Nga: Ajet Nallbani

Xhamia e Beqarëve ndodhet në pjesën e poshtme të lagjes Mangalem të Beratit, buzë rrugës kryesore të qytetit. Siç tregon qartë vetë emërtimi i xhamisë, ajo i ka shërbyer rufetit të beqarëve, të kallfave të esnafëve të ndryshme të qytetit. Ky ishte një bashkim i zejtarëve të pamartuar që kryente njëkohësisht dhe shërbimin e policisë së qytetit dhe të rojeve të natës në pazar. Sipas mbishkrimit që ruhet në të, rezulton të jetë pikturuar në vitin 1827. Pamja e saj e jashtme me harqet prej guri mbi kolonat cilindrike, silueta e minaresë dhe veçanërisht pikturat murale nën strehën e çatisë i jepnin xhamisë një bukuri të veçantë që harmonizohej me ndërtimet karakteristike të lagjes së thënë.
Xhamia e Beqarëve e tipit bazilikal me hyrjen e saj nga prapa, ka një trajtim të brenshëm dhe të jashtëm që ndryshon nga skema e zakonshme e xhamive të ndërtuara para shek. XIX. Përshtatja e objektit me truallin e pjerrët tregon aftësinë dhe përvojën e mirë ndërtimore të mjeshtërve që realizuan këtë vepër. Vlera e xhamisë qëndron tek pikturat e bukura murale të jashtme, tek punimet e holla të brendshme në dru si dhe në përgjithësi tek realizimi arkitektonik i saj.