Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shpallur konkurs për “veprat dhe botimin më të mirë shkencor kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe epokës së tij”. Vendimi i Akademisë është marrë në kuadër të vitit 2018, shpallur nga qeveria si “Viti i Skënderbeut”. Megjithëkëtë, projektet e Akademisë për vitin e Skënderbeut, janë bërë publike para se qeveria ta shpallte këtë të parin vendim të vetin pas zgjedhjeve të qershorit.
Ai është bërë me dije përmes një kërkese drejtuar asamblesë dhe akademikëve të ASH-së, seksioneve shkencore, sektorit të botimeve shkencore dhe bibliotekës, sektorit të financës dhe sektorit të personelit si edhe universiteteve, qendrave dhe institucioneve shkencore, shtëpive botuese, kërkuesve shkencorë të pavarur.
Sekretari shkencor i Akademisë, Vasil S.Tole, njofton se sa u takon kritereve për të marrë pjesë në konkurs, bëhet me dije se pranohen studimet mono-grafike dhe dokumentare të botuara prej vitit 2000 deri në vitin 2018. Të drejtën e propozimit e kanë institucionet akademike-universitare, botuesit dhe autorët vetë.
Konkursi mbahet për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare shkruar nga autorë shqiptarë; veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare shkruar nga autorë të huaj, shqip ose në gjuhë tjetër si edhe për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare në vlerësimin e rrallësisë bukinistike. Përparësi kanë botimet diplomatike-anastatike të letërsisë humaniste shqip dhe/ose në gjuhë të huaj.
Ndërkaq, pranë Akademisë së Shkencave ngrihet dhe funksionon një juri e specializuar, me studiues vendës e të huaj. Kjo juri ngarkohet që, në mënyrë autonome, të bëjë pranimin, përzgjedhjen, nominimin dhe shpalljen fitues të tre kandidatëve pjesëmarrës në konkurs.
Pranimi i veprave konkurruese hapet më 1 janar 2018 dhe mbyllet më datën 30 qershor 2018. Nominimi i të përzgjedhurve shpallet nga juria më 18 shtator 2018. Me secilin prej pjesëmarrësve në konkurs organizohet një ligjëratë akademike e hapur për paraqitjen e rezultateve të punës së tyre kërkimore.
Për secilin prej fituesve do të ndahet diploma dhe një shpërblim financiar, ndërsa çmimi special për veprat fituese shpallet publikisht në muajin nëntor 2018, që përmbyll Vitin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, shpallur me VKM.

Do të jetë Këshilli Ekzekutiv i Akademisë së Shkencave që, në bashkëpunim me dy seksionet shkencore dhe me sektorin e botimeve dhe bibliotekës shkencore të ASH-së, do të organizojnë punën për krijimin e kushteve për konkurrim transparent, si dhe për funksionimin e jurisë sipas Rregullores së çmimeve shkencore kombëtare.
Kujtojmë që Akademia e Shkencave është ende pa kryetar e pa nënkryetar. Zgjedhjet e mbajtura në Akademi në muajin shtator rezultojnë tanimë të pavlefshme, për aq kohë sa nënkryetari Muzafer Korkuti dha dorëheqjen dy ditë pas zgjedhjes, ndërsa kryetari Gudar Beqiraj pothuaj një muaj më vonë, për shkak të presioneve publike dhe atyre zyrtare nga qeveria shqiptare, që duke ndjekur akuzat e akademikut Artan Fuga i cilësoi farsë. Me gjithë moshën e akademikëve dhe pamundësinë e disa prej tyre për t’u angazhuar seriozisht në ringritjen e institucionit si edhe në reformimin e saj, një pjesë ende përpiqet të rikthejë akademinë ne akademi deri në muajin mars, kur shënohet fundi i afatit që kryeministri ka dhënë duke kërcënuar me prerje të fondeve publike.

(nga F. Nikolli)