Soreca

Soreca për Euronews: – Pretendimet e opozitës po shqyrtohen. –

7 qershor 2019

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca, gjatë një interviste për “Euronews” foli për situatën politike në vend.

Ai deklaron se Shqipëria ka bërë progres në fusha të caktuara.

Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm që nga qershori 2018. Së pari progres ka pasur në fushën e drejtësisë, ku janë bërë hapa me rëndësi. Këtu vlen të përmendet edhe reforma në drejtësi, si kryereformë e vendit. Kemi të bëjmë me një reformë të pashembullt të reformimit të gjyqësorit në Shqipëri, që nuk është parë në Europë e në botë”, ka thënë Soreca.

Sidoqoftë, Soreca jep një mendim edhe për opozitën shqiptare, e cila ka kohë që proteston nëpër rrugët e Tiranës dhe Shqipërisë.

Opozita ngre pretendime të njëpasnjëshme. Pretendimet e opozitës po shqyrtohen”, ka deklaruar Soreca. Ai shton se opozita ka publikuar përgjime dhe të tjera materiale që duken kompromentuese. Soreca shprehet se opozita duhet ta dëshmojë me fakte se kemi të bëjmë me shkelje ligji e nëse vërtetë ka thyerje ligjore, atëherë BE mbështet tërësisht zbatimin e ligjit.

Ndërkaq, ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca jep edhe një mesazh të rëndësishëm për palët politike në Shqipëri. Ai bën thirrje për bashkim të të gjitha partive që t’i japin fund krizës dhe të dërgojnë Shqipërinë drejt BE-së. “I bëj thirrje të gjitha partive politike që të kapërcejnë ngërçin aktual dhe të marrin në konsideratë interesin kombëtar të shqiptarëve si drejtimin më të mirë për vendin”, tha Luigi Soreca, ambasador i BE në Shqipëri.

b.b/dita