Ilaçi shitet 180 herë më shtrenjtë; CFO Pharma e blen 4.8 lekë, ua shet pensionistëve 1.300 lekë. –

17 Maj 2019

Top Channel zbulon një skandal mashtrimi lidhur me çmimet e barnave dhe falsifikimin e pullave të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Bari, Soludamin 100 militërsh, shërben për pacientët që vuajnë nga veshkat dhe trajtohen me hemodializë. Ky medikament i përbërë nga 10 flakonë, importohet në Shqipëri nga kompania CFO Pharma, e drejtuar nga biznesmeni Nadir Çaushollit, dhe deklarohet në doganë me çmimin CIFF, 0.4 euro.

Çmimi CIF përfshin koston e prodhimit dhe të transportit deri tek pika doganore me Shqipërinë. Sipër vendimit numër 53, datë 5.2.2014, importuesi duhet të përllogarisë një marzh fitimi deri në 11 % mbi çmimin CIF.

Pra, ky produkt nuk duhet të shitet në treg, jo më tepër se 74 lekë të reja. Por ky prodhim grek ne tregun shqiptar shitet me nje cmim shume here me te larte ne shkelje te ligjit. Por Top Channel ka siguruar këtë medikament nga një farmaci, me vlerë 180 fish më të lartë.

Sipas faturës së lëshuar nga kompania CFO Pharma, Soludamina mbërrin në farmaci me çmimin 1042 lekë të reja. Skandali thellohet edhe më tej, sepse në pullën e stampuar, ky medikament shitet 1357 lekë, shumë herë më i lartë se norma e fitimit prej 11 % nga çmimi CIF.

Top Channel iu drejtua Agjencisë Kombëtare të Barnave, për ta pyetur lidhur me vlerën e pullës që duhet të ketë Soludamina. Sipas përgjigjes, në tregun farmaceutik Soludamina me 10 flakonë duhet të ketë një pullë tregtimi për pacientët me vlerën 74 lekë të reja.

Pra, kompania CFO Pharma ka vendosur një pullë tjetër, me çmim 180 herë më të lartë.

Nëse shikoni me kujdes pullën e Soludaminës, dallohet që nuk ka një numër serie, ndërsa thuhet se është lëshuar nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave. Kjo pullë nuk vendoset më tek medikamentet që prej janarit të 2015, me vendim të Këshillit të Ministrave. Për Qendrën e Kontrollit të Barnave, pulla e këtij ilaçi është false.

Sipas Agjencisë së Barnave, ky medikament është prodhuar nga në janar të vitit 2018, dhe pulla që duhet ishte me numër serie, me mbishkrimin e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe me një vlerë prej 74 lekësh.

Referuar sasisë së medikamentit të që ka CFO Pharma, ky mashtrim i shoqëruar me falsifikim të pullës, godet direkt xhepat e pacientëve kryesisht të moshuar dhe pensionistë, me rreth 126 milionë lekë të vjetra.