Nga: Qazim D. Shehu

Shtëpia botuese “Nacional” hodhi në treg kohët e fundit një libër me artikuj studimorë dhe kritikë letrare ku merret në qendër të vëmendjes poezia e poetit të shquar postmodern Ferik Ferra. Autorët, shumica kritikë të cilësuar dhe të skalitur në fushën e kërkimit studimor, pavarësisht nga njëri tjetri, kanë shpërfaqur në mënyrë të detajuar, analitike, poezinë e Ferrës duke ridimensionuar ide dhe qasje interesante për këtë poezi, e cila dallohet për një ngjyrim të theksuar emocional, krahas figurave të dendura që shumështresojnë një mendim të infiltruar përmes një ndjenje të kulturuar. Sapo e mora këtë libër dhe fillova ta lexoj, menjëherë më shkoi mendja tek një asosacion tjetër: sot shkruhet pak për një autor, madje aspak, ose kur shkruhet shkruhet në mënyrë dilentanteske, më tepër “hyjnë në punë”përcaktimet epitetike të stërkonsumuar sesa thellimi hullinor në mendim dhe studimi serioz i profileve letrare. S`dihet pse, po tani në demokraci, kur janë hapur mundësitë, pse të ndodhë që mendimi të vetvuloset në pamundësinë e heshtjes dhe frikës në të shprehur, ende të rendet e të rendet pas disa apostujve letrarë të servirur nga tribunat e socrealizmit dhe të mos vihet re se kritika u ka hyrë në hak edhe autorëve të tjerë, për të cilët duhet folur, natyrisht bindshëm dhe me seriozitet, jashtë çdo përmbysje të raporteve të vlerësimit, po gjithnjë me realizëm dhe drejtësi. Iniciativa e shtëpisë botuese “Nacional”, personalisht e zotit Mujo Buçpapaj, poet, studiues, dhe e autorëve pjesëmarrës është për tu përshëndetur dhe mund të merret si model nxitës edhe për autorë të tjerë. Autorët: Dëfrim Cani, Shaban Sinani, Dritëro Agolli, Ramadan Mysliu, Fatbardha Hoxha, Perikli Jorgoni, Anton Çefa, Tonin Shiroka, Lluka Qafoku, Rajmonda Moisiu, Skënder Temali, Flori Slatina, Xhevahir Spahiu, Romeo Çollaku, Armela Hysi, Alfred Uçi, Mujë Buçpapaj, Dhurata Hamzai, Dukagjin Hata, Ardian Kyçyku, Dino Kubatis, Niko Kacalidha, Arben Prendi, Lisandri Kola, Arjeta Frelushkaj, Mexhit Premçi, me një ose dy artikuj, shpalosin atë gamë të gjerë që ka poezia e Ferik Ferrës duke u ndalur në veçoritë origjinale të saj, në figuracionin dhe strukturën e saj si dhe në shprehjen poetike përmes një sintakse eliptike, që e bën atë një poezi moderne dhe të sjellë para lexuesit me realizime të spikatura. Të gjithë emrat e mësipërm janë shprehur në periudha të ndryshme kohore, gjegjësisht sipas librave të autorit të botuara në kohë të ndryshme, dhe në këtë sjellje të mendimeve të tyre bie në sy koherenca në ruajtjen e një ideje; poezia e Ferrës është një poezi që duhej dalluar me kohë nga kritikët, që përbën një nivel të lakmueshëm artistik, që ka nevojë të studiohet sërish, të përhapet, të lexohet, sepse ende sot na rri në mendje një stereotip i të gjykuarit klishe ose të shprehurit nën ndikimin e opinionbërësve të rrejshëm, pa u thelluar në atë që lexojmë e për këtë arsye kemi të drejtë më pas ta besojmë. Ky është mesazhi më qenësor që përcjell studimi, po nga ana tjetër ai e sjell burueshëm edhe mesazhin tjetër: Poezia e mirë është rezistente ndaj kohrave, sidomos kur ajo niset nga një frymëzim i çliruar nga mitemat ideologjikë, nga varësitë e rrethanave të imponuara dhunshëm për shkak të represioneve sociale, politike, kur ajo niset nga qëllimi i lartë për të bërë vetëm art, çfarë ka ndodhur me të vërtetë edhe me Ferik Ferrën i cili është një poet i vjetër, ka shkruar që herët, në kohra të diktaturës, por që ka ditur për shkak të formimit dhe syçelsisë së vet ta mbajë frymëzimin të pandotur nga izmat ideologjike dhe të rrijë larg ndikimeve socrealiste , duke e frenuar me arsye dëshirën e të botuarit dhe konsumuarit vetëm për shkak të botimit. Poeti i shquar Dritëro Agolli e përcakton krijimtarinë poetike të Ferik Ferrës si një ndërthurje midis tri kulturash: kultura e popullit, kultura klasike, dhe ajo moderne”, ndërsa poeti dhe studiuesi Mujo Buçpapaj ”postmodernizmin e Ferrës-e shikon- në mbikqyrjen e realiteteve kur thjeshtëzonkufizimin e veprimeve dhe përsos gjuhën estetike, përforcon dëshirën për autonomi”. Ndërsa Xhevahir Spahiu “në bashkudhëtimin e zërave të përditshmërisë me jehonat e largta”.

Foto: Ferk Ferra.

Në libër argumentohet me kompetencë, larg çdo mistifikimi krijues, përmes analizës tekstore gjithë krijimtaria e Ferik Ferrës, ajo çfarë përbën boshtin ideotematik të saj, njëkohësisht dhe si përvijohet stili krijues i autorit, duke u marrë ky stil në aspekte të ndërtimit gjuhësor përmes realiteteve përjetuese të thella. Libra të tillë përbëjnë një mundësi të mirë dhe i jepen lexuesit si një guidë estetike për të udhëtuar në shtigjet e panjohura të një poeti, për të kuptuar poezinë e tij edhe si një mundësi shijimi. Sidomos , kur bëhet fjalë për një poet të mirë, një poet i cili në heshtje, larg zhurmës dhe tamtameve të kritikës letrare socrealiste, ka ditur të vetëmjaftohet me artin e vet pa u merakosur për lavditë e çastit apo fluturimet e lavdërimeve tribunale. Kjo është cilësi e poetëve të ndërgjegjshëm e njeriut që e do artin dhe ndërgjegjësohet në gjurmët krijuese të artit ashtu siç vërtet është Ferik Ferra. Mjaft autorë të cilët përfshihen në libër në shumë pika bien dakord edhe pse ata kanë shkruar në kohë të ndryshme , gjenden në largësi të ndryshme , disa jashtë vendit. Ata në mënyrë rastësore dhe objektive sjellin një mendim të ngjashëm që konvergon në një pikë; Ferik Ferra është një poet i metaforës dhe imazhit të thellë, i asosacioneve të forta dhe i shprehjes eliptike, mjaft origjinal në këtë shprehje;gjithashtu ai mbetet një poet që shfrytëzon mirë sfera të kulturës, mitit, traditës dhe të etnokulturës shqiptare, çfarë e sjell në fokus për një poet se mjaftueshmërisht nuk mund të jesh i tillë nëse nuk e mbush mendjen dhe pasuron shpirtin me lexime dhe kulturë qëmoti. Në rrethet letrare dhe qarqet letrare të Tiranës të ndërprera herë-herë nga asfiksia institucionale dhe egoja e paarsyeshme letrare, vëren me keqardhje se poetët nuk e lexojnë njëri tjetrin, madje dhe kur e lexojnë mbajnë një bllokadë heshtjeje, nuk diskutohet për poezinë, as bëhen vërejtje, po mjaftohen me fjalë të përgjithshme. E nëse poetët nuk e lexojnë njëri tjetrin, nuk shkruajnë në shtyp për njëri tjetrin atëherë kush do ti lexojë, dhe si mund të pretendojnë që detyrimisht duhet të lexohen në këtë kohë prozaike me skandale të mëdha që e humb mendjen pas tyre? Ky libër është një akt fisnik i shtëpisë botuese Nacional duke dëshmuar se edhe letërsia shqipe, poetët më të mirë shqiptarë nuk duhen braktisur, por ata duhen sjellë në qendër të vëmendjes herë-herë, kur dihet se sot letërsia e huaj –për hir të vërtetës e shkruar mirë-po e thith lexuesin shqiptar, nganjëherë në mënyrë të padrejtë, aq sa rrugës të humbasë vëmendja edhe për poetë dhe prozatorë që mund të jenë të një niveli me shkrimtarë të huaj po që, fatkeqësisht për hir të një shoqërie snobiste dhe ksenomane janë detyruar të rrinë në heshtje. Pastaj hierarkitë e ngrira dhe të kalcifikuar nga vjetërsia socrealiste ende e mbajnë atë radhua shkrimtarësh që duhet të përfillen gjithnjë në tekstet shkollore duke i bërë letërsisë një dëm që vjen e thellohet. Ndërfuten këtu pastaj shumë aspekte të politikës së ditës , vetëmënjanime të poetëve me shpresën se koha do punojë për ta dhe rrethana të tjera dekurajuese. Ndaj ky libër, me ndonjë libër tjetër ku flitet për një autor që ndodhet në aktualitetin e shkrimit, jo vetëm përbën një model të kritikës tekstore, por edhe një shembull inkurajues sesi duhet të ndiqet një rrugë e mirë larg cmirës indiferencës dhe mënjanimit të padrejtë; sepse në shumë vite janë bërë studime me libra për autorë të traditës, aq studime sa harrohej bashkëkohësia sa për Naimin, Migjenin apo Nolin s`besoj të ketë mbetur studiues pa shkruar edhe pse shpeshherë studimet përsërisnin njëri tjetrin. Kjo , natyrisht e sillte nganjëherë idenë sikur të ekzistonte vetëm letërsia e së kaluarës bashkë me tre katër shkrimtarë bashkëkohorë, ndërsa pjesa tjetër e letërsisë mbetej në mënyrë të padrejtë në heshtje, apo harresë. Thellimi I studimeve në aktualitetin shkrimor, sjellja e poetëve dhe shkrimtarëve të cilët kanë prodhimtari letrare cilësore, siç është Ferik Ferra, do krijonte një tablo interesante për kohën dhe brezat e ardhshëm të lexuesve apo studiuesve do krijonin një imazh më të plotë për kohën tonë. Ashtu si mund ta krijonim në një përfytyrim më të plotë për Rilindasit nëse kjo do na vinte përmes studimeve të shumta të asaj kohe. Libri ”Poezia postmoderne e Ferik Ferrës“ mbetet një libër që ndriçon aspekte jetësore dhe krijuese të këtij autori serioz të letërsisë sonë bashkëkohore, duke e sjell profilin e tij krijues nëpër vite, gjithnjë në konsekuencën e vet të paluhatshme estetike si jeta e një poeti që iu përkushtua artit të fjalës pavarësisht nga erërat e ftohta ideologjike. Sa e sa poetë e lanë poezinë dhe njëherazi u trembën ngaqë nuk u përshtatën me marritë ideologjike të kohës, por me Ferik Ferrën ndodhi ndryshe, ai punoi në heshtje edhe pse në atë kohë nuk botoi. Kjo flet për atë pjesë të heshtur rezistence të letërsisë sonë në kohë të vështira që mospajtimin e shpreh duke u vetëkrijuar në fshehtësi për të pritur një kohë të mirë që të shpërtheje me vrull e ta gjejë rrugën për tek lexuesi. Ndaj me të drejtë studiuesi Kosovar Ramadan Mysliu do të vërejë: ”se arsenali poetik përbëhet nga shenja të lashtësisë , po të gjitha këto të dhëna me një kromatikë vetjake sepse ku prek autori lë ngjyrën e shpirtit të vet”. Ndërsa Dino Kubatis do ta quaj poetin: ”lirik, romantik i mahnitur. . ”Duke e sjellë gjithnjë në fokus idenë se sado rryma apo teori jashtë letrare të fryjnë drejt estetikës letrare ato nuk mundin kurrë ta zhbëjnë atë, sepse kur përvoja estetike e shekujve është e përthithur mirë ajo mbetet në fund të fundit një mundësi shpëtimi një botë që të rrëmben për t`i shpëtuar rrënimit të kohrave të vështira, siç ka ndodhur edhe me Ferik Ferrën i cili jo vetëm që nuk u pajtua me socrealizmin, po ai mundi të kultivojë që herët një poezi që lexohet sikur të jetë shkruar sot, ndryshe nga shumë poetë të saj kohë të cilët kënduan me hov revolucionar , jo për fajin e tyre po për faj të indoktrinimit dhe imponimit. Libri në fjalë , duke analizuar poezinë e Ferrës nga shumë autorë që tashmë janë pena të mendimit kritik, e përcjell dukshëm dukurinë letrare përmes një poeti, kjo dukuri ka të bëjë me atë që quhet art i përjetshëm, që mbështetet në ligjësitë estetike dhe jo ato socpolitike. Duke e lexuar këtë libër vëmë re se autorët e njohin mirë poezinë në tërësi dhe të Ferik Ferrës në veçanti, njohin mirë mjetet shprehëse adekuate të teorive letrare, analizojnë dhe sjellin shembuj, tregojnë se kritika vjen nga leximi dhe njohja e thellë e ligjësive shtjelluese.

Libra të tillë për autorë shqiptarë janë të rrallë, po ato tregojnë se mund të bëhet diçka, të mundim sadopak në këtë kohë të globalizmit rrafshues të respektojmë disa vlera tonat sepse vlera kemi, poetët ta duan më tepër njëri tjetrin sepse s`dihet kujt do ia japë koha thelën e lavdisë, të ngrihet në mënyrë më të sinqertë debati letrar, të diskutohet nëpër rrethe letrare, duke i njohur jo vetëm poetët e huaj po edhe poetët tanë, të cilët janë përditë me ne.