Nga: Fatmira Nikolli

Shtëpia e Abatit Prenk Doçi në Shkodër është shpallur monument i mbrojtur nga shteti prej Ministrisë së Kulturës. Vendimi në fjalë merr rëndësi, në një kohë që një plan i ri ubanistik mund të kanoste ekzistencën e saj të mëtejshme. Ka qenë ministrja Mirela Kumbaro, që e ka njoftuar përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”. “Në Shkodër i thonë ‘Shtëpia e Abatit’ ose selia e shoqërisë ‘Bashkimi’, falë së cilës kemi alfabetin e shqipes. Fjalori i ‘Bashkimit’, sikundër u quajt në motet më pas, sipas alfabetit latin u miratua në Kongresin e Manastirit (1908). Ministria e Kulturës vë në mbrojtje shtëpinë e Abat Doçit, jo vetëm si një vend i rëndësishëm historik, por edhe si një objekt arkitektonik interesant. Më tej çdo bashkëpunim është i rëndësishëm për ta restauruar atë”, shkroi dje Kumbaro. Në këtë proces, ministrja ka pasur përkrah (dhe falënderon) Dom Artur Jakun dhe Dom Nikë Ukgjinin, dy priftërinj të Dioqezës së Shkodrës, që në një farë mënyre e kanë nxitur Kumbaron, duke këmbëngulur për vlerat historike e arkitektonike të godinës. E vendosur në anë të Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, “Gazeta Shqiptare”, në muajin shtator mundi të fotografojë (me fotografen ‘Lu Photography’) ambientet e brendshme të saj, duke nxjerrë në pah njëherit, shkëlqimin e kahershëm e rrënimin e sotëm, (http://www.gsh.al/2017/07/27/fotot-brenda-shtepise-se-abatit-dhe-alfabetit-rrenimi-si-modus-vivendi/).
Historia e kësaj godine bëhet e mjegullt në fundin e 800-ës e fillimin e 900-ës. Një shkallare që të nxjerr në kat të dytë ka në anë mure të mykura, mbajtëse prej druri pothuaj të kalbur, ndërsa dyert e dritaret, 100 vite më pas, i ruajnë ende gdhendjet në drurin që është ngrënë sa nga kalbja, aq edhe nga insektet. Gjithçka ruhet e dhëmbëzuar, nga harqet te vetratat, nga tullat e bardha që dikur qenë të padukshme brenda murit, te kolonat mbajtëse, ku u shkrep fotoja e elitës kulturore të Shkodrës nga Marubi; diku ruhen ende gjurmët e altarit të kapelës së vogël që gjendej në shtëpinë e Abatit, hijembeturat yje të pikturuara në një mur në të kaltër; çdo gjë në ngrehinën që shuhet të flet për një histori që po humb. Vetëm tjegullat, vetëm ato ende mbahen, për të mos futur brenda zemërimin e qiellit.


NGA ABATI
TE (S)TEFË CURANI
Si shtëpi e Abatit të Mirditës, ajo u bë edhe selia e shoqërisë së themeluar prej tij në janar 1899, në Shkodër, e mandej veç emrit të tij te “Bashkimi”, dhanë ndihmesën e vet të çmuar edhe emra si At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dodë Koleci, Dom Ndoc Nikaj, Anton Xanoni, Imzot Jak Serreqi, Imzot Lazër Mjeda, Atë Ambroz Marlaskaj, Nikollë Sheldija. Në mos për vlerën që pati si shtëpi e Abatit në Shkodër, godina, duhet çmuar e ruajtur për të qenit selia e ‘Bashkimit’. 100 vite nga vdekja e Abatit e 109 vite nga Kongresi i Manastirit, selia e ‘Bashkimit’ dergjet, strukur në qendër të Shkodrës, pa rënë në sy – por së paku, u vu në mbrojtje, duke ndaluar shembjen e saj. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të gjejë dhe të kontaktojë pronarin aktual të shtëpisë, Tefë Curani. Tefa për të cilin flasim është nipi i (S)Tefë Curanit (të vjetrit), një prej atyre që organizuan Kongresin e Triestes.
“Gjyshi im e ka njoh Prenkë Doçin”, më thotë nga Italia ku ndodhet, Tefa (i riu). “Kanë qenë miq për një kohë të gjatë. Kishte hyrë e dalë disa herë në shtëpinë e Abatit. Takoheshin bashkë me Gjon Marka Gjonin, princin e Mirditës, të cilin e ndihmonte Prenk Doçi”. E pyetën Tefën (të riun) se si shtëpia e Abatit u bë shtëpia e (S)Tefë Curanit (të vjetrit).
“Kur Abati e ndërtoi atë, ishte shtëpia më moderne në Shkodër. Brenda kishte një arredim perëndimor dhe ishte në stil barok. Ka qenë krejt ndryshe nga shtëpitë e kohës. Por të gjitha këto duhet të kenë qenë shumë të kushtueshme. Abati qe penduar disi, sepse kishte bërë shumë shpenzime për të dhe duheshin akoma më shumë për ta mbajtur atë shtëpi. Atëkohë gjyshi im donte shtëpi, kështu që Abati, i cili pa se nuk mundej ta mbante, ia shiti gjyshit tim, (S)Tefë Curanit (të vjetrit)”, thotë Tefë Curani (i riu).

Shtëpitë e Shkodrës së kohës kishin kat përdhes dhe një kat lart, kurse kjo shtëpi nën çati kishte një ‘belvdere’, një sallon të madh nga i cili shihje qytetin kujton Curani. Shihje prej aty, minaret e xhamive dhe kompanjelet e kishave.
Tefë Curani i vjetri ishte një prej burrave më fisnikë të Shkodrës së kohës, njëherësh ndër më të pasurit. Zotëronte 7 gjuhë të huaja, ndaj kishte punuar në Ministrinë e Jashtme austro-hungareze me baronin Ludwig von Thalloczy. Martohet me Marie Stejner, në Vjenë më 1917. Kur erdh në Shqipëri, zotëronte një shoqëri vaporësh me emrin “Buna”. Një prej vaporëve mbante emrin “Skëndërbeg”. Atëkohë këto mjete transporti bënin linja të shpeshta transporti për udhëtarët. Tefa ishte kryeinspektor i një shoqërie lundruese triestine dhe lundrimin me linjat e tij të vaporëve e pat nisur me “Lloyd”. Në qeverinë e Iljaz pashë Vrionit qe thirrur të bëhej ministër Financash (1920-1921), ndërkohë që Curani ishte mik me Fan Nolin, aksioner në fabrikën e duhanit “Stamless” si edhe aksioner në bankën italo-shqiptare të po atyre viteve. E pyes Curanin se ku gjendej kapela- kishëza e vogël brenda shtëpisë së Abatit Prenk Doçi. Më thotë që ishte në kat të dytë djathtas. Kur shtëpinë e kishte (S)Tefë Curani, në pjesën rrethuese të saj jetonin rojet me familjen dhe shërbimi. Në katin përdhes të saj ishte kantina dhe lavanteria, ndërsa para saj në oborr, një bllok i guri i madh shërbente që të ndihmonte burrat të hipnin në kalë. Po aty, për të bërë këtë bllok të dukej më bukur ka qenë kaherit një skulpturë.


BALLOT VJENEZE TË KONSULLIT
“Kur familja ime ka banuar aty, gjyshi ka qenë konsull nderi i Austrinë (deri më 1939). Shtëpia vizitohej rregullisht nga diplomatët e huaj, pasi shërbente edhe si një lloj ‘konsullate”. Atëkohë, Stefë Curani organizonte edhe ballo vjeneze dhe në shtëpi nuk mungonin as fisnikë austro-hungarezë, miq të Tefës a vëllait të tij, që qe shkolluar në gjimnazin e mbretit të Austro-Hungarisë.
SHTËPIA, NJË MUZE?
A do ta jepnin shtëpinë për muze? Tefa pohon. “Do e kishim dhënë për muzeum në një marrëveshje me shtetin shqiptar. Kemi pasur shumë kërkesa nga ndërtuesit që duan ta marrin e të ndërtojnë aty. Në komunizëm, gjyshi kishte vdekur dhe gjyshen e kanë nxjerrë nga shtëpia, duke ia dhënë godinën për përdorim sekretarit të parë të partisë pas çlirimit. Pastaj, komunalja ka futur aty 18 familje të banojnë, ngaqë ishte e madhe.
Në atë shtëpi u arrestua Stefë Curani i vjetri dhe djali i tij, babai i rrëfimtarit tonë. Kur shtëpia iu mor familjes, çdo gjë u sekuestrua me inventar, bashkë me orenditë e zonës së shërbimit, ku priteshin pajtonët. Po aty ruhej një karrige e Abatit, që sot, karrigia ruhet nga familja Curani në Itali. Karrigia ka qenë një lloj froni, që mbante Abati prej detyrës që kishte.


Curanët kishin koleksion armësh e shpatash, që prej aty u morën dhe u çuan në Gjirokastër nga shteti.
Poltronat e kësaj shtëpie – që kishte dy sallone, një për personalitetet që priste konsulli e një për miqtë – kanë qenë të kohës së Lugjit të XVI. Muret, ishin të veshura me letër, damask e të pikturuara.