Raporti, çfarë thotë Komisioni Europian për nivelin tonë të varfërisë

17korrik 2019 10:09

Matja e varfërisë në Shqipëri është e diskutueshme për shkak të statistikave të mangëta, por Komisioni Europian duke ju referuar Bankës Botërore raportoi se, shkalla e varfërisë në Shqipëri arriti në vitin 2018 në 35.2%.

Niveli më i lartë i varfërisë është vërejtur në verilindje të vendit.

Komisioni Europian vë në dukje se sistemi i mbrojtjes sociale nuk siguron mbrojtje adekuate të atyre në nevojë. Pagesat e papunësisë në Shqipëri mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të të papunëve të regjistruar (2.7%).

“Reforma e skemës së ndihmës ekonomike u aplikua në të gjithë vendin në janar 2018 për të përmirësuar efikasitetin dhe për të zvogëluar mashtrimin.

Por të dhënat në dispozicion (nëntor 2018) tregojnë rritje të familjeve të reja përfituese.

Mungojnë të dhënat se është duke u arritur përmirësimi i targetimit të atyre që kanë nevojë.

Pesha financiare e skemës është vetëm 0.025% e PBB (2018).

Efektiviteti i skemës është i dyshimtë, pasi kompensimi mbetet poshtë kufirit të varfërisë së skajshme” – ve në dukje Komisioni.

Një fushë veçanërisht sfiduese janë shërbimet e kujdesit social, të cilat janë të pazhvilluara, të pa investuara dhe mungojnë përgjithësisht.

Mbulimi i sigurimeve shëndetësore është shumë i ulët dhe skema e sigurimeve shoqërore vazhdon të jetë në deficit – thotë raporti.