diametër të jashtëm 55 metra, ndërsa lartësia
maksimale e shkallëve arrin në 15 metra. Mendohet se 5-7 metra
aluvione të Luginës së Drinosit, me siguri fshehin surpriza
të tjera të kësaj kryeqëndre latine, që më
vonë mori emrin e një tjetri perandor Justinianit. Kësaj
periudhe, sipas Qirjaqit i përket ndërtimi i Kalasë së
Palokastrës, një fortifikim fushor.
Violeta Duri
Shekulli
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
|
|
|