Klodiana Lala: – Kemi parë vetëm majën e ajsbergut, dosja 339 ka të vërteta të frikshme. –

Klodiana Lala është gazetarja e parë që investigoi përfshirjen e grupeve kriminale në shitblerjen e votës, pjesë e përgjimeve në dosjen 339. Në një intervistë për Mapo-n ajo thotë se dosja ka brenda të vërteta të frikshme se si kriminelët urdhërojnë zyrtarët e shtetit. Sipas saj do ketë koka turku për këtë dosje, por nuk do të shkohet deri te “peshqit e mëdhenj”.

Dosja hetimore 339 duket se ka brenda një minë për politikën shqiptare me përgjimet. Si nis krijimi i kësaj dosjeje? Ishte një rastësi që emra të njohur të politikës ranë pre e këtyre përgjimeve?

Përgjimi i zyrtarëve ishte një rastësi, por që na bëri të kuptojmë, pas publikimit të përgjimeve, si në mediat shqiptare, ashtu dhe të huaja, sesi krimi ka marrë revansh në Shqipëri. Se si grupet kriminale, kanë arritur deri aty sa të deformojnë edhe vullnetin e qytetarëve në zgjedhje. Duhet pranuar që shitblerja e votës është një fenomen i njohur në Shqipëri, nga të gjitha forcat politike, por këtë herë, përgjimet na zbuluan se klanet kriminale kanë ngritur një strukturë të sofistikuar për ta realizuar këtë. Kriminelët kanë shkuar deri aty sa të përcaktojnë edhe emra në listën e kandidatëve për deputet. Hetimi për ‘339’ është bërë i ditur tashmë që nisën me gjurmimin e disa trafikantëve droge, por që zbuluan detaje të tmerrshme për mënyrën sesi funksionon administrata në vend.

Është pranuar që në dosje ka qindra DVD të regjistruara? Mos kemi parë vetëm majën e ajsbergut, nëse do të huazonim shprehjen e kryeministrit, pra “nuk kemi parë gjë akoma”?

Sigurisht që përgjimet e publikuara deri më tani janë maja e ajsbergut, sepse janë vetëm 10 apo 15 biseda nga mijëra të tilla. Zërat thonë se nëse dosja do dalë ndonjëherë e plotë në publik, pra nënkuptoj faktin të kalojë për gjykim, do shohim çudira.

Çfarë fshihet pas kësaj dosjeje?

Të vërteta të frikshme, se si kriminelët urdhërojnë zyrtarët dhe këta të fundit shfaqen të nënshtruar prej trafikantëve dhe vrasësve.

Pse është zgjatur kaq shumë hetimi në kohë dhe nuk është dërguar akoma dosja në gjykatë?

Sepse prokurorët dhe aktorë të tjerë politikë dhe jo vetëm, janë të interesuar që kjo çështje të relativizohet, sikurse ndodh rëndom në Shqipëri, me dosje ku përfshihet politika. Dhe ajo çfarë bie në sy, është se askush nuk merret me faktin, se përse u zvarritën hetimet, porse kush e nxori sekretin. Sigurisht që shkelësit e sekretit, duhen hetuar, por pasi prokuroria të na thotë se çfarë ndodhi në Durrës, Lezhë apo ndonjë qytet tjetër me zgjedhjet. Cilët ishin kriminelët që ndikuan në deformimin e rezultatit dhe për llogari të kujt.

Çfarë luhet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mbi këtë dosje? A ka përplasje pas ardhjes së Donika Prelës në krye të kësaj prokurorie dhe Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme?

Brenda Krimeve të Rënda ka luftë nervash, ka prokurorë të pafuqishëm për të hetuar, prokurorë të ndikuar dhe të vënë në shërbim të pushtetit. Ka dhe luftë klanesh për të goditur njëri-tjetrin në kuadër të vettingut. Ka mungesë të theksuar transparence dhe ndryshe nga sa parashikojnë ndryshimet e reja ligjore në kuadër të Reformës në Drejtësi, institucioni vepron me modelin e vjetër, plotësisht i centralizuar.

A mendoni se skandali publik i shkaktuar nga publikimi i përgjimeve do të sjellë dhe dënimin e njerëzve të përfshirë në këtë dosje me akuzën për shitblerjen e votave? A është ky rasti që mund të shohim “peshqit e mëdhenj” të shkojnë pas hekurave?

Për shkak të presionit nga mediat e opinioni publik, prokuroria do bëjë “koka turku”, mund të ndodhë të ketë dhe të dënuar për shitblerje vote, por nuk mendoj se do të ndëshkohen ata që konsiderohen si “peshqit e mëdhenj”.