Arkitekti Latif Lazimi: Kumbaro të ndërhyjë urgjentisht në Gjirokastër

Banesa Lolomani në lagjen Pazari i Vjetër, monument i kategorisë së dytë në Gjirokastër është rrëzuar nga shirat e ditëve të fundit. Sipas specialistëve të trashëgimisë në janar të një viti më parë u rrëzua dhe banesa Lolomani monument kulture e kategorisë së parë në lagjen Varrosh. Të dyja këto objekte sipas specialistëve kanë qenë tepër në risk më parë, por shqetësimi nuk u mor për bazë nga institucionet. Edhe pse specialistët e trashëgimisë flasin për dëmtime dhe rrënime duket se nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës mungon vëmendja. Arkitekti Latif Lazimi për 40 vjet është marrë me restaurimin e banesave në qendrat historike të Gjirokastrës , Beratit etj. Sipas tij e gjithë situata sot në Gjirokastër tregon neglizhencën prej vitesh të institucioneve, të Ministrisë së Kulturës apo dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. Në reagimin e tij arkitekti Lazimi, i cili dikur është marrë dhe me një projekt për banesën Lolomani pohon se në Gjirokastër gjendja e banesave është shumë e rëndë. “Kjo gjendje vazhdon për shumë vite që pas vitit 1991, që nuk është ndërhyrë sistematikisht për restaurimin e banesave. Janë bërë përpjekje të veçanta për ndërhyrje në ndonjë prej banesave që janë në gjendje të rëndë teknike, por kjo nuk e zgjidh problemin në Gjirokastër. Kanë kaluar shumë vite pa u ndërhyrë në këto banesa dhe gjendja tani është e tillë, që në rast fatkeqësish natyrore ato mund të shkatërrohen menjëherë”, shprehet Lazimi. Sipas tij qendra historike e Gjirokastrës kërkon një plan të mirëstudiuar, gjë e cila është kërkuar dhe prej specialistëve të tjerë më parë. “Për Gjirokastrën duhet një plan i studiuar për ndërhyrjet në banesat që janë rrezik shembje dhe është me shumicë ky numër, i cili të planifikojë ndërhyrje të cilat të eliminojnë rrezikun e shembjes, sepse restaurimi i plotë kërkon fonde të mëdha. Kjo për fazën e parë të ndërhyrjeve, sepse po të vazhdohet kështu do të vijë një ditë që Gjirokastra do të duket e tjetërsuar nga shembjet e banesave. Një gjë që më shqetëson shumë, por gjendja është e tillë që nuk mban më”, thekson arkitekti Latif Lazimi.

Emergjenca në Gjirokastër

Edhe pse arkitekti Latif Lazimi i cili për katër dekada punoi në IMK pohon se kjo është një gjendje e trashëguar ndër vite, sipas tij Ministria e Kulturës dhe IMK kanë përgjegjësinë e tyre për atë se çfarë ka ndodhur këto vite. “Në fakt kjo gjendje është e trashëguar në vite dhe nuk mund të thuash që banesat u shkatërruan tani, por IMK dhe ministria kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë se çfarë kanë bërë këto vite për të përmirësuar situatën. Me sa mbaj mend kam bërë një projekt shumë vite më parë për të eliminuar rrezikun e shembjes së Lolomanit”, shton më tej arkitekti Lazimi për Gjirokastrën. Duke folur për rrënimet e banesave monument kulture ai pohon se ato që po rrënohen nuk kthehen më. “Më vjen keq, gjithë jetën kemi punuar për të ruajtur këtë trashëgimi të çmuar dhe kur shembet një banesë ndjejmë dhembje të madhe, sepse nuk kthehet më. Ministrja Kumbaro të bëjë të pamundurën që të vejë dorë në këto monumente, sepse kjo është detyra nr. 1 e ministrisë. Po të ishte ndërhyrë më parë banesa nuk ka pse të shembet. Nuk e shemb shiu, por shiu e përshpejton kur gjendja teknike është e rëndë. Është emergjencë po shemben monumentet dhe do të shemben përsëri nëse nuk ndërhyhet”, vijon arkitekti. Për punën e bërë dekada më parë në IMK ai kujton se para ’90 bëheshin dhjetëra restaurime. “Përpara ‘90 bëheshin restaurime në 50 banesa në vit dhe restaurime të mirëfillta, por dua të shtoj, që gjatë ndërhyrjeve në projektet e restaurimit bëheshin dhe ndërhyrje për të siguruar banesën nga tërmetet nga inxhinierja Eli Buka. Sot qeveritë që vijnë në pushtet nuk japin fonde për restaurimim e monumenteve dhe thonë me të madhe, që ne ruajmë traditat kulturore”, shprehet arkitekti Latif Lazimi.