rtsh

Qytetarët paguan vjet 9.7 milionë euro taksa vetëm për RTSH-në

Nga Alket Aliu 

5.4 milionë euro të tjera ky institucion i ka marrë nga qeveria, prej buxhetit të shtetit

Qytetarët shqiptarë kanë paguar gjatë vitit të kaluar plot 9.7 milionë euro, ose 1.2 miliardë lekë si taksë të detyrueshme ndaj Radio-Televizionit Publik Shqiptar. Një shifër e tillë është konfirmuar në raportin vjetor të këtij institucioni drejtuar Kuvendit, madje duke u ankuar se kjo shumë është më pak nga ajo që duhej të mblidhej.

“Të ardhurat nga tarifa janë në nivelin më të ulët të viteve të fundit”, thuhet në këtë raport. Duke shtuar më tej se ajo përbën gjysmën, ose 53% të të gjitha fondeve që institucioni mediatik publik në vend ka arritur të sigurojë gjatë vitit të kaluar.

“Kjo situatë e relatuar edhe në Këshillin e Ministrave dhe ministrinë e Financave, ka çuar në mungesën e sasisë likuiduese të RTSH-së. Për këstin e kredisë e dixhitalizimit, për likuidimin e disa investimeve të kryera në vitin 2018, të drejtave televizive të kontraktuara, si edhe për pagesën e pagave të punonjësve në disa njësi”, thuhet mes të tjerash në raportin në fjalë.

Nga ana tjetër, RTSH-ja pohon se ka marrë edhe 5.4 milionë euro të tjera, ose 665 milionë lekë nga qeveria, prej buxhetit të shtetit. Pa harruar këtu edhe 1.7 milionë euro, ose 205 milionë lekë që i ka siguruar nga shërbimet e reklamave, njoftimeve, apo kronikave.

Sikundër, një fond interesant mbetet edhe ai që RTSH-ja e ka siguruar vitin e kaluar nga bashkëpunimi me Kinën, me radion e jashtme të saj, 613 mijë euro, ose 76 milionë lekë. Apo edhe ai i të ardhurave nga shitjet e prodhimeve të RTSH-së dhe klikimet në YouTube, prej 330 mijë eurosh, apo 41 milionë lekësh. Në tërësi, 18.2 milionë euro, ose 2.25 miliardë lekë ka siguruar institucioni në fjalë gjatë gjithë vitit të kaluar.

18.2 Milionë euro, ose 2.25 miliardë lekë është fondi total i të ardhurave që Radio-Televizioni Publik Shqiptar ka arritur të sigurojë gjatë vitit të kaluar 53%

e fondit prej 18.2 milionë eurosh, që Radio-Televizioni Publik Shqiptar ka arritur të sigurojë gjatë vitit të kaluar ka qenë vetëm nga taksa vjetore e qytetarëve

DIXHITALIZIMI

“Përfitoni nga mbyllja e transmetimeve analoge, shtoni të ardhurat”

“Në bashkëpunim të ngushtë me AMA-n, të përfundojë ndërtimi i rrjetit numerik të shpërndarjes së sinjalit, duke bërë të mundur mbylljen e transmetimeve analoge në të gjithë Shqipërinë dhe kjo të shoqërohet me rritjen e të ardhurave që rrjedhin nga shfrytëzimi i rrjetit numerik të transmetimit”.

rtsh

Kjo është një tjetër porosi që Kuvendi i lë Radio-Televizionit Publik gjatë këtij viti. Duke shtuar se bashkë me këtë proces, ai duhet që të përshpejtojë edhe ritmet e punës për dixhitalizimin e materialeve arkivore.