Përshkrimi: Kalaja e Porto Palermos është ndërtuar mbi një rrip toke në qendër të gjirit të Palermos ne bashkine Himare, gji i përmendur që në periudhën antike me emrin ‘’Panormus’’, liman i madh në mesin e maleve Keraune (Malet e Vetëtimës). Në fundin e shek. XVIII dhe fillimin e shek. XIX, Ali Pasha mbasi nënshtroi gjithë bregdetin Jon, nga Butrinti deri në Vlorë, për kontrollin dhe fortifikimin e pikave strategjike të vijës bregdetare u kujdes të ndërtonte disa kështjella, një prej të cilave ishte dhe kështjella në Porto-Palermo. Udhëtarët e fillimit të shekullit të XIX, konsulli francez François Pouqueville dhe koloneli anglez William Martin Leake, dëshmojnë se në këtë kështjellë ishte vendos një garnizon ushtarak. Përshkrimet më të detajuara rreth saj dhe gjirit në fjalë i gjejmë pikërisht tek konsulli francez, i cili shkruan se: Gjiu ose porti i Palermos ka një dalje rreth çerek milje midis pikave shkëmbore, ku deti përplaset furishëm. Kështjella ndodhet në pikën jugore të hyrjes dhe lidhet me kontinentin me një rryp të ulët dhe të ngushtë. Ajo përbëhet nga një shesh me disa pozicione të fortifikuara, me ca topa, në afërsi ka ca magazina, një shtëpi që shërben si doganë dhe një kishë. Kisha e Shën Kollit, që përmendet nga Pouqueville, ruhet ende dhe ashtu si kështjella është shpallur monument kulture.

Mbi hyrjen e kështjellës ka patur një pllakat, ku në stilin e një poeme epike dëshmohej se ajo u ndërtua prej Ali Pashës.
Kështjella ka formën e një trekëndëshi me tre bastione të mprehta në qoshe dhe një oborr që hapet nga ana perëndimore. Ajo është krejtësisht e mbuluar dhe mbi parapetin që rrethon tarracën, janë hapur shumë frëngji për topa. Në brendësi ka salla, depo dhe kthina të shumta. Një palë shkallë guri, të ndërtuara në pjesën qendrore, të ngjisin në tarracë. Të gjitha kthinat mbulohen me qemere guri. Një kujdes i veçantë është treguar për mbrojtjen e hyrjes, që ndodhet në mesin e njërit ballë, midis dy bastionesh.

 

Nga brenda, ajo kontrollohet prej murit me frëngji pushke të një kthine anësore, gjithashtu një mur me frëngji është ndërtuar në anën e brendshme, përballë hyrjes. Në bastjone dhe në këndet e oborrit, në krahun perëndimor gjenden rreth 5 vende vrojtimi për rojet. Për sa i përket trajtimit të jashtëm, kalaja shquhet për veshjen me gurë të latuar, për trajtimin monumental të hyrjeve, si dhe për kornizat horizontale prej guri të thjeshtë. Ajo ka forma të rregullta gjeometrike të planimetrive, me lartësi të barabartë të bastjoneve poligonal.

Bibliografia: F.H.C.L. Pouqueville., Voyage de la Grece, Volume 1, Paris, 1826, fq. 99. W. M. Leake., Travels in Northern Greece, London, 1835, f. 79-80. Gj., Karaiskaj., Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipëri. ShB “8 Nëntori”. 1981. f, 270-272. A. Baçe, A. Meksi, E. Riza, Gj. Karaiskaj, P. Thomo., Historia e Arkitekturës Shqiptare. Tiranë, 1979, f. 332.

Funksioni: Kështjellë, sot është Monument Kulture.

Itinerari: Drejt kalasë së Porto Palermos mund të shkoni me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën nga qyteti i Himarës në një distancë prej 7 km, ose nga fshati Qeparo në një distancë prej 4 km.

Nga DRKK Vlore