Nga: Bardha Ndregjoni. –

Jeta e 4 figurave të kësaj familjeje, përndjeket e pushkatimet në luftë dhe komunizëm

Bërzeshta e Librazhdit ishte shtëpia e patriotëve për më shumë se 100 vjet. Nga ky fshat dolën mjaft figura të shquara, që kontribuuan për arsimin, si patriotë dhe atdhetarë. Sot në fshatin e largët mbetet vetëm kulla e Blloshmëve. Në gjendje të rrënuar, e braktisur dhe pa jetë, shtëpia hijerëndë vazhdon të qëndrojë në pritje të një restaurimi. Një prej pasardhësve, Lumturi Blloshmi ndërsa zhvillon një vizitë në shtëpinë e të parëve, ngre shqetësimin e braktisjes së shtëpisë. Në fshatin, ku lindën patriotë dhe atje ku ngrit shkolla e parë shqipe, para asaj të Korçës, nuk ka asnjë muze që t’ia transmetojë historinë brezave.

Hajdar Blloshmi

Hajdar Blloshmi u lind në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit në vitin 1860. Mësimet e para i mori në qytetin e Ohrit, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në Stamboll. Duke u nisur nga rezultatet e larta në këto studime, si dhe nga zotërimi i disa gjuhëve të huaja, si turqisht, persisht, greqisht e frëngjisht, ai u pa me vëmendje nga autoritetet e atëhershme.

Nuk vonoi shumë dhe Blloshmi u emërua sekretar në Ministrinë e Drejtësisë. Pak më vonë ai do të thirrej personalisht nga vetë sulltani në pallatin e tij për të shërbyer pranë tij si përkthyes dhe si këshilltar. Nga pozita ku u ndodh, Hajdar Blloshmi ndihmoi mjaft çështjen shqiptare. Në fund të shekullit të 19-të ai është mësues i gjuhës shqipe në shkollën shqipe të Ohrit, e hapur kjo nga Hamdi Ohri. Pas kësaj përvoje mësimdhënëse, emrin e Hajdar Blloshmit e hasim në tetë mësuesit e parë të normales së Elbasanit, e cila siç dihet u hap më 1 dhjetor 1909. Në shkollën në fjalë Blloshmi jepte frëngjisht. Përveç të tjerash ai ka një aktivitet në klubin “Bashkimi” të Manastirit. Në prill të 1912, Blloshmi shihet si mësues i frëngjishtes në Durrës. Më 28 nëntor – 7 dhjetor 1912, ai mori pjesë në Kuvendin e Vlorës si përfaqësues i nënprefekturës së Pogradecit.  Hajdar Blloshmi ishte i vetmi delegat për Pogradecin në Kuvendin e Vlorës dhe këtë e dëshmon një proces-verbal i Kuvendit Kombëtar i botuar në gazetën “Përlindja e Shqipërisë”, Viti II, Nr. 10, datë 14 shkurt 1914.

Shaban Blloshmi

Gjatë periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare, në trevat e Elbasanit, Strugës, Ohrit, Dibrës, Manastirit, Pogradecit dhe Korçës spikati figura e atdhetarit të shquar Shaban Blloshmi nga Bërzeshta e Librazhdit. Patriot dhe demokrat, që shkriu gjithçka, duke flijuar edhe jetën e tij, për lirinë dhe përparimin e Atdheut.

Shaban Blloshmi u lind në vitin 1882 në fshatin Bërzeshtë në një familje të dëgjuar dhe me emër. Mësimet e para Shabani i mori në qytetin e Ohrit dhe më tej i vijoi në kryeqytetin e perandorisë turke, në Stamboll. Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll, nëpërmjet dy bashkëfshatarëve të tij shquar, që ishin miq të vëllezërve Frashëri (Naimit e Samiut), i riu Shaban Blloshmi lidhet me rrethet patriotike, ku mësoi të shkruajë e të lexojë gjuhën e bukur shqipe. Pas kthimit në atdhe, Shabani merret me vendosmëri me aktivitete patriotike, duke u përkushtuar në zbatimin e Programit të Rilindjes Kombëtare.

Shaban Blloshmi punoi me vendosmëri për përhapjen e arsimit shqip në të gjitha trevat e Elbasanit, Pogradecit, Strugës dhe të Korçës. Në bashkëpunim me patriotin Dervish Hima hapën të parën shkollë shqipe në fshatin e Bërzeshtë, në ambientet e shtëpisë së Shabanit. Patriotëve shqiptarë të Manastirit vazhdimisht u kërkonte abetare dhe libra shqip për shkollat e fshatrave të krahinave të Çermenikës, Qukësit, Mokrës, Strugës etj. Shaban Blloshmi ngriti një çetë komitësh të armatosur, e cila zhvilloi shumë aksione luftarake. Gjatë kohës që ishte kaçak, komit, siç quheshin në atë kohë, dhe kryetar çete atdhetare, ai interesohej vazhdimisht edhe për përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe. Duke qenë edhe kaçak edhe mësues njëkohësisht, Shabanin e patën thërrur “mësuesi kaçak”. Intelektuali i njohur elbasanas Lef Nosi, duke përkujtuar figurën e Shaban Blloshmit, do të shkruante në kujtimet e tij: “Veprat e këtij patrioti nuk i përkasin ndonji historie a përmendore, po janë nga ato që i din kushdo që asht marrë me idenë e punët e shenjta kombëtare… Në vitin 1913 komandant çete në Elbasan kundër rebelëve esadistë, më 1914 komandant çete kundër rebelëve në Qafë Thanë, po në këtë vit ka luftue kundër epirotëve grekë në Arrëz të Korçës e të tjera… Në vitin 1916 komandant çete shqiptarësh kundër Austro-Hungarëzëve…”
Në vitin 1920 zgjidhet delegat për në Kongresin e Lushnjës, duke përfaqësuar rrethin e Starovës në Pogradec, ku bënte pjesë edhe Qukësi e Bërzeshta. Për të zbatuar vendimet e Kongresit të Lushnjës, Shaban Blloshmi kthehet në Starovë, Qukës e Bërzeshtë dhe organizon popullin e këtyre anëve, duke dërguar vullnetarë për të luftuar kundër pushtimit italian që kishin pushtuar Vlorën.
Në vitet 20 të shekullit të kaluar Shaban Blloshmi u aktivizua me lëvizjet demokratike të vendit. Lidhet me rrethet e inteligjencës më përparimtare të qytetit të Elbasanit duke krijuar grupin “As e pashës dhe as e beut”, ku bënin pjesë Aleksandër Xhuvani, Sali Ceka, Ibrahim Dedei, Qazim Dyrmishi, Kostaq Cipo etj. Në vitin 1924 Shaban Blloshmi përkrahu lëvizjen antizogiste të udhëhequr e të drejtuar nga Fan Nolin. Gjatë kohës së lëvizjes fanoliste Shaban Blloshmi kishte bërë shumë kundërshtarë dhe armiq, disa prej të cilëve ishin edhe në sferat e larta të pushtetit të asaj kohe. Në një letër që u dërgonte miqve të tij elbasanas, Lef Nosi dhe Ahmet Dakli, Shaban Blloshmi do të shkruante: “Kanë kohë që punojnë nën dhé me çdo mjet e mënyrë të më zhdukin nga faqja e dheut…”. Armiqtë e Shaban Blloshmit i zunë pritë pranë shtëpisë së tij dhe e vranë me 5 nëntor 1929.

Selaudin Blloshmi

Selaudin Blloshmi ishte një ndër ushtarakët më të besuar të Mbretit Zog. Më 14 Dhjetor të vitit 1923 forcat ushtarake të komanduara nga Koço Kotta, sulmuan dhe hynë në Kapshticë. Forcat e drejtuara nga Myfit bej Libohova sulmuan nga Kakavija, ndërsa ato të drejtuara nga Selaudin Blloshmi sulmuan nga Qafë Thana. Nëpërmjet një marshimi të shpejtë, tri kolonat, pas një rezistence të dobët, marshuan në drejtim të Tiranës duke sjellë në krye Zogun.

Selaudin Blloshmi ishte i martuar për herë të dytë me mbesën e Ismail Qemalit, Sara. Sarën ai e njohu kur ishte me studime në Egjipt. Ishte një ndër djemtë më të pashëm dhe dashuria mes tyre mori vëmendjen edhe të vetë mbretit i cili i afroi në oborrin mbretëror. Nga kjo martesë lindi Vera Blloshmi. Në prag të çlirimit familja e tij vendoset në Angli. Vetëm në demokraci vajza e Sarës dhe Selaudinit kthehet në Shqipëri. Një piktore e shquar tashmë, Vera ka takuar gjithashtu motrat e saj në Elbasan. Ndërron jetë në vitin 1998.

Vilson Blloshmi

Vilson Blloshmi , lindi më 18 mars të vitit 1948,në Bërzeshtë te Librazhdit.Ai ishte vetem nje poet gje qe i kushtoi edhe jeten. Vilson Blloshmi bashke me Genc Leken u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977, për të vetmin “faj”, se kishin lindur poetë. Jeta e tyre u fik nga plumbat e xhelatëve, ndërsa trupat e njomë u flakën në të njëjtën gropë. Të dy poetët e kallur nën dhe` u lanë në harresë deri në shembjen e diktaturës, ndërsa poezitë e tyre u shpallën heretike. Diktatura i groposi, por të dy poetët kishin skalitur pavdekësinë me krijimtarinë e tyre, poezinë. Ata ishin poetë të lindur dhe i këndonin bukurisë, njeriut të thjeshtë.

Ishte mësues dhe poet i talentuar që aspiroi për liri dhe demokraci, për një jetë më të mirë. Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike. Ai fliste frëngjisht dhe anglisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë perëndimorë, sidomos ata francezë. Akuza kryesore ndaj tij, ishte poezia “Saharaja”, ku ai e simbolizon shqipërinë e shkretë dhe pa miq e pa shokë, por Vilsoni u akuza edhe pse kishte thënë: “që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të dish edhe gjuhë të huaja”. Regjimi nuk i donte njerëzit që dinin gjuhë të huaja. Megjithëse dinte gjuhë të huaja, ai shikohej me sy të keq nga Partia e Punës dhe qeveria komuniste. Në akt-akuzë thuhej se: “Vilson Blloshmi e ka filluar që në bankat e shkollës, në Normalen e Elbasanit, veprimtarinë armiqësore”. Ai i kishte thënë një shoku në shkollë se: “vendi nuk ka literaturë të bollshme dhe njerëzit nuk marrin dije”…

Komiteti i Partisë së Librazhdit kishte bërë një plan masash për gjykimin dhe dënimin e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Pra, në Komitetin e Partisë merreshin vendime për pushkatimin e poetëve. Edhe diskutimet që do të bëheshin në gjyqin politik, ishin përgatitur në Komitetin e Partisë dhe aty ishin caktuar gjashtë vetë, për të diskutuar ato që ishin përgatitur në Komitetin e Partisë. Në planin e masave të Komitetit të Partisë, thuhej se: “Gjykatat Popullore punojnë për të realizuar vendimet e Kongresit të 7-të të PPSH”. Akuzat ishin të rënda për “krim, sabotim ekonomik, agjitacion dhe propagandë”. Vilson Blloshmi bashke me Genc Leken u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977.

Të pushkatuar në Dunicë 1943

Shefqet Blloshmi, Bajram Blloshmi, Selman Blloshmi, Sabri Blloshmi, Haki Blloshmi, Hazis Blloshmi, dhe Shahin Blloshmi, i vrarë në 17 nëntor 1944.