Mundësitë e demokracisë shqiptare janë 85 për qind

Ervis Iljazaj

Megjithëse kriza e politikës shqiptare e momentit paraqitet si një krizë institucionale, në thelb ka vetëm një arsye, mungesën e përfaqësimit politik dhe garës demokratike, e cila, nëse do të zhvillohej me standardet e duhura, në mënyrë automatike do të zgjidhte çdo problem tjetër politiko-institucional. Nëse Shqipëria do të kishte një garë demokratike dhe do të garantonte në kushte të barabarta aksesin në procesin politik, do të kishim drejtësi, arsim, shëndetësi dhe ekonomi më të mirë.

Zgjedhjet e 30 qershorit u menduan se do të zgjidhnin krizën shqiptare, mirëpo ndodhi totalisht e kundërta. Jo vetëm që këto zgjedhje nuk i dhanë zgjidhje, por e futën politikë shqiptare në një krizë edhe më të thellë. Tashmë nuk kemi vetëm një krizë të politikës qendrore, por edhe të asaj të pushtetit lokal. Dhe e gjitha kjo, për shkakun se procesi i 30 qershorit nuk ishte aspak demokratik. Në të gjitha raportet dhe qëndrimet e ambasadave të huaja, megjithëse ato e mbështetën fort zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, nuk përmendet fakti se ato ishin demokratike. U tha se ishte një proces i qetë dhe i rregullt, por në asnjë rresht nuk u përmend fakti se janë demokratike, ashtu sikurse janë të gjitha standardet perëndimore për një palë zgjedhje.

E megjithatë, më shumë sesa raportet dhe qëndrimet e misioneve të huaja, ishin qytetarët shqiptarë ata që nuk i konsideruan demokratike. Gati 85 për qind e tyre nuk mori pjesë në këto votime, duke refuzuar mungesën e garës. E vërteta është se 85 për qind e shqiptarëve nuk refuzuan Edi Ramën, apo do të votonin opozitën nëse do të merrnin pjesë, ashtu sikurse reklamon kjo e fundit. Kjo është absurde edhe ta mendosh. Askush nuk e di ende se si do të votonin shqiptarët nëse do të kishte garë.

Në tërësi, pjesëmarrja e vogël në datën 30 qershor ishte një refuzim i qartë i procesit dhe jo mbështetje për një palë politike apo për një palë tjetër. Në këtë kuptim, demokracia shqiptare nuk është e konsumuar ende. Me gjithë problematikën e kësaj shoqërie, me gjithë krizën politike, demokracia shqiptare ka ende 85 për qind mundësi për t’u zhvilluar. Janë qytetarë, të cilët janë në pritje të një gare demokratike të barabartë dhe të vërtetë.

Në këtë aspekt, opozita shqiptare e ka një fitore, e cila është beteja e saj për garën politike në kushte të barabarta dhe neutrale.

Duan apo s’duan politikanët shqiptarë do të marrin në konsideratë 85 për qind të shqiptarëve, të cilët ende janë duke pritur zgjedhje të vërteta dhe demokratike. Kriza është në kokën e politikës shqiptare dhe përpjekjet për ta zgjidhur atë nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm janë të kota. Ka vetëm një rrugë për të dalë në krye të kësaj rruge miope dhe që qartësisht janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Mungesa e garës në kushte të lira dhe të barabarta është pa dyshim sëmundja më e madhe e shoqërisë shqiptare gjatë tranzicionit të saj.

Gara demokratike dhe konkurrenca në tërësi zhvillon vizione, zhvillon ekonominë, bën një shoqëri më të drejtë dhe, pa dyshim, është kushti thelbësor për çdo arritje në një shoqëri të caktuar.

Një nga elementet që veçon shoqëritë demokratike dhe të zhvilluara nga shoqëritë e tjera, është pikërisht aksesi në kushte të barabarta në procesin politik dhe demokratik. Pa garantuar këtë standard, asnjë standard tjetër nuk kemi për të arritur.

Mungesa e lirë e garës politike ka ndikuar edhe në mungesën e konkurrencës në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Punësimi nuk është meritokratik, ekonomia nuk është konkurruese, tenderët publikë nuk janë aspak me garë. Përkundrazi, e gjithë jeta ekonomike, kulturore dhe shoqërore e shqiptarëve është totalisht e ndikuar nga mekanizma arbitrarë të pushtetit dhe nga raporte klienteliste.

E megjithatë, ka ende shpresë se 85 për qind e shqiptarëve me mungesën e tyre më 30 qershor do të ndikojnë në zhvillimet e ardhshme politike. Çfarëdo që të ndodhë, politika shqiptare do të jetë e detyruar ta marrë në konsideratë këtë fakt. Sepse, asnjë pushtet nuk ka zgjatur dhe është legjitimuar pa përfaqësim politik, aq më tepër pa mundur një kundërshtar në zgjedhje./Gazeta Liberale