Me role të panumërta, ndahet nga jeta aktorja e mirënjohur shqiptare Valentina Caci

Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare aktorja e mirënjohur shqiptare, Valentina Caci.

Lajmin për vdekjen e saj e ka konfirmuar aktorja Zamira Kita, e cila shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të 83-vjeçares.

“Lamtumirë, e mira, e talentuara, e bukura, Valentina Caci! Rolet e shumta të realizuara prej saj, do të ngelen gjithmonë në kujtesën tonë, bisedat dhe këshillat e saj, të paharruara! I përjetshëm kujtimi!,”-shkruan Kita.

Për kontributin e saj në skenën korçare dhe jo vetëm, aktores Valentina Caci i është dhënë titulli, “Artiste e Merituar”.

Homazhet për të do të zhvillohen ditën e nesërme në Teatrin e Korçë “Andon Zako Çajupi” nga ora 12.00-13.00.

Kush ishte Valentina Çaçi?

Ajo lindi në qytetin e Korçës më 2 mars të vitit 1936. Në lëvizjen artistike që shpërtheu që ne muajt e parë të paraçlirimit u aktivizua në grupet teatrale amatore, ku dhe u dallua si aktore.

Si pjesë e trupës profesioniste të aktorëve të teatrit të Korçës, Caci ka pasur shumëllojshmëri shfaqjesh në drama dhe komedi, duke marrë edhe besimin e regjisorëve për role kryesore.

Ndër to përmendim: Ollga në dramën “Makar Dubrava” e Korneiçukut, Kolkoziania në dramën “Rruga e madhe” e Fjodorovit, Gallupkova në komedinë “Kush e ka fajin” e Molinavit, Lumturia në dramën “Të rinjtë” e V. Vinçanit, Lumtua në komedinë “Vajza nga fshati” e F. Gjatës, Veroria në dramën “Këneta” e F. Gjatës, Nafia në dramën “Hijet e natës”e V. Kokonës, Meri në dramën “Rrethimi i bardhë” e N. Priftit, Helena në dramën “Engjejt e skëterrës” e Kantenit, Gruaja në dramën “Orteku i vjeshtës” e S. Andonit, Luçia në komedinë “Karnavalet e Korçës” e S. Çomorës etj.

Ndërsa për publikun e gjerë ajo njihet me filmat: Vëllezër dhe shokë; Mësonjëtorja; Me hapin e shkokëve, Rruga e madhe, Kur çel dashuria, Shoqja nga fshati dhe Zonja nga qyteti.