Nga Pano Soko

Tarifa e Rrugës së Kombit është totalisht një vepër antikushtetuese përveçse abuzim i hapur.

1. Ne e kemi paguar vetë të gjithë rrugën nga fillimi në fund. Ato vende që aplikojnë tarifa për rrugët, i aplikojnë vetëm për ato rrugë që ndërtohen me lekët e investitorit privat. Asnjëherë mbi ato rrugë që janë ndërtuar me lekët e taksave.

2. Në çdo vend, nëse për një autostradë vendoset të aplikohet tarifë, atëherë shteti duhet të garantojë që aty ekziston një rrugë dytësore me standarte optimale, e cila jep mundësinë e përdorimit për ata qytetarë që nuk kanë mundësi të paguajnë. Nëse nuk e bën atëherë kjo është antikushtetuese, pasi është shkelje flagrante e Nenit 38/1 i cili sanksionon që gjithkush ka të drejtë të lëvizë lirisht brenda gjithë territorit. Vendosja e një tarife kufizon lëvizjen e atyre individëve që s’kanë mundësi të paguajnë tarifën.

3. Fondi i mirëmbajtjes së rrugëve, pas studimit të plotë të bërë nga Ministria e Transporteve dhe Banka Botërore që u publikua në 2015, për të gjitha rrugët e vendit, është rreth 8.5 miliardë lek në vit, ose rreth 60-65 milionë euro. Sot shqiptarët paguajnë në formë taksash, posaçërisht për mirëmbajtjen e rrugëve (taksë qarkullimi, taksa e regjistrimit të automjeteve), rreth 20 miliardë lek çdo vit (rreth 150 milionë euro). Kjo shumë e mbulon 250% nevojën fizike për mirëmbajtje.
Kjo e bën të palogjikshme vendosjen e tarifave të veçanta për rrugët, si kjo që po bëhet me Rrugën e Kombit.

4. Kryeministri ka ndërmarrë dy nisma për rritjen e Taksës së Qarkullimit që shkoi nga 8.4 lekë me TVSH, në 32.4 lekë, pikërisht sepse i duheshin lekë për mirëmbajtjen e rrugëve. Tani që mirëmbajtjen e rrugës më të madhe e dha me konçesion duhet të na ulë taksën e qarkullimit, ta bëjë zero.

5. Bazuar në Kushtetutën e vendit, monedha zyrtare në të cilën kryhen transaksionet publike të sanksionuara për publikun e gjerë, si taksat apo tarifat, është ajo që emeton Banka e Shqipërisë. Dhe ajo monedhë është Leku. Vendosja e një tarife për publikun e gjerë, me bazë Euro, në Republikën e Shqipërisë është antikushtetuese. (P.sh-Rast i thjeshtuar- Unë personalisht s’e njoh dhe as e di se çfarë është “Euro”. Tarifa “5 €” s’më obligon dot për asgjë, pasi si qytetar i RSH, ligji më detyron të njoh “Lekun” jo “Euro”.
Dhe pasi ne nuk kemi rënë dakord që më parë, në një marrveshje mes meje personalisht dhe mbledhësit tē tarifës, për pagesën e tarifës në “Euro” unë kam të drejtë mos ta njoh fare pasi ligji më obligon të njoh vetëm “Lekun”. Ti thua “5€”, une të jap një copë letër ku shkruaj me dorë “5 Euro” dhe jam në rregull me ligjin)

6. Vendosja e një tarife në Euro, pa u mbushur muaji që ne vendosëm për “deeuroizimin” e ekonomisë shqiptare, tregon shumē për nivelin e qesharak-llikut që karakterizon këtë shtet.

Nisur nga tē gjitha këto, kontrata për konçesionimin e mirëmbajtjes së rrugës së Kombit është e jashtëligjshme dhe jo vetëm qē duhet shfuqizuar, por nënshkruesit e këtij akti antikushtetues duhet të dalin para ligjit.

Vetëm se kemi një problem. Për momentin s’kemi Gjykatë Kushtetuese, kështu që duhet të mësohemi me ca antikushtetueshmërira këto kohë… ose larg qoftë ta zgjidhim me protesta, larg qoftë.