RAI: Gati deklarata e BE-së për krizën në Shqipëri. – Zyrtarët e lartë europianë zbarkojnë së shpejti në Tiranë.-

20-02-2019,

Italia, si vendi më i madh i Bashkimit Europian pranë Shqipërisë, duket edhe më e shqetësuar apo më e ndjeshme pas krizë së fundit politike. Pothuajse të gjitha mediat italiane kanë raportuar gjerësisht gjendjen dhe zhvillimet e fundit në Tiranë.

BE-ja, pas vendimit për dorëheqjen e mandatave nga partitë  opozitare shqiptare dhe kërkesës për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama, i cili udhëheq qeverinë socialiste, pritet që të zbresë në terren.

Një reportazh i Televizionit Publik Italian, RAI, teksa e dërguara Laura Tangherlini ishte në Tiranë, thekson se pritet shumë shpjet një deklaratë zyrtare e BE-së mbi krizën politike në Shqipëri. Madje nëse nuk do të ketë zgjidhje, përfaqësues të lartë të BE-së pritet të mbërrijnë së shpejti në Tiranë.  Kujtojmë se aktualisht në lëvizje janë vënë ambasadorët perëndimorë të vendeve partnere të Shqipërisë,  që janë takuar si me krerët e lartë të maxhorancës, ashtu edhe me ata të opozitës.

Në deklaratën që pritet të bëhet publike kërkohet që së shpejti të hapet dialogu mes palëve dhe ku pritet të vihet sërish theksi kundër bojkotit të opozitës. Por nëse bojkoti do të ketë lidhje me ndonjë lëshim nga ana e maxhorancës, kjo mbetet për të parë në ditët në vijim, nisur edhe nga roli dhe qëndrimi që do të mbajnë ndërkombëtarët.

Ndërkohë, opozita vazhdon të organizojë mega-demonstrimin e radhës për të enjten, para Parlamentit, në të njëjtën ditë kur do të parashikohej të mbahej seanca e radhës,  krye-parlamentari Gramoz Ruçi, vendosi që kjo seancë të anulohet.

Mesazhet e djeshme të SHBA dhe BE, më kanë lënë shijen e hidhur të një të vërtete të papëlqyeshme. Një skenar i tillë i padëgjuar në dijeninë time në asnjë rast në historinë e parlamentarizmit është një lloj kamikazllëku politik që hedh në erë të zotët e punës, por dëmton të gjithë mjedisin tonë si dhe raportet e të tjerë me këtë mjedis”, u shpreh Ruçi, në një dalje për mediat, ku komunikoi anulimin e seancës së nesërme.

Më tej Ruçi i bëri thirrje opozitës që mos kërkojë pushtetin në tavolinë. Sipas tij, nuk është normale që opozita të kërcënojë parlamentin dhe të organizohet për ta dhunuar atë. “është tërësia e qytetarëve që na gjykojnë dhe mandatojnë me votë”, theksoi ai.

Por edhe pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, për të shmangur bojkotin dhe dorëzimin e mandatave, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka votuar unanimisht  për djegien e mandateve. Vendimin e komunikoi sot kreu i PD, Lulzim Basha, i cili tha se ky ishte një vendim i vështirë, i paprecedentë, por është marrë si “e vetmja rrugë”. Pas vendimit, secili deputet ka firmosur deklaratën e lënies së mandateve. “Kam nderin dhe privilegjin, t’ju bëj të ditur vendimin unanim të Këshillit Kombëtar të PDSH, për djegien e mandateve parlamentare, me efekt të menjëhershëm”, theksoi Basha. “Në këtë 20 shkurt të 2019, 28 vite pas rrëzimit të diktaturës më të egër, shqiptarët do të kenë në krahun e tyre PD-në. Njerëzit tanë do të jenë krah të qytetarëve si qytetarë të thjeshtë për të vendosur që kurrë më në Shqipëri mos të vendoset një regjim tjetër diktatorial. Kurrë më kushtetuta dhe ligjet mos të shkelen dhe dhunohen siç kanë ndodhur në këto 5 vite.

Sipas tij “pas urdhrit të sovranit i cili ushtoi në protestën më të madhe, në atë të të shtunës ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Zgjedhim me përgjegjësi të plotë ti bindemi sovranit.” Më tej kreu i opozitës tha se kjo nismë ëshë marrë edhe që Shqipërisë t’i hapen dyert e Europës. – “Përmes këtij vendimi, të vështirë dhe të paprecedent ne synojmë të çojmë deri në fund betejën tonë për vlerat evropiane. Ne do ta hapim derën që na çon drejt Evropës.”

Basha tha se “Ajo derë do të hapet vetëm kur vendi të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, por a do ta pajtohet BE-ja me pretendimet e opozitës?

Ashtu si edhe në raste të tjera, do të jetë edhe këtë herë BE, ose arbitri ndërkombëtar, që pritet të mbërrijë së shpejti në Tiranë, ashtu siç paralajmëron RAI, për t’i dhënë zgjidhje krizës politike.