Marin Mema del në protestë me studentët. –

8 Dhjetor, 2018

Gazetari Marin  Mema iu bashkua ditën e djeshme protestës së studentëve për uljen e tarifave të shkollimit.

Ai foli para tyre duke thënë se kjo është protesta për të ardhmen e Shqipërisë, e ndaj është protestë pa ngjyra partiake, por me ngjyrat e flamurit kuq e zi.

“Ju lutem të gjithëve të bëni shqiponjën me duar. Kjo është protestë e shqiptarëve, është protestë e studentëve , është protestë për të ardhmen e Shqipërisë, është protestë që ka vetëm një flamur kuq e zi.”- i tha Mema studentëve.

Më pas në një postim në rrjetet sociale, ai publikoi këtë video dhe shtoi se studentët janë forca dhe e ardhmja e vendit.

“Ju keni freskinë, forcën, krenarinë, mundësinë për të ndryshuar realitetin. Studentët janë e ardhmja dhe ajo në këtë vend mund të jetë me e bukur nëse merr ngjyrat e tyre, ngjyrat e njerëzve qe e duan Shqipërinë përtej politikës e flamurëve partiake !”- u shpreh gazetari.

Më tej Marin Mema iu bëri thirrje të gjithëve që të bashkohen me studentët dhe të protestojnë për kauzën e tyre dhe në të njëjtën kohë kërkoi që të mos lejohen asnjë person që do ta politizojë protestën.

“Ne duhet ti mbështesim e ti përkrahim të arrijnë më të mirën, t’u krijojmë kushtet për të ndërtuar të ardhmen e jo ti largojmë prej saj !! Në fund të ditës e nesërmja na përket të gjithëve dhe po të gjithë do ta jetojmë. Nëse kemi një rini më të fortë, më reaguese, më të drejtë, kërkuese e të ndarë nga politika, e ardhmja do të jetë më e mirë ! Largoni të gjithë ata që mund të kërkojnë politizimin e saj, sepse forca juaj është e pandalshme nëse ka ngjyrat e Shqipërisë e askujt tjetër !!”-mbylli postimin në rrjetet sociale ai.