“Më 13 tetor edhe zgjedhje Presidenciale përmes ndryshimeve kushtetuese”- Basha tregon çfarë diskutoi me Presidentin Meta16 korrik 2019

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se kishte diskutuar me Presidentin Ilir Meta për zgjedhjet e 13 tetorit.

 “Kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe zgjedhje të reja presidenciale që nënkupton ndryshime kushtetuese.

Duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e Presidentit dhe shqetësimin e tij, i kam bërë të qartë që Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar janë në këtë betejë për interesin e njerëzve, që zgjedhjet e ardhshme siç deklaroi edhe OSBE/ODIHR, duhet të jenë për njerëzit dhe jo për Ymer Lalët dhe shokun e tyre, Bablokun e madh dhe oligarkët.

Opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’i garantuar shqiptarëve të drejtën e votës që është dhunuar përtej çdo përfytyrimi siç e pamë edhe më 30 qershor ku Edi Rama nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe në një proces ku kandidonte vetë, numëronte vetë dhe për të garantuar një qeveri përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që punon për njerëzit”, theksoi Basha.

Basha tha se qeveria i është zhytur pasurive të vendit për t’i grabitur.

“Sot, në takimin me opozitën e bashkuar, kemi diskutuar për hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin tonë politik në të gjitha rrafshet, në raport me njerëzit, me qytetarët, në raport me faktorin ndërkombëtar dhe në raport me zgjidhjet që presin dhe që do t’u ofrojmë shqiptarëve.

Në këtë kuadër, kemi diskutuar për emergjencën ekonomike, ku ndodhet vendi, sepse një nga mëkatet më të mëdha, një nga fajet më të mëdha të kësaj bande që na qeveris është që, duke tërhequr opozitën në betejën parimore për vlerat themelore të lirisë e të demokracisë, të luftës kundër krimit dhe drogës, ia ka dalë t’I vërsulet Shqipërisë, buxhetit të saj, pasurive të saj, ta vjedhë dhe ta grabisë qytetarin e thjeshtë, pasurinë e këtij vendi dhe ta zhysë ekonominë në ditën e saj më të zezë, në të paktën 2 dekada.

Ndaj, bashkarisht kemi diskutuar për platformën tonë ekonomike, për zgjidhjet ekonomike që shqiptarët meritojnë dhe do të kenë, me fitoren e Opozitës së Bashkuar, e cila tashmë, jo vetëm thjesht përmes studimeve të opinionit publik, por edhe përmes referendumit të 30 qershorit, është konfirmuar si maxhoranca e re politike”, shtoi ai.

Gazeta Panorama