Kisha e Shna Ndout ose Shnanoj në Kepin e Rodonit, Durrës.-(+ 12 foto artistike te Monumentit). –

Nga Lida Miraj

Shqipëria qendrore dhe veriore paraqet një interes të veçantë në studimin e artit monumental bizantin dhe pasbizantin. Arsyeja qëndron në faktin se ky rajon gjatë Mesjetës së vonë përbënte një kufi imagjinar, të gjerë dhe njëherazi poroz, midis Ortodoksisë dhe Katolicizmit, një “zonë e ndërmjetme”, ku tradita kulturore bizantine konkurronte me atë latine dhe ku arti bizantin ishte në një masë të madhe shprehje e përbashkët artistike e kohës.

Një vend të përveçëm në këtë kuadër zë kisha e manastirit të Shna Ndout ose Shnanoj, e ndërtuar pranë një bregdeti ranor, në gadishullin e vogël që përfundon në Kepin e Rodonit në Adriatik, në veri të Durrësit.

Monumenti është identifikuar nga studiuesit me manastirin bizantin të Shën Marisë, ekzistenca e të cilit në këtë vend përmendet në një burim të vitit 1418, sjellë së pari nga K. Jireček (Illyrisch-Albanische Forschungen 1916). Në vitin 1599, manastiri kalon nën juridiksionin e Kishës Katolike Romane dhe në veçanti të kuvendit françeskan. Kjo solli edhe ndryshimin e emrit nga Shën Maria në Shën Anton (Shna Ndou), për hir të murgut të famshëm të këtij kuvendi dhe shenjtor të Kishës Perëndimore. Sipas një tradite të ruajtur, manastiri bizantin i Shën Marisë është ndërtuar (rikonstruktuar) nga e motra e Gjergj Kastriot Skënderbeut, Mamica. Kjo gjë përforcohet edhe nga një tjetër traditë, sipas së cilës despoti Andrea II Muzaka (1335-1372) është varrosur në këtë manastir. Monumenti u vizitua në fund të shek. XIX nga orientalisti dhe diplomati austriak Theodor Anton Ippen (1861-1935), i cili botoi një përshkrim të shoqëruar me materiale ilustruese.

Kisha i përket tipit bazilikë njënefëshe dhe përbëhet nga narteksin, naosi dhe hijerorja. Për ndërtimin e saj është përdorur teknika bizantine e klausonazhit si dhe mjaft analogji me kishat bizantine, gjë që dëshmon për vijimësinë e traditës bizantine. Po ashtu, në planin ndërtimor dallohen edhe elementë të arkitekturës romanike dhe gotike, si harqet e mrehtë.

Në interierin e kishës dallohen gjurmë të pikturës murale bizantine nga tre faza pikturimi, faza e parë e të cilës mund të datojë në shek. XIV dhe e fundit nuk mund të datohet pas vitit 1466. Autori i afreskeve mbetet ende anonim edhe pse, sipas studiuesve, nuk duhet përjashtuar prejardhja e tij nga vetë qyteti i Durrësit, në popullsinë e të cilit gjatë shek. XIV mbizotëronte elementi ortodoks bizantin. Ndër fragmentet e ruajtura nga piktura murale, në pjesën e poshtme qendrore të absidës lindore paraqitet një shqiponjë dykrenore, e realizuar në monokromi si dhe, më djathtas, një kalorës i ri pa mjekër dhe dy shpendë. Paraqitja e shqiponjës dykrenore ka karakter simbolik. Fillimisht ajo ka qenë emblemë e dinastisë bizantine të Paleologëve dhe, më pas, u përdor nga hegjemonë për të treguar lidhjet e tyre me shtëpinë e Paleologëve ose vijueshmërinë nga Bizanti. Në rastin tonë, prania e shqiponjës dykrenore në absidën e kishës së Shna Ndout me shumë gjasa e lidh monumentin me familjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, gjë që, siç duket, përforcohet edhe nga tradita e mëvonshme që e lidh manastirin me të motrën e Skënderbeut, Mamicën. Përveç kësaj, edhe kalaja e ndërtuar nga Skënderbeu, në mes të shek. XV në kep, ndodhet fare pranë monumentit. Madje nuk është aspak e çuditshme që punimet për ndërtimin e kalasë në vitin 1453 të jenë shoqëruar edhe me punimet për rikonstruksionin dhe pikturimin e manastirit pranë.

Ky monument është dëshmi e ndikimeve kulturore të arbërve në Mesjetën e Vonë, në një kohë dhe hapësirë ku, pavarësisht se ishte pjesë e “Adriatikut venedikas”, tradita bizantine nuk rreshti së ekzistuari.

Bibliografia: Aleksandër Meksi, Arkitektura e Kishave të Shqipërisë (shek. VII-XV), Tiranë: Eugen, 2004.

Fotot jane realizuar nga Prof. Lida Miraj.