Kulla e Ismet Çmegës, -Rahovec, Kosove. –

Kulla e Ismet Çmegës gjendet në qendrën e vjetër të Rahovecit,në sheshin “Vrella”. Është ndërtuar gjatë shek. XIX nga ana e Dervish Meriqit, kurse tani është në pronësi të familjes Çmega. Ndërtesa i ka veçoritë karakteristike të kullave që janë ndërtuar gjatë shek. XIX në rrafshin e Dukagjinit. Ka planimetri katërkëndëshe me dimensione 6.3 x 4.3 metra. Është e ndërtuar në përdhese dhe ka dy kate. Përdhesja dhe kati kanë nga një hapësirë, ku vetëm hapësira e shkallëve ndahet me mur të brendshëm. Bazuar në skemën tipike funksionale të kullave, ambienti më karakteristik që paraqitet në katin e dytë është dyshekllëku.

Edhe në këtë kullë dyshekllëku i gurit shtrihet në të dy anët e kullës, në gjithë ballin e fasadës jugore dhe pjesërisht në atë perëndimore. Muret në përdhese janë ndërtuar nga gurë vendorë me një gjerësi rreth 60cm, kurse në kate janë punuar nga dheu i pjekur – qerpiçi. Material tjetër që hasim në ndërtimin e kësaj kulle është druri, i cili është përdorur për ndërtimin e konstruksionit të kulmit si dhe për konstruksion meskatësh në formë të trarëve dhe dyshemesë nga dërrasat. Kulmi është katërujor i mbuluar me rrasa guri, mbulesë karakteristike e kulmeve të rajonit të Rahovecit. Prej kohës kur është ndërtuar e deri tani, kulla është shfrytëzuar për banim, kurse sot është e pabanuar.

Ndërhyrjet restauruese të vitit 2014 kanë ndikuar në konsolidimin e strukturës së kullës, duke i rikthyer vlerat këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të rajonit të Rahovecit. Kulla është pjesë integrale sheshit “Vrella”, ku krahas saj janë ruajtur edhe disa shtëpi të vjetra tradicionale, fragmente të mureve rrethuese të shtëpive të vjetra dhe kroi Vrellasë bashku me vijën ujore të burimit nga vendi i quajtur “Krajishte”, i cili vjen deri në shesh nëpërmjet rënies së lirë. Këto elemente të ruajtura nga shek. XIX paraqesin një fragment të trajtimit urban të një lagjeje në qendër të Rahovecit.