Reuters ‘shuplakë’ Ramës: – Shqipëria, një ndër vendet më të korruptuara të Europës

17:28, 03/07/2019

Deklarata e Presidentit francez, Emmanuel Macron, për pezullimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian ka tërhequr vëmendje të madhe në mediat ndërkombëtare.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një analizë këtij qëndrimi, në të cilën thekson se Shqipëria dhe Maqedonia Veriore janë dy viktimat e para të Macron.

Gazetari Richard Lough, në artikullin e tij, shkruan se, Shqipëria perceptohet si një ndër vendet më të korruptuara të Europës që ka dështuar në luftën kundër pastrimit të parave. Reuters nënvizon se shtetet e Europës Veriore kundërshtojnë me forcë anëtarësimin e vendit tonë në BE.

“Zgjerimi kërkon unanimitet, që nënkupton se Macron ka të drejtën e vetos”, lexohet në artikullin Reuters duke vënë në dukje se Franca dhe Holanda bllokuan çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian në qershor të vitit 2018.