“Rama si Asad. Mos i helmo fëmijët”, marshimi i heshtur i të rinjve në Tiranë kundër përdorimit të gazit lotsjellës nga policia. –

17 Mars, 2019.  

Krahas festimeve për “Ditën e Verës”, sot në kryeqytet është zhvilluar dhe një marshim i heshtur dhe paqësor me fëmijë dhe të rinj, duke u solidarizuar me vajzën e vogël që u godit dje gjatë protestës me gaz lotsjellës. Ajo është bërë simboli i një proteste të heshtur të disa të rinjve dhe fëmijëve kundër sjelljes së policisë me qytetarët.

kundër përdorimit të gazit lotsjellës nga policia

Fëmijët mbajtën kundragaz në fytyrë gjatë marshimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri tek Ministria e Brendshme, ndërsa vajzat e reja që i shoqëronin, kishin stampuar në bluza portretin e vajzës së goditur me gaz lotsjellës, me mbishkrimin ”Rama si Asad. Mos i helmo fëmijët”.

Protesta e heshtur e fëmijëve u mbyll para Ministrisë së Brendshme, institucionit përgjegjës për përdorimin e lëndës helmuese kundër protestave qytetare. Fëmijët lanë aty kundragazët për t’i treguar qeverisë se në një vend normal protestuesit paqësorë, gratë dhe fëmijët nuk sulmohen me helme kimike.