“Trojet” Arkiv i  vlerave dhe pasurise se Etnografise Shqiptare. – (Pjesa e pare).

Fondacioni ‘Trojet”, krijuar nga dedikimi dhe pasioni i Linda Spahiut për të ruajtur vlerat e etnografisë shqiptare, është sot një arkiv që jo vetëm duhet njohur, por edhe promovuar e asistuar për vazhdimësinë e tij. Përmes mbështetjes së USAID (Agjencia e  Shteteve të Bashkura për Zhvillim Ndërkombëtar) tek IntoAlbania, fondacione si “Trojet” do të promovohen në platformat dixhitale. 

Rrugëtimi për të kuptuar arsyen e ekzistencës së Fondacionit “Trojet” nis nga një djep prej druri i vendosur në hyrje të tij. Cilët jemi? Nga vijmë e ku shkojmë? Sipas Linda Spahiut, drejtueses së Fondacionit “Trojet”, njëherë e një kohë shqiptarët dinin t’i përgjigjeshin shumë mirë këtyre pyetjeve. Por sot, pyetjet identitare marrin përgjigje konfuze, pasi e tillë ka qenë dhe shoqëria shqiptare dekadat e fundit. Ironikisht, vlerat që mbartim nga e shkuara, në vend të shërbenin si udhërrëfyese për daljen e shoqërisë nga kaosi i saj, janë parë si relike të cilat mund të presin e të shpluhurosen të fundit.

Në të tilla kushte Linda dekadat e fundit ja ka përkushtuar jetën e saj ruajtjes së veshjeve tradicionale shqiptare, xhubletave, tirqeve, gunave, e plot elementeve të tjera etnografike të cilat të riskuara nga koha dhe harresa, mund të kishin humbur njëherë e mirë. Për fat, nga dedikimi i saj arkivi i “Trojet” numëron tashmë mbi 2 mijë artifakte dhe kostume tradicionale, që datojnë prej shekullit të 18-të, të cilat ajo ka nisur t’i mbledhë në çdo cep të vendit, duke nisur që nga viti 2004.

Me përkujdesjen e një pediatre me eksperiencë, e cila pasionin e saj për stadin foshnjor të njeriut e zgjaton dhe tek stadi foshnjor i shoqërisë, Linda është e gatshme të na flasë me imtësi për të gjitha kostumet që ndodhen në fondacionin e saj, të na bëjë pjesë të një udhëtimi në kohë e hapësirë, në qytete e fshatra, në etnografinë unike të Shqipërisë.

Shohim nga afër disa nga veshjet që ndodhen në Fondacionin “Trojet”. Spikat xhubleta e bardhë 250 vjeçare e zonës së Dukagjinit, mjaft e rrallë kjo për t’u gjetur, me simbole të ndryshme të cilat është e pamundur t’i deshifrosh. Edhe në xhubletat e tjera shfaqen totema shumëngjyrëshe, të cilat kërkojnë studime multidimensionale për t’i kuptuar si duhet.

Shohim një torbë kali, ku janë të qëndisur zogj me karakter kozmik, me vezën e jetës pranë tyre, si dhe një shqiponjë që do të ishte gabim po të thuhej me shpejtësi se është dykrenare si ajo e flamurit, pasi simboli mendohet të jetë shumë më i vjetër se aq.

Torbja është vetëm një nga 16 komponentët që ka një xhubletë. Sipas studiuesit Jaho Brahaj, xhubleta dokumentohet në terrakota që në vitet 2000 para erës sonë, dhe përbën një kozmos simbolesh pagane të trashëguara nga kultura kreto-mikenase.

Jo më kot, edhe Linda na shtyn të dalim jashtë kornizave të të parit të këtyre veshjeve si të ishin një produkt estestik. Në to janë shkruar mesazhe që komunikojnë më së miri identitetin e një grupi njerëzish, një komuniteti, madje edhe historinë personale të anëtarit të atij komuniteti.

Nga: IntoAlbania