Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Numeratori Telefonik i Shqiperise
Lojra ne Internet
Video Shqiptare, Humor, filma
Albania
Hapesira
Artikull Lajm

 » Shqiperia

 » Argetim

 » Historia e Shqiperise

 » Artistet Shqiptare

 » Sporti

 » Ekonomia

 » Letersia

 » Shtypi Shqiptar

 » Qytete Shqiptare

Celesi, Guida e Tiranes
  Albania Opinion | |


Liria e medias Obama dhe...O‘Rama

27/10/2008
Nga: Andrea Stefani



Gjenia e vërtetë e Amerikës qëndron te besimi "se mund të themi atë që mendojmë, se mund të shkruajmë atë që mendojmë, pa na trokitur papritur dikush në derë". Kështu i deklaroi solemnisht Barak Obama Konventës së Demokratëve, që e emëroi si kandidat për President të SHBA. Mes mijëra demokratëve amerikanë dhe të ftuarve të tjerë, ndodhej edhe lideri i socialistëve shqiptarë, Edi Rama. Por duket se nuk ka kuptuar asgjë nga ai mesazh. Sepse pak muaj pas atij fjalimi himn të Obamës për demokracinë dhe fjalën e lirë, në median shqiptare po ngrihen ankesa për liderin e PS, Edi Rama. Përse është fjala? Për një gjë shumë të rëndë. Rama akuzohet nga një gazetar dhe drejtues i një emisioni televiziv, se po "troket pa pushim në derën" e stacionit të tij, për të imponuar se kush duhet të ftohet dhe të mos ftohet në emision.

Sipas gazetarit Alfred Peza, "Edi Rama... kërkon patjetër dhe me çdo kusht që të diktojë të vërtetat e tij, që ne të ftojmë atë që do ai dhe të mos ftojmë ata që kritikojnë atë". Mjerisht, Peza ka shprehur një shqetësim në rritje për të gjithë ata gazetarë (përfshirë dhe autorin e këtyre radhëve), optika kritike e të cilëve nuk kufizohet vetëm me qeverinë e PD, por edhe në domeinet e lidershipit të PS. Pra, nuk kemi të bëjmë me një aksident, por me një tendencë dhe vizion kundër fjalës së lirë. Është kjo arsyeja që denoncimi publik i Pezës u pasua edhe nga një deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Gazetari dhe kreu i këtij Unioni, Aleksandër Çipa, kundërshtoi "çdo prirje për të shndërruar editorët e mediave tona në tellallë apo shërbëtorë të interesave politike elektorale të njërit apo tjetrit politikan apo të partive në veçanti", duke kërkuar njëherazi që politikanët "të ndalin tendencat e tyre flirtuese dhe rekrutuese me posedues dhe administratorë të mediave, për t‘i kthyer gazetarët dhe editorët e mediave në skllevër të shërbesave politike të ditës". Janë protesta të drejtuara tradicionalisht pushteteve të këtij tranzicioni 18-vjeçar, por që sot i drejtohen edhe liderit të PS, Edi Rama. A ka veshë të dëgjojë?

Çdo gazetar nuk ka rrugë tjetër, veç të udhëhiqet nga besimi se sistemi i demokracisë do ta mbrojë atë vetë dhe lirinë e tij për të thënë atë që mendon. Por ky besim nis e thërrmohet, fjala nis të vetëcensurohet dhe të divorcohet nga mendimi, kur gazetarët, përveç reprezaljeve të pushtetit me anë të flakjes së familjarëve apo edhe atyre vetë nga puna, nisin të ndjejnë edhe censurën e opozitës. Përse është fjala? Për një censurë të medias me anë të medias, një censurim të gazetarëve me anë të gazetarëve, apo drejtuesve të emisioneve dhe që në thelbin e vet është censurim i opinioneve dhe fjalës së lirë që i shpreh ato. Dhe e gjitha e frymëzuar nga interesat dhe influencat e liderit të PS. Është e para herë në historinë e tranzicionit 18-vjeçar që në media ngrihen alarme censure që akuzojnë një lider të partisë më të madhe opozitare.

Edhe vetë Berisha, i cili ka regjistruar rekorde në dhunën ndaj medias, kur ishte në opozitë nuk u përpoq të nxirrte jashtë loje ata opinionistë dhe gazetarë që, ndonëse ishin kritikë me qeverinë socialiste të Nanos, vazhdonin të ishin kritikë ndaj tij. Rama shfaqet në këtë pikë jo njësoj, por një hap prapa autoritaristit Berisha. Ai po përpiqet të krijojë nëpërmjet lidhjeve celulare dhe jo celulare me pronarë stacionesh dhe gazetash, drejtues të emisioneve dhe vetë gazetarësh, një rrjet mesazhesh, një paracensurë të padukshme, ku ngecin dhe nuk arrijnë të shprehen apo publikohen gazetarë kritikë dhe opinione kritike me atë që Rama po bën dhe nuk po bën. Sado që të përpiqet të maskohet me "modesti", nevojë për të këmbyer pikëpamje dhe "miqësi" me njerëzit e medias, nuk është e vështirë të kuptohet se e gjitha është një tentativë antiliri, madje edhe një korrupsion, sepse është shfrytëzim i një posti të lartë politik për të përdorur (më saktë keqpërdorur) gazetarët dhe një pushtet të pavarur si media. Ashtu si në bursën e mallrave gruri ende i pambjellë shitet që sot, ashtu edhe në këtë rast influenca e pushtetit të nesërm nis e tregtohet që sot. Është përpjekja rutinë dhe e urryer për çdo gazetar (sepse është në thelb dhunë) që nuk është mësuar të shërbejë, e çdo politike të vjetër për të selektuar (arrestuar) në prapaskenë dhe pabesisht opinionet dhe raportimet jo në favor të një lideri dhe partie.

Dhe kjo është jo vetëm kundër parimit të fjalës së lirë, por edhe një pengesë e madhe për mbarë informimin e qytetarëve. Dhe mbarë informim do të thotë se qytetarët kanë të drejtë të dinë jo vetëm ato që pëlqen qeveria, por edhe ato që s‘pëlqen qeveria, edhe ato që i pëlqejnë opozitës, por edhe ato që nuk i pëlqejnë opozitës, të dinë jo vetëm ato që Berisha do të dëgjohen, por edhe ato që Berisha nuk do të dëgjohen, jo vetëm ato që Rama do që të propagandohen, por edhe ato që Edi nuk do të propagandohen. Dhe të pengosh të shprehen, me prapaskena dhe trafik influencash, disa gazetarë që kanë kritika ndaj teje, është shfrytëzim pushteti, është të dalësh kundër të drejtës së qytetarëve për t‘u informuar, kundër lirisë së fjalës dhe informacionit. Dhe kjo nuk është "politikë e re", një politikë e lirisë, por politika e vjetër e pushteteve nanoberishiste, politika e dezinformimit. Me të drejtë shumëkush mund të pyesë: Kur një lider në opozitë nis e thur një rrjet merimange kundër lirisë së opinioneve, çfarë shprese mund të ketë se ai do të mbetet në anën e lirisë së pushteteve dhe njerëzve kur të vijë në pushtet?

Sot, në radhët e simpatizantëve të PS mbizotëron mendimi se nuk është mirë ta kritikojmë Edi Ramën, sepse nga kjo mund të përfitojë Sali Berisha. Është verbëria e rëndomtë e njerëzve që e shohin shpëtimin jo tek institucionet lirimbrojtëse, por te lideri. Ata përpiqen ta luftojnë një kult lirivrasës në pushtet me një tjetër kult lirivrasës në opozitë, të gjejnë strehë dhe shpëtim nga autoritarizmi i një lideri tek autoritarizmi i një lideri tjetër, që shpëtimin nga një kult e gjejnë te një kult tjetër. Dhe prandaj janë të dënuar të mbeten skllevër të mjerë lidershipesh, duke mos u bërë dot qytetarë. Të lodhur vërtet nga autoritarizmi dhe tirania berishiste, nuk kuptojnë se të heshtësh për të metat dhe gabimet e alternativës politike në opozitë, është e dëmshme dhe e rrezikshme për ardhmërinë. Aq më tepër kur këto gabime janë të një natyre strategjike, që do të thotë se kanë të bëjnë me përcaktimin e natyrës së shtetit dhe të pushtetit politik sot dhe në të ardhme.

Të tilla janë edhe ndryshimet e Kushtetutës në 21 prill, me anë të të cilave lidershipi i PS, duke bashkuar votat me PD, është investuar tashmë pa ekuivokë për një zgjidhje autoritariste të krizave dhe tronditjeve politike që natyrshëm burojnë nga një pluralizëm foshnjarak. Ndryshimet skandaloze të Kushtetutës, tendenca antipluraliste për të krasitur partitë e vogla, teorizimet antipluraliste (madje edhe me një konotacion populisto-fashist që përforcohet nga traditat patriarkalo-tiranike dhe rrethanat e Shqipërisë) mbi kalimin "përtej së majtës dhe të djathtës", tendenca për të ndikuar mbi median dhe selektuar opinionet dhe informacionin e saj, krijojnë idenë se në kokën e PS ka tashmë një vizion drejtimi të shtetit që nuk përputhet plotësisht me demokracinë liberale që e garanton lirinë me anë të lirisë së pushteteve.

Është një alarm i madh të shohësh se në një kohë kur autoritarizmi berishist po tronditet për shkak të shpërthimeve të një korrupsioni që e vetëdenoncon, një tjetër autoritarizëm po përgatit leqet kundër lirisë në opozitë. Sepse nuk është puna që të largohet thjesht Berisha nga pushteti, por bashkë me të edhe autoritarizmi dhe të çmontohet karakteri tiranik i politikës së derisotme, që ka shtrirë kthetrat mbi të gjitha pushtetet. Edhe mbi median, në forma nga më të trashat e deri më të hollat. Disa hapa të ndërmarra deri sot nga lidershipi i PS dhe Edi Rama, jo vetëm nuk përputhen, por ecin në kundërshtim me këtë qëllim. Edi Rama flet shumë për një "politikë të re". Por politikë e re në raport me median është të mos përpiqesh të pengosh diversitetin e opinioneve, duke krasitur ato që i percepton si më të rrezikshme dhe të paleverdisshme për ty. Politikë e re është jo t‘i ndalosh këto opinione, por duke u bazuar tek e vërteta, t‘i mposhtësh me argumente ato. Natyrisht, kjo është e mundur vetëm nëse e vërteta është në anën tënde. Dhe cili lider që ka në anën e tij të vërtetën do të përpiqej të censuronte një pikëpamje kundërshtare që nuk e ka mbështetjen e saj të pamposhtshme? Të gjithë liderët që ngjizin censurën e opinioneve tregojnë se nuk kanë të vërtetën në anën e tyre, ose se nuk kanë besim te forca e saj, ose se besojnë në forcën e gënjeshtrës.

Secili lider, i bindur se ca opinione që i kundërvihen janë të gënjeshtërta apo të gabuara, do t‘i censuronte duke i hequr vetes shansin që të triumfonte bashkë me të vërtetën kundër tyre? Ndërkaq edhe vetë censurimi i gënjeshtrës është i rrezikshëm për lirinë, sepse hap shteg për censurimin e së vërtetës. Ndaj prirja e demokracive liberale është ndaj të thënit të mendimeve dhe opinioneve, dhe jo ndaj pengimit. Ndaj politika e re (pa thonjëza) është ajo që bazohet në sentencën e një iluministi të shquar: "E urrej pikëpamjen tënde, por do të luftoj me të gjitha forcat në mbrojtje të së drejtës që ke për ta shprehur atë". Mjerisht lideri i PS, Edi Rama, po bën të kundërtën, duke shfrytëzuar jo vetëm forcën e pushtetit të tij (sepse është një opozitar në pushtet), por edhe dobësinë, varfërinë dhe deri korruptimin e medias, pra tërë atë arsenal skllavërues deri sot tipik për politikën e vjetër dhe specifikisht për berishizmin. Por tashmë jo vetëm për të. Një zhvillim që ndryn pasoja shumë të rënda për një forcë politike, që shpallet me lirinë e gjërave kundër autoritarizmit. Prandaj o Rama, kuptoje dhe ndjeje (sa nuk është vonë) atë që tha në konventë Obama!


  Albania Opinion
• Opinionistë

    Abedin Rakipi

    Adri Nurellari

    Alban Tartari

    Aleksandër Çipa

    Andi Bushati

    Andrea Stefani

    Ardian Klosi

    Artan Lame

    Artur Zheji

    Auron Tare

    Baton Haxhiu

    Besnik Mustafaj

    Blendi Fevziu

    Edison Ypi

    Elton Metaj

    Fatos Baxhaku

    Fatos Lobonja

    Franko Egro

    Geri Kokalari

    Gëzim Mekuli

    Gjergj Xexo

    Henri Çili

    Igli Totozani

    Ismail Kadare

    Kastriot Islami

    Kim Mehmeti

    Mentor Kikia

    Mentor Nazarko

    Mero Baze

    Mustafa Nano

    Olsi Jazexhi

    Pëllumb Kulla

    Rexhep Meidani

    Shpëtim Idrizi

    Shpëtim Nazarko

    Skënder Minxhozi

    Sokol Balla

    Sokol Lleshi

• Mendimi i lirë

    Agim Isaku

    Ajola Xoxa

    Arbër Xhaferi

    Ardit Rada

    Armand Brahaj

    Bahtir Hamza

    Besnik Dizdari

    Brezi 80-85

    Dr.Romeo Hanxhari

    Edi Rama

    Edmond Panariti

    Eduard Zaloshnja

    Feti Zeneli

    Fiqiri Cena

    Gaqo Apostoli

    Gëzim Tushi

    Gjergj Erebara

    Ilir Kulla

    Ilir Paço

    Ilir Rusmaili

    Isuf Bajrami

    Judy Shelton

    Kico Blushi

    Kleanthi Zoto

    Lorjan Agalliu

    Luca Manes

    Mimoza Hafizi

    Nebil Cika

    Nevrus Nazarko

    Nga Kosova

    Nga Prof. Dr. Enver Faja

    Pasho Alimerko

    Prof. Asoc. Dr. Ago Nezha

    Qamil Gjyrezi

    Ralf Dahrendorf

    Saimir Lolja

    Sami Gjoka

    Selim Belortaja

    Tahir Muhedini

    Virion Graçi

    Xhon L. Uithers, II

    Xhovani Shyti

    Zef Brozi

• Opinione Ekonomike


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa